Ndërlidhjet

Familjarët e aktivistit rus dyshojnë se ai është helmuar


Aktivisti rus Vladimir Kara-Murza Jr.
Aktivisti rus Vladimir Kara-Murza Jr.

Gruaja e aktivistit opozitar rus, Vladimir Kara-Murza Jr, i cili u sëmur në mënyrë misterioze gjatë kësaj jave në Moskë, ka kërkuar që ai të dërgohet në Evropë apo Izrael, për të kryer teste të toksikologjisë, duke thënë se gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar.

Vladimir Kara-Murza Jr, ish-aleat politik i liderit të ndjerë opozitar rus, Boris Nemstov, humbi vetëdijen më 26 maj dhe u dërgua në spitalin e Moskës. Gruaja e tij thotë se ai u dërgua në spital me “simptoma të helmimit”.

“Që nga ajo ditë gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar. Ai vazhdon të jetë pa vetëdije”, thuhet në emailin që gruaja e tij, Yevgenia, ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë dhe mediave të tjera.

Ajo thotë se burri i saj ka bërë hemodializë për shkak të dështimit të veshkave, por që “nuk ka pasur asnjë efekt”. Ajo ka kërkuar që Kara-Murza të evakuohet me avion nga Rusia “në ndonjë qendër mjekësore në Evropë dhe Izrael ku shërimi për helmim mund të bëhet”.

Por, Aleksei Svet, kryemjek në Spitalin Pirogov të Moskës, ku është i shtrirë Kara-Murza, i ka thënë sot agjencisë Interfax, se transportimi i tij nuk është i mundur.

“Ne jemi përgjegjës për pacientin tonë. Ai nuk mund të transportohet në një qendër tjetër mjekësore”, ka thënë Svet.

XS
SM
MD
LG