Këndi tematik

 


Forum

Genc Prelvukaj përgjigjet në pyetjet tuaja

07.11.2008

Të nderuar lexues, mysafiri ynë i radhës në rubrikën "Intervista online" është këngëtari Genc Prelvukaj.

Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ai, pasi të jetë mbyllur forumi.

Genc PRELVUKAJ, i lindur më 16 korrik 1981, në Prishtinë. Anëtar i grupit “Etno Engjujt”. Grupi, në bashkëpunimet që ka pasur jashtë Kosovës dhe trevave të banuara me shqiptarë, njihet me emrin “Etnon”. Deri më tash ky grup ka nxjerrë 5 albume dhe tashmë është duke punuar edhe të gjashtin. Genc Prelvukaj ka themeluar dhe e udhëheq kompaninë “Gramafon Entertainment”. Ka realizuar një varg videoklipesh, sikurse: “E shtunë” , “Metropolet” , “Albanian” , “Nanny” , “All night” dhe së fundi “Le për mu mama”. Kënga më e popullarizuar deri më tash mbetet “Albanian”, ndërkaq që ka pasur edhe këngë, të cilat kanë qenë të bllokuara medialisht, sikurse kënget “Jovo” dhe “E shtunë”. Genc Prelvukaj, së bashku me Milot Hasangjekajn, dyshe e cila e përbën grupin “Etno Engjujt”, ka pasur një varg pjesëmarrjesh në festivale, në Shqipëri dhe Kosovë, deri në vitin 2004. Pas këtij viti,  ky grup krijon për vete principin e mospjesëmarrjes në organizime të tilla. Ky grup ka qenë pjesëmarrës në disa koncerte me rëndësi të veçantë, si në koncertin e Rza – Wu Tang Clan – Tiranë dhe në dy koncerte të Coolio-s. Tekstet e këngëve i shkruajnë anëtarët e grupit dhe tematika e këngëve, deri më tash, ka lëvizur në qarkun që nga çështjet sociale e deri te ato ekonomike e politike. Disa këngë të këtij grupi kanë qenë të diskutuara edhe në mediat e vendeve fqinje.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
    E ardhshmja 
Faqja e komenteve (o) nga (1)
Nga : lena Prej : prishtine
04.12.2008 15:07
Genci pse tash nuk jeni menaxher i kengetares DAFINA ZEQIRI, a ben t'i dime arsyet? Pse tash nuk po bashkepunoni? Keni bere nje "bummm" te madh qe te dy...
Në përgjigje

Nga : Moderatori
04.12.2008 14:07
Më duhet fillimisht të korrigjoj diçka. Fjala menaxher është totalisht e papranueshme për ne në këtë rast, sepse detyrë e menaxherit është të aranzhojë mbrëmjet, eventualisht ndonjë rast tjetër medial. Në qoftë se kufizohet puna jonë vetëm në menaxhim në rastin e D.Zeqirit, atëherë ne në fakt nuk kemi bërë asgjë kreative si kompani, por vetëm shërbim teknik. E nëse mendohet kështu, atëherë ky mendim është jashtë çdo orbite të realitetit. Albumi i saj 90% është punuar në Gramafon, që kush e njeh menaxhmentin, atëherë e di mirë që detyrë e personit të caktuar si menaxher nuk është t’i bëjë këngët, por të ndërlidhë. Kemi investuar në të, kemi mbuluar të gjitha gjërat financiare, kemi bërë promovime, reklamacion, prezantime dhe deri te nxjerrja e albumit në shitje. Në fillim edhe e kemi menaxhuar, por kjo është vetëm 5% e asaj se çfarë është bërë në këtë projekt. Pra, me një fjalë – merreni edhe si definicion – Dafina Zeqiri dikur ishte pjesë e kompanisë (labelit) sonë. Tani po kthehem te pyetja se pse nuk bashkëpunojmë më. Dafina në rend të parë është këngëtare e madhe dhe kapacitetet e saj muzikore janë jashtëzakonisht të zhvilluara. Kemi pasur bashkëpunim të mirë, kemi realizuar një projekt që ka rezultuar të jetë shumë i suksesshëm. Është njeri i mirë dhe i uroj suksese në të ardhmen. Marrëveshjet në biznes nuk do të thotë që janë të përjetshme, kështu që edhe mund të skadojë afati i tyre. Ajo ka vendosur ta menaxhojë vetveten, të shkëputet nga Gramafon dhe është e drejtë e saj.

