Ndërlidhjet

Kush po i “mashtron” serbët e veriut?


Kufiri Kosovë - Serbi...
Kufiri Kosovë - Serbi...
Zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ka filluar më 10 dhjetor, por jo sipas garancive, të cilat Qeveria e Serbisë u ka dhënë serbëve të veriut, vlerësojnë liderët serbë nga veriu i Kosovës.

Sipas tyre, pavarësisht garancive nga Qeveria serbe, që mallrat e dedikuara për serbët e veriut, të cilat hyjnë në Kosovë nga Serbia, nuk do të doganohen, kjo po ndodh në vendkalimin kufitar në Jarinë.

Kjo situatë, siç thonë ata, ka ngritur dilemat te serbët e veriut, nëse ata janë mashtruar nga Qeveria e Serbisë lidhur me garancitë që u ka dhënë, apo EULEX-i dhe institucionet kosovare po i bishtnojnë pajtimit për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, ashtu siç serbëve të veriut ua ka prezantuar Qeveria e Serbisë.

Politikani serb nga veriu i vendit, Marko Jakshiq, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike Serbe, shpreh dyshimet e tij, se Qeveria e Serbisë në këtë rast nuk po i mashtron serbët e veriut, por Brukselin dhe Prishtinën.

Sipas tij, Qeveria e Serbisë u ka ofruar garanci të shkruara në letër serbëve të veriut, dhe garancitë e tilla janë dhënë në formë legale dhe para opinionit.

“Unë mendoj se në këtë rast, Qeveria e Serbisë nuk mund t’i mashtrojë shumë serbët, duke pasur parasysh se ajo e sjell vendimin e saj në mënyrë legale, në mbledhjen e saj. Unë mendoj se në këtë rast ajo po e mashtron Brukselin dhe Prishtinën”, thotë Jakshiq.

Millan Ivanoviq
Millan Ivanoviq
Por, ndryshe mendon lideri tjetër serb nga veriu, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb. Ai nuk beson që Beogradi po i mashtron serbët e veriut, por, sipas tij, këtë po e bën EULEX-i.

Për të sqaruar këtë situatë, sipas tij, së shpejti serbët e veriut të Kosovës do të takohen me zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.

“Para së gjithash, ne dyshojmë në EULEX-in, për shkak se ai nuk është sjellë në mënyrë neutrale ndaj statusit në periudhën e kaluar. Për këtë arsye ne dëshirojmë që të sigurohemi se çfarë marrëveshje është arritur saktësisht dhe pse ajo që na është garantuar neve, nuk po zbatohet”, thekson Ivanoviq.

Por, Jakshiq vlerëson se serbët e veriut nuk kanë asnjë arsye që të kërkojnë sqarime të caktuara nga EULEX-i apo institucionet e Kosovës dhe të konfrontohen me to. Sipas tij, serbët e veriut duhet të kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria e Serbisë.

Marko Jakshiq
Marko Jakshiq
“Ne e kemi letrën me garanci nga Qeveria e Serbisë. Ne nuk e kemi ndonjë letër nga Brukseli apo nga Prishtina dhe serbët e Kosovës nuk kanë pasur bisedime me ta. Serbët nuk kanë punë me Prishtinën, e as me Brukselin. Thjesht, serbët do të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë që t’i përmbushë premtimet e saj”, shprehet Jakshiq.

Ai, megjithatë, paralajmëron mundësinë e radikalizmit të situatës, për shkak të pakënaqësive të serbëve. Sipas tij, disa afaristë serbë tashmë kanë paralajmëruar se më 17 dhjetor do të protestojnë në Jarinë për dy orë dhe kjo protestë mund të zhvillohet edhe në ditët e ardhshme dhe për kohë më të gjatë.

Ngjashëm paralajmëron edhe Ivanoviq, por ai thekson se paraprakisht do të kërkojnë sqarime nga Qeveria serbe.

“Në ditët e ardhshme, pas bisedimeve me kreun e shtetit serb, gjithsesi se do të vendosim se çfarë do të bëjmë më tutje, në përputhje me qëndrimet tona më të hershme”, deklaron Ivanoviq.

Ndryshe, marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve është parë si mundësi e mirë për luftimin e kontrabandës dhe fenomeneve të tjera negative që kanë ndodhur në kufirin ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, kryeministri serb, Ivica Daçiq në bisedimet me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton në Bruksel, së fundmi ka kërkuar që deri në raundin e ri të dialogut në mes të Serbisë dhe Kosovës, më 10 janar të vitit të ardhshëm, të mos paguhen doganat, si dhe të mos pengohet qarkullimi i mallrave që shkojnë në veri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG