Këndi tematik

 


Forum

Halil Matoshi përgjigjet në pyetjet tuaja

04.05.2009

Të nderuar lexues, mysafiri ynë i radhës në rubrikën "Intervista online" është publicisti Halil Matoshi.

Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ai, pasi të jetë mbyllur forumi.


Halil MATOSHI është i lindur më 24 tetor 1961, në Kamenicë/Kosovë; i shkolluar në Kamenicë dhe Prishtinë (të mesmen në gazetari) dhe i diplomuar në Filozofi-Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Gazetar me profesion. Ka shkruar tek gazeta e studentëve “Bota e re” (1984-1986), “Zëri i rinisë” – gazetar, dhe pastaj redaktor e kryeredaktor kur kjo e përjavshme ndërroi emër në “Zëri” deri më 2004. Kryeredaktor i revistës për kulturë dhe art “Sheshi” (1997-2004), redaktor dhe kryeredaktor në të përditshmen “Lajm” (2004-2006); redaktor e kolumnist në gazetën “Express” (2006-2009) dhe aktualisht redaktor e kolumnist në “Koha Ditore”.

Matoshi është shkrimtar dhe poet. Ka botuar pesë libra letrarë: “Frymë varresh në dallgore” (Poezi, “Bota e re” 1988); “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (poezi, “Zëri”, 1994); “Lajmësi memec” (tregime, “Zëri”, 1996); “Hija e Krishtit” (poezi, “Sheshi”, 2002) dhe “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, (ditar/ese, “Zëri” 2004.)

Matoshi ka qenë bashkëthemelues dhe drejtues i organizatës “Parlamenti rinor” 1990, pastaj kryetar i Partisë Parlamentare, 1992. I burgosur nga regjimi jugosllav për "veprimtari kundërkushtetuese" (1990) dhe i liruar nga Gjykata e Apelit në Prishtinë. Matoshi është arrestuar më 21 maj 1999 në shtëpinë e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi trupat serbe të sigurisë dhe është akuzuar për terrorizëm nga neni 121 i kodit penal të Serbisë. Është liruar pas rreth një viti me ndërhyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Në zgjedhjet nacionale të vitit 2007 i ishte bashkuar listës së Partisë Reformiste ORA, e cila nuk e kaloi pragun elektoral prej 5%.

Në shkrime dhe debate, Matoshi angazhohet për opsionin qytetar të politikës kosovare, për de-etnizimin e shtetit dhe për instalimin e një demokracie liberale në vend. Tri herë ka qenë i shpallur “Gazetar i Vitit” (1989, 2000 dhe 2004) në Kosovë, nga asociacione e shoqata gazetarësh.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
    E ardhshmja 
Faqja e komenteve (o) nga (1)
Nga : Bujamin Prej : Kumanovë
14.05.2009 18:51
Tungjatjeta i nderuari Halil Matoshi. A e preferoni futbollin dhe cilin ekip futbollistik e doni më shumë? Ju faleminderit.
Në përgjigje

Nga : Halil Matoshi
14.05.2009 17:51
Po, sepse është lojë që ngërthen artin me fuqinë fizike, (shpirtëroren me truporen) strategjinë me spektaklin, inteligjencën dhe imagjinaren me veprimin, shkakton ethe dhe emocione të fuqishme dramatike si çdo lojë tjetër skenike edhe katarsis, por edhe ka sens humori (argëtim si çdo lojë tjetër.) Kam qenë fans i Hajdukut të Splitit si fëmijë, pastaj e kam dashur Prishtinën në vitet '80, kur ishte në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë, dhe së voni Real Madridin. Aktualisht më pëlqen loja e “Barçes”!

Nga : fati Prej : An Nsiriyah
14.05.2009 15:50
Përshëndetje,
Desha të të pyes se ku e ndjeni veten më komod: kur shkruani poezi apo kur merreni me analiza politike?

Në përgjigje

Nga : Halil Matoshi
14.05.2009 13:50
Poezia, poezia e mirë është art absolut dhe po aq i vërtetë, ndërkaq politika art i së mundshmes, që sillet mes makiavelizmit (pragmatizmit) dhe vlerave të qytetërimit, pra fisnikërisë së mendjes dhe veprimit. Natyrisht se kur shkruaj poezi ndihem më komod, sepse poezia, sado mediokre të jetë, nuk ka pasoja për jetët njerëzore, ndërkaq që politika e keqe shkatërron jetën.

