Kremlini ka njoftuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohet me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, gjatë një tubimi në Minsk të Bjellorusisë më 26 gusht.
Presidenca ruse ka njoftuar sot në faqen e saj në Internet, se pos me Poroshenkon, zoti Putin do të takohet edhe me zyrtarë nga Komisioni Evropian dhe Unioni Doganor Euroazi, që përbëhet nga Rusia, Kazakistani dhe Bjellorusia.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e ka konfirmuar lajmin dhe ka theksuar se “stabilizimi i situatës” në pjesën lindore të Ukrainës, do të jetë çështje kryesore e diskutimeve.
Putin dhe Poroshenko nuk janë takuar prej fillimit të muajit qershor.
Njëherësh, Ukraina ka njoftuar se forcat e saj qeveritare sot po luftojnë kundër separatistëve prorusë në Donjeck dhe Luhansk, që janë dy qytetet kryesore nën kontrollin e kryengritësve në pjesën lindore të Ukrainës.
Deri tash, në luftimet ndërmjet separatistëve prorusë dhe forcave qeveritare të Ukrainës, në pjesën lindore të këtij vendi, janë vrarë më se 2 mijë vetë.