Ndërlidhjet

Raportohet se 40 imigrantë janë mbytur në Mesdhe


Pamje nga shpëtimi i një anijeje me imigrantë ilegalë në det
Pamje nga shpëtimi i një anijeje me imigrantë ilegalë në det

Grupi humanitar Save the Children thotë se afro 40 imigrantë kanë humbur jetën në Mesdhe, më 3 maj, sipas raporteve të të mbijetuarve, që kanë arritur sot në ishullin jugor italian, Sicili.

Zëdhënësja e Degës lokale të këtij grupi, Giovanna di Benedetto, tha se imigrantët afrikanë raportuan për të vdekurit, me të arritur në portin Katanja.

Një anije komerciale e Maltës e kishte shpëtuar grupin prej 240 imigrantëve nga gomonet, të cilat ishin nisur nga Libia.

Sipas raporteve të të mbijetuarve, disa prej imigrantëve kishin rënë nga njëra anije dhe ishin fundosur pasi nuk kishin mundur të notonin.

Numri i atyre që po e rrezikojnë jetën në lundrimet prej pjesës veriore të Afrikës, në anije të pasigurta, është rritur dukshëm javëve të fundit.

Deri në 900 vetë mendohet se janë mbytur muajin e kaluar. Kjo vlerësohet se është fatkeqësia më e keqe e fundosjes së anijes në Mesdhe për një kohë të gjatë.

Afro 7 mijë imigrantë ishin shpëtuar nga anijet e tejngarkuara më 4 maj.

XS
SM
MD
LG