Nga : alfred Prej : portugali
13.05.2009 17:47
Zotëri Halil, desha t'ju përshëndes. Më kujtohet një rast në vitet '88, kur u mbante "Pajtimi i Gjaqeve" në një fshat të Podujevës; prej atëherë kam përshtypje të mira për ju, por më vjen keq pse njerëz si ju nuk janë në krye të shtetit tonë të dashur. Përshëndetje dhe suksese në të ardhmen!
Në përgjigje

Nga : Halil Matoshi
13.05.2009 16:47
Edhe unë ndihem keq kur shoh se klasa politike kosovare koncentron mbifuqi (pushtet personal, para e mirëqenie personale), ndërkaq që të bën të skuqesh tek i dëgjon. Politika kosovare është ende e militarizuar, pra i përket një rendi militar; kjo politikë po e rikthen kulturën e sekretit në vend të transparencës dhe llogaridhënies, po e rikthen frikën dhe frikësimin, pra kjo politikë është agresive dhe nuk i përket mendësisë së një rendi vleror-qytetar. Pra, ajo duhet demilitarizuar dhe duhet mësuar për llogaridhënie dhe transparencë, sepse publiku ka të drejtë të dijë çdo gjë dhe për çdo cent… Prandaj, unë angazhohem për një koncept, një opsion të ri politik, konform politikës së re, të shpresës e mirëqenies, të mirëbesimit e jo agresionit. Politika e Barack Obamas dhe David Milibandit është modeli im i qeverisjes, që të hiqet frika dhe frikësimi, se jemi në luftë, se jemi të rrethuar, se kemi shumë armiq, edhe kur në realitet ata nuk i kemi, por i fabrikojmë, që shoqëria, qytetaria të na bindet më lehtë, që të mos marrë pjesë e të kërkojë, por të nënshtrohet, të shndërrohet në një masë amorfe, “të ultë si pluhuri”, që të mos e ngrejë kokën lartë, që të mos e realizojë ëndrrën e tij jetësore, që të ndihet se nuk vlen…Që të bindet e të besojë, e jo të shtrojë pyetje e kërkesa…

Nga : Tringa Prej : USA
13.05.2009 07:12
Zotëri Hali, angazhimet tuaja në të gjitha lëmitë i kam përcjellë me kujdes të veçantë; keni aftësi dhe oratori për të udhëhequr ndonjë institucion shoqëror, për të qenë lider. Pason pyetja: Pse u larguat nga politika dhe a mendoni se keni vepruar drejt? Çka ju mundon më së shumti në jetën e pasluftës? Si e shihni Kosovën si shtet? A është Kosova shtet demokratik dhe pro-evropian apo kjo është reklama e shqiptarëve për ta mashtruar botën perëndimore? A janë kosovarët më shumë lindorë apo perëndimorë?
Ju përshëndes përzemërsisht.
Në përgjigje

Nga : Halil Matoshi
13.05.2009 05:12
Ika nga politika sepse me Partinë Reformiste ORA, në zgjedhjet e fundit nuk e kaluam pragun zgjedhor prej 5%, pra i humbëm zgjedhjet, (në demokraci kjo është normale, por sa ishin të lira ato zgjedhje shtrohet çështja) sepse shoqëria kosovare ende nuk është e përgatitur për asnjë opsion qytetar, i cili, besoj se është shpëtimtar për këtë komb dhe për këtë shtet, për mirëqenien e tij, për të prodhuar dhe realizuar politika të reja, që krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë, sepse mbrojnë edhe grupet e kërcënuara nga marrëdhëniet kapitaliste.
Pas lufte më mundon mungesa e sistemit vleror, ku gjithçka është shndërruar në tallava dhe hipokrizi, në dyfytyrësi. Në vendin tim injoranca është bërë fuqi, ndërsa rrena dhe vjedhja - virtyte.
Kosova do të jetë shtet, demokraci liberale, sepse kështu e duan shumica e qytetarëve të saj. Paçka se ka konservatorizma, lakmi, shprehje e intolerancës politike e fetare, por gjithnjë duhet investuar në shpresën, se qytetari do të këndellet dhe do të jetë në qendër…Ka mentalitete lindore (anadollake) por shumica e qytetarëve i do dhe i akcepton vlerat e përbashkëta perëndimore (euro-atlantike.)

