Ndërlidhjet

KE kërkon më shumë punë për liberalizim vizash


Ilustrim
Ilustrim
Komisioni Evropian e ka prezantuar sot raportin e parë për progresin të cilin e ka arritur Kosova në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga misioni I BE-së në Kosovë, Komisioni e ka vlerësuar progresin e Kosovës në secilën pjesë të udhërrëfyesit për viza dhe ka dhënë disa rekomandime për autoritetet kosovare në fushat ku kërkohet veprim vendimtar për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj.

Raporti po ashtu vlerëson sigurinë potenciale dhe ndikimin në migrim nga liberalizimi i vizave me Kosovën.

“Ky raport vlerëson të dhënat e Kosovës për miratimin dhe implementimin e legjislacionit dhe reformave, ashtu siç janë paraqitur në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, me fokus në legjislacionin e Kosovës.

Ky raport identifikon dy pjesët e reja të legjislacionit që Kosova duhet t’i miratojë: një ligj për bashkëpunim ndër-agjencor në menaxhimin e integruar të kufirit dhe një ligj për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore”, thuhet në raport.

Kapaciteti aktual i Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin mbetet i kufizuar, me një ndikim potencialisht të madh në sigurinë e brendshme të BE-së, thuhet në raport.

Norma e refuzimit të vizave për aplikuesit nga Kosova ndryshon sipas zonës “Schengen”, përderisa numri i qytetarëve të Kosovës të cilëve u është refuzuar hyrja në BE është dyfishuar së fundi.

Numri i qytetarëve që qëndrojnë në mënyrë ilegale ose të cilët kërkojnë azil në BE ka rënë, dhe numri i aplikacioneve në pritje për riatdhesim duhet të zvogëlohet, vlerëson KE.
XS
SM
MD
LG