Nga : Shkumbin Prej : Prishtinë
03.12.2008 14:43
Tung Genci. Mendoj se jeni njeri nder kengetaret e mire te zhanrit qe e kultivoni. Nje gje qe tash po me pengon tek ju, jane krahasimet qe po dominojne ne tekstet tuaja. P.sh. ti je si ky, une jam si ai, kam - nuk kam pare si ai... etj etj.
Në përgjigje

Nga : Moderatori
03.12.2008 13:43
E mirëseardhur. Do ta marr patjetër parasysh dhe do të mundohem që ta përmirësoj. Faleminderit!

Nga : Jetmiri Prej : Zhur
30.11.2008 18:06
Kush mendon se eshte me i mirei ne Kosove sa i perket ketij zhanri te muzikes? A mendon se je me i miri dhe nese jo, kush eshte sipas teje?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
30.11.2008 17:06
Do ta marr një shembull nga box-i. Në qoftë se zhvillohet një meç ndërmjet dy boksierëve, në deklaratat para ndeshjes në pyetjen se cili është më i miri, të dy do të shprehen me “Unë“. Por, megjithatë, ringu e përcakton njërin. Këtu, në rastin tonë, “Ring“-u është publiku.

Nga : diki Prej : gjakov
29.11.2008 20:53
Përshëndetje i nderuar, je shumë i adhuruar nga shumica e njerëzve në Kosovë, simodos me këngën Albania. Mendoj se ke arritur suksesin më të madh në jetën tënde. Të dëshiroj shumë suksese në të ardhmen, punë të palodhshme.
Në përgjigje

Nga : Moderatori
29.11.2008 19:53
Faleminderit. Edhe unë mendoj se Albanian është ajo që do të na identifikojë si grup gjithmonë. Dua t’ju them një fakt në lidhje me këtë këngë. Shumë njerëz kanë dhënë komente se çka dhe cili personalitet është harruar të jetë në videoklip. Shumica kanë dhënë kritika se është harruar “ky apo ai“ personalitet - pjesë ende e politikës aktive. Ne e kemi përjashtuar që në fillim të këngës mundësinë që të ketë figura politike aktive, ose eventualisht të shuara, por që të bëmat e tyre janë të freskëta ende. Dhe kurrë nuk e mendoj se kemi gabuar këtu ndonjë gjë. Para disa ditësh, më ra t’i shoh në internet disa fragmente të xhiruara nga pajtimi i gjaqeve në kohën më të vështirë për Kosovën dhe aty kam thënë: “kemi bërë krim, e kemi harruar plakun e madh të shqiptarëve - Anton Çettën“. Por, shpresoj të kem mundësinë një ditë ta përmirësoj.

Nga : Sadati Prej : Opoj
29.11.2008 11:19
Përse nuk merrni pjesë nëpër festivale, qoftë në Kosovë apo edhe në Shqipëri - apo frikësoheni nga konkurrenca? Dhe a keni fituar ndonjë shpërblim ndonjëherë?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
29.11.2008 10:19
Ne kemi qenë rap grupi që më së shumti ka marrë pjesë në festivale dhe nuk ekziston një i tillë që nuk e kemi provuar – përjashto ndonjë të parëndësishëm; çmime kemi shumë edhe si grup, por edhe unë si autor i këngëve të interpretuara nga të tjerët. Gënjehet secili që mendon se kemi frikë nga konkurrenca. Dymbëdhjetë vjetët e kaluar kanë dëshmuar që ne nuk e kemi pasur atë problem kurrë dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nuk marrim pjesë në kompeticione të tilla sepse nuk dua të jem më pjesë e një interesi të dikujt, në qoftë se nuk është në rend të parë në interes timin. Këto evente janë të dobishme për grupet e reja dhe artistët e rinj. Për neve, më jo.

Nga : egzoni Prej : Prizren
28.11.2008 11:27
A mund te na tregoni me shume per jeten tuaj private si VIP?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
28.11.2008 10:27
Kohëve të fundit, unë nuk e di a më ka mbetur diçka private. Edhe ajo punë që e bëj privatisht (në studio), rezulton që pas një kohe të jetë publike. Megjithatë, po provoj. Jam prej atyre njerëzve që nuk ankohen shpesh. Nuk dal shumë, por edhe kur dal, i kam vendet e caktuara. Për çdo gjë që ndodh, mirë apo keq, nisem prej faktit që mund të ketë arsye dhe nuk reagoj në afekt. Vendimet që i marr, nuk ngutem dhe në momentin e vendosjes nuk lë vend për kthim prapa. Kam jetë dinamike me gjumë të çrregullt. Jam si person i hapur, por e njoh edhe momentin kur duhet të jem i rezervuar. Nuk paragjykoj dhe nuk e nënçmoj askënd. Dikur kam qenë i martuar dhe kam një djalë trevjeçar, Gjinin, që është në përkujdesje timen. Jetoj në Prishtinë.

