Ndërlidhjet

Ish-kryeministri i Kroacisë del nga burgu


Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader.
Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader.

Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, është liruar të mërkurën nga burgu në Zagreb.

“Politika është për mua çështje e kryer. Do të përqendrohem 100 përqind në procedurat e mëtejshme gjyqësore”, ka thënë Sanader për gazetarët.

Procedurat gjyqësore kundër tij, Sanader i ka cilësuar si persekutim politik.

“Nuk jam i hidhëruar; thjesht, jam i pakënaqur me faktin se diçka e tillë mund të ndodhë në Kroaci”, ka thënë ai.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë në Kroaci ka përmbysur një dënim me nëntë vjet burg dhe ka urdhëruar rigjykim për Sanaderin, i cili është burgosur për përvetësim të miliona eurove nga fondet publike.

Verdikti është anuluar për shkak të “shkeljeve të procedurës penale, sidomos të së drejtës për gjykim të drejtë”, ka thënë atëbotë zëdhënësi i gjykatës, Kreshimir Devçiq.

Sanader është liruar me kusht prej më se 1 milion eurosh.

Ivo Sanader është akuzuar edhe për marrje të ryshfetit nga kompania hungareze e naftës, MOL, në këmbim të lejimit të kësaj firme që të ketë pozitë dominuese në tregun kroat.

Sanader ka kaluar 3 vjet e nëntë muaj prapa hekurave.

XS
SM
MD
LG