E enjte, shtator 18, 2014 Kosova 11:40

Bota

Shpërthim në një autobus në Tel Aviv

Shpërthim në Tel Avivi
X
21.11.2012
Një bombë ka shpërthyer në qendër të Tel Avivit duke plagosur 10 persona në atë që zyrtarët e quajtnë akt terrorist, i cili mund të komplikojë përpjekjet e arritjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Shpërthim në Tel Aviv

RFE /RL
Një bombë ka shpërthyer në qendër të Tel Avivit duke plagosur mbi 10 persona në atë që zyrtarët e quajtën akt terrorist, i cili mund të komplikojë përpjekjet e arritjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Shpërthimi ka thyer dritaret e autobusit, i cili po udhëtonte në një rrugë me tri korsi në drejtim të kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes, njofton agjencia e lajmeve, Reuters.

Tre persona raportohet se janë në gjende të rëndë shëndetësore.

Ky ishte një sulm terrorist”, ka thënë Ofir Gendelman, një zëdhënës i kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Zëdhënësi i Policisë së Izraelit Micky Rosenfeld tha se janë rritur masat e sigurisë.

Policia izraelite ka rritur sigurinë pas shpërthimit të autobusit në Tel Aviv. Nga ajo sa duket, ajo që ka ndodhur këtu është se të paktën një pako, apo një sulmues potencial vetëvrasës ka vendosur bombën dhe ka ikur. Hetimet janë duke vazhduar dhe po shqyrtojmë një numër të ndryshëm postash”, tha Rosenfeld.

Shtëpia e Bardhë ka dënuar shpërthimin dhe tha se do ta ndihmojë Izraelin që t’iI zë sulmuesit.

Shpërthimi në Izrael, erdhi, derisa sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton arriti në Kajro për bisedime me presidentin egjiptian Mohamed Morsi.

Ajo pritet të takojë menjëherë homologun e saj Mohammed Kamel Amr dhe presidentin Mohamed Morsi, i cili po luan një rol qenësor në ndërmjetësimin e marrëveshjes së armëpushimit në mes të Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Vizita e Clintonit vjen në mes të aktiviteteve të dendura diplomatike, që kanë për qëllim përfundimin e konfliktit, që vetëm për një javë ka vrarë më shumë se 130 persona.

Ajo ka arritur nga Izraeli, ku ka zhvilluar bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyahu, derisa ka udhëtuar gjithashtu edhe në Ramallah të Bregut Perëndimor, për t’u takuar me liderin palestinez, Mahmud Abbas.

Gjatë qëndrimit në Izrael, Clinton tha se është shumë e rëndësishme që të “qetësohet” konflikti.

Clinton tha se ajo ka arritur në Jerusalem me një mesazh të qartë nga presidenti Obama; për të dhënë një mbështetje të fortë dhe të patundur për të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten.

Duke bërë thirrje për ndalje të sulmeve me raketë në Izrael, Clinton tha se ajo do të punojë me të gjitha palët në rajon, përfshirë presidentin e Egjiptit, Mohamad Morsi, drejt sigurimit të një armëpushimi të qëndrueshëm.

Gjatë ditëve në vijim, SHBA do të punojnë me partnerët e vet këtu në Izrael dhe përreth rajonit, drejt një rezultati që e rritë sigurinë e njerëzve në Izrael, drejt përmirësimit të kushteve për njerëzit në Gaza dhe lëvizjes përpara drejt arritjes së paqes për të gjithë njerëzit e rajonit”, ka thënë Clinton.

Pas takimit me Clintonin, edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se e përkrah një zgjidhje diplomatike, por shtoi se Izraeli do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta mbrojtur veten.

Nëse ekziston një mundësi e arritjes së një zgjidhjeje afatgjatë për këtë problem me mjete diplomatike, ne e preferojmë një gjë të tillë. Por nëse jo, unë jam i sigurt se ju e kuptoni që Izraeli do të ndërmarrë hapa të nevojshëm për ta mbrojtur veten”, ka thënë Netanyahu.

Shpresa për arritjen e një armëpushimi u pengua pasi Hamasi tha se marrëveshja e propozuar dhe e ndërmjetësuar nga Egjipti, e cila shpresohej se do të arrihej natën e së martës, është shtyrë për shkak se Izraeli nuk ka dhënë përgjigje ndaj propozimeve.

Ndërkohë, përderisa vazhdonin bisedimet, dhuna nuk ndalej.

Dy gazetarë që punonin për televizionin e Hamasit, Al-Aqsa, u vranë në veturën e tyre, gjatë një sulmi ajror nga Izraeli. Sipas zyrtarëve izraelitë, gazetarët e Hamasit kishin qenë të përfshirë në aktivitete ushtarake.

Shifra e palestinezëve të vrarë deri më tani ka arritur në më shumë se 130, përfshirë të paktën 54 civilë.

Më shumë se 800 njerëz në Gaza janë lënduar, përfshirë 220 fëmijë, njoftojnë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Shifra e personave të vdekur në Izrael është rritur në 5, pasi një ushtar dhe një civil, i cili kryente punë kontraktuese për ushtrinë, u vranë të martën.

Analistët thonë se këto shifra do të mund të ishin më të larta po të mos ekzistonte sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit, i cili i ka ndalur shumicën e sulmeve.(a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum