E enjte, dhjetor 18, 2014 Kosova 17:19

Lajmet

Thaçi nis vizitën në Bruksel me takimin me Reekerin

Foto ArkivFoto Arkiv
x
Foto Arkiv
Foto Arkiv
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të takohet me zyrtarë të lartë evropianë dhe nga SHBA-ja.

Udhëtimi bëhet një ditë para fillimit të raundit të pestë të bisedimeve ndërmejt  Prishtinës dhe Beogradit.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me presidentin e Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso, si dhe me përfaqësuesen e BE-së për Politikë të Jashtme, baroneshën Catherine Ashton, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga zyra e kryeministrit të Kosovës.

Me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, nesër do të zhvillohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ndërsa sonte, kryeministri Thaçi do të takohet në një darkë pune me zëvendësndihmëssekretarin Amerikan të Shtetit për Evropën Qendrore dhe Jugore, Philip Reeker.

Sipas kësaj komunikate, thuhet se në takimet me zyrtarët e lartë të BE-së dhe SHBA-së, kryeministri Thaçi do t'i prezantojë të arriturat e Kosovës në këto pesë vjet pavarësi, si dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për integrimet evropiane.