Ndërlidhjet

Reforma zgjedhore në Kosovë, e bllokuar


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Nëse nuk do të ketë një reformë të mirëfilltë dhe të përfunduar me kohë, Kosova nuk do mund të garantojë proces zgjedhor të lirë, të drejtë dhe të barabartë.

Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Udhëheqësi i Demokracisë në Veprim, Ismet Kryeziu ka deklaruar se fillimi i procesit të reformës u përcoll me marrëveshje politike dhe rezolutën e dalë nga Kuvendi, por sipas tij, gati pas dy vite, kundërshtimet e shefave të partive politike për çështjet kryesore dhe paaftësia e tyre e kanë vendosur reformën zgjedhore në udhëkryq.

“Përderisa Komisioni për reformë zgjedhore dhe grupi punues ka kohë të gjatë që nuk ekziston dhe nuk vepron për reformën zgjedhore kemi takime të shefave të partive politike nëpër restorante të Prishtinës me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar. Pra edhe këto veprime janë një indikator që kasta ose klasa politike e Kosovës nuk arrin të ketë pajtueshmëri për qëndrimet e veta madhore pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar në ketë proces”, tha Kryeziu.

Kryeziu ka vlerësuar se fakti që viti 2013 është vit zgjedhor, e përcakton nevojën urgjente që të përmbyllet reforma zgjedhore në afate kohore më të shpejta.

Sipas tij, nëse me kohë nuk përfundojnë reformat, në zgjedhjet e ardhshme mund të rritet trendit i rënies së pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset zgjedhore.

Vonesat në reformën zgjedhore nuk duhet të përdoren si mekanizëm dhe mundësi që të ndikohet në shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Kjo për arsye se mendojmë se Kosova duket të demontojnë pjekurin e saj politike që kalimi i pushteteve të behet në afate e përcaktuar me mandate. Nëse nuk e bëjmë reformën me kohë atëherë jemi në momentin kur do të hyjmë në zgjedhje pa reformë”, është shprehur Kryeziu.

Haki Demolli i cili ka drejtuar Komisionin për reforma zgjedhore, tha për Radion Evropa e Lirë se zgjidhja e çështjes së reformave zgjedhore, do të mund të ndodhte me anë të marrëveshjeve të liderëve politikë.

Ai shprehet optimist në ketë drejtim, pasi që, siç tha ai, deri më tash ka pasur disa takime.

Kam informatë se janë mbajtur dy takime të këtij niveli që do të thotë se ka një zhvillim. Mirëpo, duke pas parasysh se në të njëjtën kohë janë duke u zhvilluar edhe ngjarje të tjera politike. Mendoj se së shpejti do të ketë zhvillime në këtë drejtim, me çka do të shkohet ma tutje në drejtim të punimit të draft-ligjit dhe dorëzimin e tij në kuvend për aprovim”, tha Demolli.

Demokracia në Veprim, konsideron se disa të arritura që janë bërë në reformat e mëhershme zgjedhore, si hapja e listave zgjedhore, nuk duhet të kthehen në tavolinë të diskutimit për mbyllje.

Po ashtu, ata kanë kërkuar qe diskutimet për reformë zgjedhore duhet të kthehen nga restorantet në Komisionin për reformë zgjedhore dhe në Kuvendin e Kosovës.

Sipas këtyre organizatave listat e hapura, 26 zonat zgjedhore, pragu zgjedhor prej 3% (për partitë politike), 5% për koalicionet, pastrimi i listave zgjedhore, etj, janë mekanizma që prodhojnë konkurrencë ndërmjet kandidatëve, subjekteve politike, rrisin përgjegjësinë dhe llogaridhënien ndërmjet të zgjedhurve dhe qytetarëve, si dhe mundësojnë parlament përfaqësues.

Në vitin 2011 ishte arritur një marrëveshje, ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, e cila më pas ishte fuqizuar edhe me miratimin e një rezolute nga Kuvendi. Marrëveshja parashihte përveç tjerash reformave kushtetuese e zgjedhore.
XS
SM
MD
LG