Zyrtarët pakistanezë thonë se së paku njëzet persona janë vrarë dhe më shumë se dyzet të tjerë janë plagosur, si rezultat i një shpërthimi në një xhami shiite në provincën jugore Sindh.
Sulmi ka ngjarë në kohën e lutjeve të së premtes, në zonën Lakhi Dar të qytetit Shikarpur, që gjendet rreth 470 kilometra nga Karachi.
Zyrtari mjekësor në spitalin civil, Shaukat Ali, e ka konfirmuar numrin prej njëzet të vdekurve dhe dyzet të plagosurve, të cilët pas sulmit janë dërguar në spital.
Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Qyteti port Karachi, i cili është qyteti më i madh i Pakistanit, karakterizohet me vrasje kriminale, etnike, politike dhe sektare, të cilat sulme ua kanë marrë jetën qindra njerëzve.