Nga : Egzon Prej : Klinë
27.11.2008 18:42
No coment - je i mrekullueshem. Shume e forte "le për mu mama".
Në përgjigje

Nga : Moderatori
27.11.2008 17:42
Faleminderit!

Nga : lulzimi Prej : Opoj
27.11.2008 18:08
Cfarë mendimi keni për reperat kosovarë, kolegët tuaj, a mendon se po e teprojnë me do tekste nganjëherë të shëmtuara edhe rrepin kosovar. Dhe çfarë mendon se ia vlen të këndohet me të vërtetë. A keni ju vet kritika në këtë drejtim?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
27.11.2008 17:08
Mendoj se zhanri që ne e filluam si fëmijë, ka ecur shumë falë punës së secilit prej nesh. Normalisht, ka gjëra me të cilat edhe unë nuk pajtohem, ndoshta edhe kritikoj ndonjërin, por mos harroni se Rap-i është shprehje e lirë, nuk ndalohet asgjë. Ka tekste, të cilat janë me përmbajtje sociale, që një biznesmen i madh nuk i pëlqen, por i ka adhuruesit e vet që i takojnë rrethit me probleme sociale, që e gjejnë veten aty; ka tekste të ndërtuara mbi jetën e shtrenjtë, që pjesa e prekur nga varfëria nuk i pëlqen. D.m.th. tekstet janë mënyrë e veçantë e të menduarit tek një artist dhe gjithmonë e kanë anën që i pëlqen dhe të kundërtën. Nëse “nganjëherë të shëmtuara“, e ke menduar për shprehjen eksplicite, atëherë mos harro që edhe ajo shprehje mund ta ketë rrethin që e pëlqen. Thjesht, dëgjoje atë që ti e gjen veten aty – me të tjerat as mos u merr.

Nga : Masari Prej : Prishtine
27.11.2008 16:39
Sipas jush, cila edhte kenga qe e keni kenduar me se keqi, qe s'ia vlen te permendet, ose kur ju kujtohet, turperohesh me veten?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
27.11.2008 15:39
Janë një pjesë e konsiderueshme e këngëve nga dy albumet e para, sidomos tek albumi i dytë. Në anën tjetër, vetën e shfajësoj me faktin se nuk i kishim më shumë se 18 – 19 vjet dhe ishim në atë fazën “don`t tell me what to do, i know what i`am doin’“. Ka tekste që as nuk e vlen të diskutohen dhe ka interpretime jashtë karakterit tonë. Në momentin që e kemi bërë albumin “Vitamin E“, publikisht i kam sugjeruar secilit që “nëse vlerësoni për Etno Engjujt“ fillojeni me këtë album, e jo me albumet e mëhershme. Në fakt, ne ishim pjesë e gjeneratës që e filloi dhe nuk kishim mentorë, nuk kishim nga kush të sugjeroheshim dhe mësuam nga gabimet tona. Duke qenë se jetuam e krijuam në ato rrethana, sot unë jam fillimisht njëfarë pedagogu për grupet e reja, qe assesi nuk i lejoj të gabojnë.

Nga : ... Prej : prishtine
27.11.2008 09:41
Ej genc, ku e gjen gjithe kete bukuri dhe kete energji? Te pergezoj per kengen "le per mu mama"... Je i pakrahasueshëm... Te dua!
Në përgjigje

Nga : Moderatori
27.11.2008 08:41
Faleminderit! “Le për mu mama“ është një ndër këngët që i favorizoj më së shumti dhe e cilësoj si një ndër veprat tona më të mira. Është eksperimentim – ndoshta edhe i rrezikshëm, por që rezultoi se ishte i duhur. “Sample” – i indian ishte shumë i lezetshëm dhe bëri të vetën, por edhe teksti ishte në përputhje me të. Është pëlqyer jashtëzakonisht tek njerëzit, që pa asnjë dyshim e them se ka tejkaluar parashikimet tona që i kishim në fillim në lidhje me këtë këngë. Sa i përket energjisë – ajo mendoj se është veti e lindur.
    E ardhshmja 
Faqja e komenteve (o) nga (1)

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSSMobile