E premte, korrik 25, 2014 Kosova 22:34

Bota

Obama dhe rusët: Ftohje apo rivendosje raportesh?

Vladimir Putin dhe Barack Obama
Vladimir Putin dhe Barack Obama
Mandati i dytë nuk do të thotë domosdoshmërish përsëritje e atij të parit.

Sipas të gjitha llogarive Kremlini po shpresonte në fitoren e presidentit amerikan Barack Obama. Rivali i tij, ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney, pat deklaruar gjatë fushatës se Rusia është “armiku kryesor gjeopolitik” i Shteteve të Bashkuara.

Për dallim nga Romney, Obama për Putinin duket më i njohur, më i parashikueshëm dhe më pak i dashuruar në atë që njihet si veçantia amerikane në botë.

Charles Grant është drejtor i Qendrës për Reformat Evropiane në Londër:

Kohët e fundit isha në Moskë dhe kam folur me njerëz të ndryshëm në qeveri dhe jashtë saj, të cilët punojnë në botën e politikës së jashtme dhe ata shpresonin në fitoren e Obamës, sepse nga pikëpamja e tyre ai është djalli që ata e njohin. Ata nuk e duan shumë Obamën, ata kanë shumë probleme me të në fusha të caktuara, si në planet e tij për mbrojtjen raketore, por ata e dinë qëndrimin e tij, sikur më tha një anëtar i Dumës ruse, ai e kupton se ne po jetojmë në një botë multipolare”, u shpreh Grant.

Tash Kremlinit iu plotësua dëshira, por kjo nuk do të thotë kthim në marrëdhëniet relativisht të ngrohta siç ishin të ashtuquajturat “rivendosje raportesh” të vitit 2009 e 2010.

Rivendosjes, që u disenjua nga Obama me presidentin Dmitry Medvedev, me të vërtetë i ka ardhur fundi. Që kur Putin u bë president për herë të tretë, ai lloj i afrimit të ngushtë midis Uashingtonit dhe Moskës është avulluar. Andaj unë mendoj se do të ketë ftohtësi më të madhe, sesa para fitores së Obamës”, shprehet Grant.

Gjatë rivendosjes së shkurtër, Uashingtoni dhe Moska arritën të nënshkruajnë traktatin historik START, u pajtuan për katër raunde sanksionesh ndërkombëtare ndaj Iranit dhe në përgjithësi reduktuan tensionet dypalëshe, që  u rritën në fund të presidencës së George W. Bushit.

Tani, megjithatë, çështje edhe më të vështira mbeten në tryezë - Afganistani pas tërheqjes së NATO-s në vitin 2014, Irani, planet e mburojës raketore, Siria.

Anders Aslund është një analist në Institutin Petersen mbi Ekonomitë Ndërkombëtare në Uashington.

Fruti i varur poshtë, tashmë është këputur, kështu që bashkëpunimi do të jetë më pak substancial së më parë. Dhe dyshimet ruse, të Putinit për mbrojtjen raketore do të jenë mjaft të forta”, tha Aslund.

Edhe pse marrëdhëniet me Rusinë nuk janë në krye të agjendës së administratës së re të Obamës, Andrew Kuchins, drejtor i programit për Rusi dhe Euroazi në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, parashikon një rivlerësim të politikave të kaluara dhe një plan të ri për raportet bilaterale.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë kanë kaluar nëpër një periudhë të vështirë dhe mendoj se edhe për një kohë do të jenë goxha të vështira. Mendoj se administrata e presidentit Obama do të kryejë një rishikim të politikave të saj ndaj Rusisë dhe rrugën se kah po shkojnë, duke marrë parasysh një numër të zhvillimeve të ndryshme në vitin e kaluar, por edhe në dy vjetët e kaluara. Duhet t’i presim kur të dalin me këto plane”, tha Kuchins.

Ndër zhvillimet që mund ta motivojnë këtë rishqyrtim, Kuchins përmend dallimet mbi mbrojtjen raketore; reagimin e Rusisë ndaj Pranverës Arabe e sidomos ndaj ngjarjeve në Siri; dhe zgjedhjet legjislative dhe presidenciale në Rusi në vitin 2011 dhe 2012 që ishin vlerësuar nga Perëndimi si jodemokratike.

Gurthemeli i rivendosjes- bashkëpunimi në vendosjen e sigurisë në Afganistan - ka të ngjarë të vazhdojë. Por, derisa pritet tërheqja e forcave luftarake të NATO-s deri në fund të vitit 2014, tensionet mund të shfaqen edhe në këtë fushë thotë Kuchins.

Rusët do të jenë mbështetës, për pjesën më të madhe, të përpjekjeve tona në Afganistan, por ata - si shumë njerëz në mbarë botën dhe shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara - kanë pyetjet e tyre në lidhje me atë se cila është strategjia e SHBA-së në Afganistan pas vitit 2014 dhe çfarë lloj vendosje e ushtrisë amerikane dhe forcave të sigurisë do të mbetet në rajon - brenda dhe jashtë Afganistanit. Dhe kjo, natyrisht se është një zonë ku mund të ketë mosmarrëveshje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, thotë Kuchins.

Moska ka kundërshtuar edhe sanksionet tjera ekonomike kundër Iranit lidhur me programin e tij kundërthënës bërthamor, një çështje tjetër kjo që ka të ngjarë të komplikojë marrëdhëniet me Uashingtonin në muajt e ardhshëm.

Analisti Grant vëren se marrëdhëniet amerikano-ruse më shumë përcaktohen nga ajo se kush gjendet në Kremlin dhe në Shtëpinë e Bardhë dhe se Putin është shndërruar në një fytyrë enigmatike për Shtetet e Bashkuara në muajt e fundit.

Ekziston një lloj kontradikte në qëndrimin e Putinit ndaj Amerikës. Nga njëra anë, kur ai u takua me Obamën në samitin G20 në Meksikë, më është thënë se ai ishte shumë konstruktiv dhe ka thënë se dëshiron të punojë me Obamën. Dhe në takimet që i kam pasur me udhëheqësit rusë në kohët e fundit, ata kanë qenë të qetë dhe të matur ndaj Shteteve të Bashkuara dhe nuk kanë përdorur retorikë agresive. Nga ana tjetër, keni retorikën publike nga mediat ruse, e cila është shumë anti-amerikane. Televizioni rus i portertizon lajmet mbi SHBA-të në një aspekt shumë negativ pothuajse gjatë gjithë kohës”, tha Grant

Kuchins pajtohet:

Obama është mjaft pragmatik në këtë drejtim. Ai do të angazhohet me partnerët ndërkombëtarë për të cilët beson se mund të ketë sukses dhe të arrijë disa marrëveshje me ta. Ai ishte në gjendje ta bëjë këtë me Dmitri Medvedevin në Rusi disa vjet më parë. Perspektivat për ta bërë një gjë të tillë edhe me Vladimir Putinin, duken më të vështira”, tha Kuchins. (a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum