Ndërlidhjet

Thaçi: Po përmbyllim konfliktin me Serbinë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kosova dhe Serbia do t’i japin fund konfliktit shumë shpejt.

Paralajmërimin e dha vetë kryeministri i Republikës Hashim Thaci në prag të përvjetorit të pestë të mvetësimit të vendit.

Sipas tij, procesi i dialogut po sjell rezultate të cilat e bënë atë
që të nxjerr një konkluzion të tillë.

“Në këtë 5 vjetor jemi në një proces pozitiv, atë të përmbylljes së konfliktit njëshekullor mes Kosovës dhe Serbisë, pra në një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, Kosovë-Serbi,” tha Thaçi të enjten paradite.

Nën moderimin e Brukselit, Prishtina dhe Beogradi kanë hyrë në bisedime të cilat kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve, pa paragjykuar statusin e Kosovës.

Mirëpo në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Thaçi tha se njohja e pavarësisë megjithatë është rezultati përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi, të cilin e pret Prishtina zyrtare.

“Një proces ky që duam të besojmë se nën udhëheqjen e BE-së, dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, do të përmbyllet me njohje reciproke,” tha ai.

Shefi i qeverisë së Kosovës pritet të takohet gjatë javës së ardhshme, më 19 shkurt me homologun e tij serb Ivica Daçiq në Bruksel.

Në agjendë, sipas kryeministrit serb, është zgjidhja e çështjes së institucioneve që ka Serbia në pjesën veriore të Kosovës.

Këto struktura shihen nga Prishtina zyrtare si ilegale, dhe nuk njihet autoriteti i tyre.
XS
SM
MD
LG