Ndërlidhjet

Kerry: SHBA e falënderon Shqipërinë për kontribut në siguri


John Kerry
John Kerry

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, e ka uruar Shqipërinë me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë.

“Në emër të presidentit, Barack Obama, dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, uroj popullin e Shqipërisë, derisa ju e fesoni 103 vjetorin e Ditës së Pavarësisë, më 28 Nëntor”, thuhet në deklaratën për shtyp të zotit Kerry.

Mëtutje, theksohet se “prej mbështetjes së presidentit, Woodrow Wilson, për pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën Paqësore të Parisit në vitin 1919, të dy vendet tona kanë punuar së bashku në mënyrë produktive për ta forcuar miqësinë e qëndrueshme, të bazuar në vlerat e përbashkëta dhe respektin reciprok”.

Në deklaratën e tij, zyrtari i lartë amerikan, thekson se “si anëtare e NATO-s dhe mentore e vendeve të Ballkanit, që synojnë anëtarësim, Shqipëria luan rol vital në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në gjithë botën” dhe shton se “Shtetet e Bashkuara e falënderon shumë kontributin e Shqipërisë në sigurinë globale, nga Afganistani, Iraku dhe Ukraina, e deri në kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe Koalicionin Global për ballafaqim me ISIL-in”.

Në deklaratën e tij me rastin e 28 Nëntorit, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, shprehet se “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për mbështetje të Shqipërisë, derisa ajo ndërmerr reforma të domosdoshme për arritjen e aspiratave të saj evro-atlantike” dhe i “lavdëron përpjekjet” e Tiranës për “pranim në Bashkimin Evropian dhe shpreson për vazhdim të progresit në rrugën drejt integrimit të plotë evro-atlantik”.

“Derisa ju festoni me familje dhe miq, Shtetet e Bashkuara uron festime të gëzuara”, ka theksuar zoti Kerry, ndërsa në fund të deklaratës së tij e shfaq shpresën “për vazhdim të partneritetit tonë të ngushtë për progres, prosperitet dhe paqe në vitet që vijnë”.

XS
SM
MD
LG