Nga : ken30 Prej : Bruksel
11.05.2009 22:44
Përshëndetje i nderuar!

Kisha vetëm një pyetje për ju z. Matoshi - Pas përfundimit të luftërave të përgjakshme në Ballkan, Kroacia, Serbia, Maqedonia ndryshuan njerëzit që udhëhoqën politikën luftarake dhe tani në këto shtete në pushtet kanë ardhur akademikët nacionalistë.
Pse në Kosovë ende nuk po mund të vijnë në pushtet akademikët me njerëzit e ardhmërisë së shtetit tonë?
Në përgjigje

Nga : Halil Matoshi
11.05.2009 20:44
Ne, media, shoqëria civile dhe bota akademike, por edhe qytetaria kemi krijuar heronj dhe heronjtë tash duan shpagim për sakrificën e tyre. Ata kanë diçka hyjnore, janë sfiduar shumë herë dhe kanë mbijetuar. Por, i mbijetuari nuk është i përgjegjshëm dhe nuk i bindet lehtë votës së lirë, i mbijetuari është rrezik për demokracinë, sepse nuk i bindet as kritikës shoqërore, si ne, njerëzit vdektarë të rëndomtë. Pra, ne, pas 17 shkurtit, duhet ta nisim një kurs të ri, t’i nderojmë heronjtë dhe t’i shpërblejmë ata, por t’i vendosim në histori. Të votojmë njerëz që marrin përgjegjësi shtetërore, që bartin vizione të reja, të shekullit 21, njerëz që luftojnë për ta ndrequr jetën e njeriut, të secilit njeri, e jo për ta frikësuar, vjedhur, rrahur e shkatërruar atë. Kosovës i duhen njerëz që krijojnë vlera të reja, që e duan vlerën dhe suksesin.

Nga : dentisti Prej : prizren
11.05.2009 17:32
Së pari dua të përshëndes vizionarin e nderuar.

Ben, dikë e quajte të madh, por i madh është dikush që ka veprimtari të gjatë si ky zotëriu që po i bëjmë pyetje ne, e jo ai që përmend ti. Nejse... unë, edhe pse e përkrah idenë e z.Halil për kosovarizimin, gjithsesi do të doja një shpjegim pak më logjik për këtë gjë. Megjithëse ndihem mirë kur prezantohem diku jashtë si kosovar, kam provuar të prezantohem shqiptar i Kosovës, por shumë e gjatë u dukej miqve... Ju jeni kosovarë aq sa ne gjermanët jemi evropianë - më thoshte një koleg gjerman. Respekte i nderuar z.Halil.
Në përgjigje

Nga : Halil Matoshi
11.05.2009 15:32
Mosmarrëveshjet ndër teorikët dhe politikanët etnonacionalistë dhe atyre kosovocentristë rreth çështjes së identitetit kombëtar dhe atij shtetëror burojnë nga fakti se a janë shqiptarët e Kosovës tash, pas pavarësimit, më shumë shqiptarë seç ishin, (nën ish Jugosllavi ata ishin pjesë e popullit shqiptarë dhe në ID u shkruante shqiptar/albanac) por, pas 17 shkurtit, ata janë komb shtetëror dhe në ID u shkruan Nacionality: Kosovar) por tani ata janë më shqiptarë (sipas origjinës etnike) seç ishin kur nuk i kishin këto të drejta politike. Ideologët nacionalistë i frikësojnë njerëzit që duan të identifikohen me shtetin e tyre, që në rastin tonë i ka paraprirë ndërtimit të kombit, se po “shkombëtarizohen” dhe po shndërrohen në kosovarë!? Bindja ime është se tashti si kosovarë (shtet - komb) jemi më shqiptarë se kurdoherë më parë. Sipas dijetarit zviceran Urs Altermatt’it, nëse në Evropë po bëhet realitet shoqëria multi-kulturore, aq më tepër edhe konceptimi i shtetit-komb bëhet një imperativ kategorik. Në këtë rrugë, thotë Altermatt, shteti kombëtar në njëfarë kuptimi shkombëtarizohet. Shtetet moderne janë në gjendje të jetojnë kur e shkëpusin nënshtetësinë politike nga identiteti kulturor dhe etnik. Por, nëse ata (shqiptarë, serbë, romë, turq etj. etnikë) “harrojnë” se ç’janë me gjak, për t’u unifikuar vullnetshëm në një bashkësi qytetarësh, në një njësi të rritur, kjo nuk d.m.th. se ata janë më pak të tillë, shqiptarë, serbë... Janë etni, të tillë çfarë ishin, vetëm se tashti paraqesin një cilësi të re politike - komb i shtetit që ka aftësi integruese me të tjerët, për ta krijuar me vullnetin e lirë një bashkësi qytetarësh dhe për të hyrë në marrëdhënie me kombet tjera.

