E martë, korrik 29, 2014 Kosova 02:33

Lajmet

30 të vrarë në Alepo - nga ta 14 fëmijë

AlepoAlepo
x
Alepo
Alepo
Aktivistët sirianë thonë se mbi 30 persona kanë humbur jetën nga goditja e një rakete në një kompleks banimi, në qytetin verior të Alepos.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë se 14 fëmijë dhe pesë gra janë në mesin e të vrarëve.

Konfirmime të pavarura të numrit të viktimave nuk ka qenë e mundur të sigurohen.

Pamjet televizive kanë treguar shkatërrime të mëdha në lagjen Jabal Badro të Alepos.

Në Damask, ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve SANA ka raportuar për shpërthimin e dy mortajave në afërsi të njërit prej pallateve të presidentit Bashar al-Assad.

Nuk është njoftuar për viktima dhe mbetet e paqartë nëse Assadi ka qenë në pallat.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë Armata e Lirë Siriane.

Konflikti ndërmjet kryengritësve rebelë dhe forcave qeveritare në Siri ka nisur në mars të vitit 2011. Kombet e Bashkuara thonë se afro 70,000 njerëz kanë humbur jetën në gati dy vjet trazira.