E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 10:40

Aktuale

Nikolliq-Daçiq: Polemika për platformën

Ivica Daçiq dhe Tomisllav Nikolliq
Ivica Daçiq dhe Tomisllav Nikolliq
Në Serbi ka shkaktuar polemikë të madhe platforma për Kosovën, e hartuar në kabinetin e presidentit Tomisllav Nikolliq. Dhe, polemika nuk ka të bëjë me relacionin qeveri-opozitë, por qeveri-presidencë.

Edhe pse është paralajmëruar si dokument i përbashkët, platforma ka zbuluar se kabineti i presidentit udhëhiqet nga dëshirat, ndërsa ai i kryeministrit nga mundësitë.

Surprizë të pakëndshme në qeveri kanë shkaktuar dy qëndrime, me të cilat vihet në pikëpyetje pjesëmarrja e deritashme e Beogradit në bisedimet e nivelit të lartë me Prishtinën, nën ndërmjetësimin e Brukselit.

Qëndrimet kërkojnë që të ndërpriten bisedimet teknike dhe të niset nga teza se asgjë “nuk është e arritshme, derisa plotësisht nuk është e arritshme”.

Një gjë e tillë thuhet se mund të lëkundë gjithçka që është arritur deri më tash në bisedimet e kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Pika e diskutueshme e dokumentit për ndërprerjen e bisedimeve, megjithatë, thuhet se është ndryshuar. Këshilltari i Nikolliqit, Marko Gjuriq, pas kritikave publike të Daçiqit, ka deklaruar:

“Ajo pikë është riformuluar, nuk është hedhur poshtë. Është riformuluar duke u kërkuar negociatorëve që përfaqësojnë interesat e Serbisë, që marrëveshjet e arritura (me palën kosovare) të përkojnë me objektivat e platformës”.

Daçiq, pasi ka parë platformën, ka reaguar me zemërim, duke thënë se ka mësuar leksionet e vitit 2000 dhe se nuk do të detyrohet të kthehet në pozicionet e atëhershme.

“Mund të themi dhe do ta kthejmë Kosovën në përgjegjësitë tona kushtetuese. Vetëm, si? Mos të më detyrojnë ata që kanë shkatërruar Millosheviqin që të kthehem në politikën e vjetër”, ka thënë Daçiq, duke mos qartësuar se kujt i drejtohet.

Një lajm i mirë!

Analistja serbe, Aleksandra Joksimoviq, thotë se është lajm i mirë riformulimi i qëndrimit për ndërprerjen e bisedimeve, pasi, siç shprehet ajo, “pa vazhdim të dialogut, Serbia nuk mund të presë përparim”.

Në anën tjetër, ish-ambasadori serb, Ognjen Pribiqeviq, thotë se e gjithë kjo tregon për pozicionin e vështirë të autoriteteve serbe, të cilat nuk mund të pranojnë publikisht humbjen e Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, duhet të vazhdojnë dialogun për të avancuar në procesin e integrimeve.

“Nuk ka divergjenca të konsiderueshme, aq më pak në relacionin ndërmjet presidentit Nikolliq dhe kryeministrit Daçiq”, thotë Pribiqeviq.

Sipas analistëve në Beograd, është inkurajues fakti që Qeveria e Serbisë këmbëngul në pozicionin pro bisedimeve. Sipas tyre, kjo do të thotë se ajo nuk ka hequr dorë nga gatishmëria që ka shprehur për kompromis.

Po, sido që të jetë, autoritetet serbe kanë marrë kritika të ashpra nga analistët ndërkombëtarë, në lidhje me platformën, e cila, pos tjerash, parasheh autonomi për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ata kanë thënë se një qëndrim i tillë nuk përkon me gjendjen reale në terren. Platforma është kundërshtuar fuqishëm edhe nga autoritetet në Prishtinë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar, deri më tash, është përmbajtur nga deklaratat. (v.t.)
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Xhevdeti Prej : Prizren
31.12.2012 02:18
Serbija e bene luften dinake sa i perket Kosoves,por politikanet tane edhe me tej besoine duke menduar se serbet jane te sinqerteSerbija ne syte e nderkombetareve i pranoine marreveshtjet por ne teren veproin me te vjetra duke filluar nga barikadat,protestat dhe me e keqja debimine shqiptareve.Nga keto pervoja kjo Qeveri edhe me tej i mbetet besnik BN duke menduar se problemet do te na i zgjedhin te tjeret,pa u lodhur me energjit e veta per te miren e Kosovs.