Nga : Bini Prej : Prishtine
11.05.2009 17:32
I nderuari z.Matoshi,
Gazetarët kosovarë janë katastrofë kur t'i dëgjosh, as nuk dinë të flasin gjuhën shqipe mirë. Mirëpo, çka mendoni ju për gazetarët kosovarë?
Në përgjigje

Nga : Halil Matoshi
11.05.2009 15:32
Kosovarët nuk mund të mësojmë ta flasin perfekt kurrë shqipen e standardit të vitit 1972. Gjuha është mekanizëm i gjallë, ndryshon dhe begatohet konform me rrjedhat kohore. Gazetarët kosovarë po mësojnë. Po mësohemi bashkë se si t’u ikim kthetrave të pushtetit, të pushteteve, se si të jemi të besueshëm dhe si ta gjejmë të vërtetën, thjesht ne nuk jemi partizanë as misionarë, por profesionistë. Duhet të synojmë ta ngremë profesionalizmin… Por, sido qofshin gazetarët, janë mbi klasën politike kosovare!

Nga : Dardan Bregu Prej : Prizren
11.05.2009 17:23
- Përshëndetje për z.Matoshin, pyetja ime është :
- Sipas analizës suaj, pse politika shqiptare në të gjitha shtetet administrative ku jetojnë, nuk është e bashkuar? Çka po e pengon politikën shqiptare që të jetë e unifikuar ?
Në përgjigje

Nga : Halil Matoshi
11.05.2009 15:23
Uniteti politik në demokraci nuk ekziston, ai duhet të krijohet jo rreth ideve të mëdha uniforme, por rreth vlerave të përbashkëta. Ne na duhet unitet rreth vlerave më të larta të qytetërimit, e jo unitet ideologjik rreth koncepteve etno-nacionaliste. Na duhet unitet rreth ngritjes së mirëqenies për të gjithë, sundimit të ligjit (gjyqtari i pavarur), mbrojtja e të drejtave të njeriut, negocimi i të gjitha vlerave universale në tolerancë. Na duhet diversiteti e jo uniteti arkaik, pra uniteti i të dallueshmes...

Nga : artan Prej : prizren
11.05.2009 17:21
Përshëndetje i nderuar! Unë nuk do të flas për diapazonin tuaj dhe kontributin tuaj shumë të çmuar, që nga fillimi i viteve '90 e gjer tani, sepse të gjithë ata që kanë përcjellë ngjarjet, e dinë mirë që je i pazëvendësueshëm. Thjesht po të pyes se pse nuk të shohim në krye të një partie apo institucioni? Ti je për të qenë lider...
Në përgjigje

Nga : Halil Matoshi
11.05.2009 15:21
Për të qenë lider i një partie politike, duhet të ekzistojë një vullnet i shumicës, pra duhet të jesh i zgjedhur me votën e lirë. Unë kam qenë lider i parlamentit rinor, pastaj Partia Parlamentare në vitet '90, por i jam trembur hipokrizisë, injorancës dhe bindjeve totalitare dhe kam dhënë dorëheqje. Tash mendoj dhe shkruaj. Jam një kritik i zëshëm i shoqërisë.

Nga : HAKI Prej : GJERMANI
11.05.2009 13:00
Përshëndetje dhe respekt për ty zotëri Halil. Pyetja ime: a je anëtar i ndonjë partie, e nëse po i cilës parti? Faleminderit!
Në përgjigje

Nga : Moderatori
11.05.2009 12:00
Jo, aktualisht nuk i përkas asnjë partie politike.
    E ardhshmja 
Faqja e komenteve (o) nga (1)

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSSMobile