Ndërlidhjet

Mungesa e lirisë së lëvizjes në veri, dëmton dialogun Kosovë-Serbi


Ushtar i KFOR-it duke vëzhguar një barrikadë të vendosur nga serbët në Zupç.(Foto nga arkivi)
Ushtar i KFOR-it duke vëzhguar një barrikadë të vendosur nga serbët në Zupç.(Foto nga arkivi)
Bllokimi i vazhdueshëm i lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës, po e bën të pakuptimtë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e rrezikon besueshmërinë e Bashkimit Evropian në këtë proces.

Kështu thuhet në Raportin me titull “Liria e lëvizjes në veriun e Kosovës: Sfidat në vendosjen e shtetit të së drejtës dhe qeverisjes efektive”, i cili është publikuar ditën e shtunë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Raporti potencon që në dy vitet e fundit nuk është shënuar aspak përparim sa i përket lirisë së lëvizjes në veri të vendit.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se pa u adresuar çështja e lirisë së lëvizjes në veriun e Kosovës, nuk mund të bëhen hapa të tjerë, sepse në të kundërtën, marrëveshjet që janë arritur dhe që pritet të arrihen në dialogun Kosovë - Serbi, do të mbesin të pazbatuara dhe Serbia do të vazhdojë që ta kontrollojë “status quo-në” në veri.

Korenica theksoi se raporti i publikuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, përmend një numër faktorësh që kanë ndikuar në mungesën e lirisë së lëvizjes në veriun e Kosovës.

“Faktori i parë është Qeveria e Kosovës, e cila nuk e ka kushtëzuar Bashkimin Evropian, por edhe Serbinë, me garantimin e lirisë së lëvizjes në veriun e Kosovës, si parakusht për të hyrë në dialog me Serbinë. Kjo ka sjell, në njërën anë, mundësinë që Bashkimi Evropian t’i ikë përgjegjësisë së saj për të garantuar lirinë e lëvizjes në veriun e Kosovës".

"Dhe, në anën tjetër, është shndërruar në mjet presioni për vetë Qeverinë e Kosovës, që të shkojë dhe të arrijë marrëveshje të tjera, duke mos i adresuar pikat substanciale, mbi të cilat do të mund të mendohej çështja e zgjidhjes së situatës së veriut. Pika bazike në këtë, është bllokimi i lirisë së veriut, që nuk është adresuar dhe nuk ka pasur asnjë rezultat pozitiv në këto dy vitet e fundit”, tha Korenica.

Sipas raportit, EULEX-i dhe Bashkimit Evropian kanë neglizhuar në mënyrë të vazhdueshme ushtrimin e mandatit të tyre për të garantuar lirinë bazike të lëvizjes në veriun e Kosovës.

Në raport, po ashtu, thuhet se KFOR-i, marrë parasysh kompetencat dhe strukturën e tij, ka lejuar që problemi i lirisë së lëvizjes të shndërrohet në problem politik, duke vepruar kështu në kundërshtim me mandatin e tij në Kosovë.

Gjithashtu, në raport theksohet se Beogradi ka luajtur rol të dyanshëm, në njërën anë duke e kontrolluar plotësisht “status quo-në”, në veriun e Kosovës, ndërsa në anën tjetër duke shfrytëzuar bllokimin e lirisë së lëvizjes në veriun e Kosovës për ta bërë veriun temë të diskutimit në dialogun Kosovë - Serbi.

Raporti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike identifikon sfidat për Kosovën që rezultojnë nga bllokimi i lirisë së lëvizjes në veriun e vendit. Korenica veçoi si një prej sfidave edhe “fondin e veçantë për veriun”:

“Qeveria e Kosovës, së fundmi, ka marrë një detyrim për të krijuar ‘fondin për veriun’ dhe raporti ynë tregon se është e paarsyeshme se si Kosova të marrë detyrim të ndërtojë një fond të veçantë për veriun e Kosovës, në kohën kur Kosova dhe Qeveria e Kosovës nuk ka qasje në veri të vendit, për aq kohë sa veriu i Kosovës mbetet i bllokuar plotësisht sa i përket lëvizjes së njerëzve, institucioneve dhe mallrave”.

Dren Doli, po ashtu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, theksoi se raporti nuk rekomandon ndërprerjen dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që gjatë këtij dialogu të mos përjashtohet sigurimi i lëvizjes së lirë në veri të vendit.

“Kërkesë e jona është që Qeveria e Kosovës nuk duhet të bëjë marrëveshje, të cilat i pamundësojnë ushtrimin efektiv të autoritetit të institucioneve të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare në veriun e Kosovës".

"Siç e shihni, marrëveshja mbi IBM-në, marrëveshja mbi doganat, marrëveshja mbi tabelat e regjistrimit dhe marrëveshja mbi ‘fondin e veriut’, janë praktikisht të pazbatueshme në veri. Kjo, fundja, po e humb edhe kuptimin që dialogu po merr. Nëse ne nuk arrijmë që policët tanë, institucionet tona, KFOR-i dhe EULEX-i, të lëvizin lirshëm në të gjitha rrugët e veriut, atëherë humb koncepti i dialogut ndërmjet shteteve”
, theksoi Doli.

Ndryshe, raporti i Grupi për Studime Juridike dhe Politike rekomandon një varg formash, përmes së cilave liria e lëvizjes në veri mund të sigurohet me angazhimin e Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

Raporti rekomandon që Qeveria e Kosovës ta vendosë në prioritet të agjendës së saj me BE-në dhe KFOR-in zbatimin e një plani që garanton lirinë e lëvizjes në veriun e Kosovës për të gjithë qytetarët, mallrat dhe institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG