Këndi tematik

 


Forum

Arian Krasniqi përgjigjet në pyetjet tuaja

03.09.2009

Të nderuar lexues, mysafiri ynë i radhës në rubrikën "Intervista online" është dramaturgu Arian Krasniqi.

Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ai, pasi të jetë mbyllur forumi.


Arian Krasniqi, dramaturg, i lindur më 07. 08. 1981, në Prishtinë. Në vitin 2004 ka përfunduar studimet në Degën e Arteve Dramatike, drejtimi i Dramaturgjisë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht është në përfundim të studimeve postdiplomike (master) në dramaturgji.

Ai ka bërë inskenimin e një varg dramash, sikurse : “Gogoli” në teatrin “Oda” në Prishtinë (2004), “Gruaja në kornizë” (2003) dhe “Turni i natës” (2004) në teatrin Dodona në Prishtinë, “Gjashtë” në Teatrin Kombëtar të Kosovës (2005). Kjo shfaqje me regji të Krasniqit ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove Eksperimentale në Kairo të Egjiptit, prej 20-30 shtator 2005.

Ai ka në dorëshkrime edhe një varg dramash të zhanreve të ndryshme, ndërkaq skenarët e realizuar deri më tash janë: “Vallëzimi në hënë” - film i metrazhit të shkurtër (në konkurencë në Festivalin Nine Eleven, 2003, në Prishtinë), TV novela “Zemër e vetmuar” (në 10 episode në RTV 21, 2003-2004), “BUS”- film i metrazhit të shkurtër, 2004 (Pjesëmarrës në Festivalin Evropian të Filmit të Shkurtër në Karlsruhe të Gjermanisë, 2005), “Green Card” - film i metrazhit të shkurtër, (fitues i çmimit Skenari më i Mirë në Festivalin Nine Eleven në Prishtinë, 2005), “Sakica” - film i metrazhit të shkurtër, (fitues i çmimit Skenari më i Mirë në Festivalin Nine Eleven në Prishtinë, 2006) dhe “UKA” - film dokumentar (kushtuar jetës dhe veprës së veprimtarit Ukë Bytyqi), 2007.

Gjatë viteve 1999-2000 ka punuar si gazetar për kulturë në gazetën “Kosova sot”; më 2000-2001 ka qenë themelues dhe drejtues i revistës për të rinj “MILENIUMI”; më 2003-2007, zyrtar për ndërlidhje me media në Zyrën e presidentit të Kosovës.

Gjatë vitit 2007 ka qenë zyrtar për informim në Agjencinë Kosovare të Pronës (KPA) dhe gjatë viteve 2008-2009 drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Drejtues i Organizartës “Paneuropa-Kosova” si Degë e Unionit Panevropian Ndërkombëtar në Kosovë. Pjesëmarrës në shumë konferenca, seminare dhe trajnime ndërkombëtare, si në Uashington, Londër, Vjenë, Gjenevë, Bruksel, Paris, Strasburg, Blagoevgrad, Stamboll, Sarajevë etj.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
    E ardhshmja 
Faqja e komenteve (o) nga (1)
Nga : Labian Bregu Prej : Prizren
24.09.2009 20:49
Përshëndetje .
Cili është virtyti më i çmuar për Krasniqin?
Faleminderit!
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
24.09.2009 20:49
Virtyti më i çmuar është sinqeriteti, besnikëria dhe përkushtimi për të qenë i vendosur në realizimin e objektivave jetësore dhe profesionale. Ambicia e shëndoshë është shtysë për një njeri, që të ecë tutje drejt ardhmërisë së vet.

Nga : sabri Prej : alessandria
22.09.2009 17:11
Përshëndetje... Ju lutem, me çfarë note e vlerësoni interesimin e të rinjve kosovarë për teatrin? Faleminderit!
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
22.09.2009 17:11
Interesimi i të rinjve për teatrin nuk është krejtësisht i kënaqshëm, por, megjithatë, kohëve të fundit, ka një rritje të interesimit për teatrin. Nota e vlerësimit prej 1 deri në 5 do të ishte 3.

Nga : Bujamin Prej : Kumanovë
21.09.2009 19:38
Përshëndetje... Cilit besim fetar i përkisni? Ju faleminderit...!
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
21.09.2009 19:38
Familjarisht i takojmë besimit mysliman, por nuk kemi ndonjë traditë të aplikimit praktik të fesë. Vazhdoj të besoj në Zot dhe ky fakt më bën të ndjehem mirë.

Nga : Krenar Hasi Prej : PRIZREN
20.09.2009 09:26
Përshëndetje!
Cila është e arritura më e madhe në dramaturgjinë shqiptare?
Faleminderit!
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
20.09.2009 09:26
Dramaturgjia shqiptare nuk ka ndonjë arritje, me të cilën mund të mburremi para botës, megjithatë, me shkollimin e një brezi të ri dramaturgësh, por edhe me avancimin e vlerave tradicionale dramaturgjike që i kemi, mendoj se jemi në rrugë të mirë për të krijuar mundësi dhe shanse të avancimit të dramaturgjisë shqiptare.

Nga : Petriti Prej : Prishtinë
18.09.2009 16:00
Zoti Krasniqi, a jeni gjithnjë i hareshëm sikur në këtë foto?
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
18.09.2009 16:00
Jam natyrë e qetë, pak e mbyllur, por me një ndjeshmëri të madhe. Di të jem edhe i hareshëm, por edhe serioz kur duhet.

Nga : Nexhati Prej : Pejë
18.09.2009 11:05
Kur mendon që do të përmirësohen pagat e teatrit, mjekësisë dhe të të gjithave çka janë buxhetore?
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
18.09.2009 11:05
Do të përmirësohen atëherë kur do të ndryshojë qasja e Qeverisë ndaj këtyre kategorive që ju po i përmendni. Presim që kjo ditë të vijë.

Nga : febi Prej : prishtinë
17.09.2009 16:43
Cili vit ishte më i suksesshmi për Teatrin e Kosovës, prej themelimit e deri më sot. Me respekt!
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
17.09.2009 16:43
Është vështirë të përcaktohet një vit i vetëm i suksesshëm i TKK-së. Në mbi 60 vjet histori të Teatrit Kombëtar, ky teatër ka kaluar nëpër shumë sfida, ngritje dhe rënie. Megjithatë, mendoj se në këto 10 vjetët e fundit është humbur një shans i mirë që TKK-në ta ndryshojmë përfundimisht dhe ta vendosim në binarët e ndryshimeve të mëdha.

Nga : Sali Prej : Kumanovë
17.09.2009 09:08
Përshëndetje për zotin Krasniqi. E përshëndes edhe stafin e Radios Evropa e Lirë. Pyetja ime është kjo: sa jeni i përkushtuar në obligimet fetare? Faleminderit.
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
17.09.2009 09:08
U përgjigja në një pyetje të ngjashme pak më lart.

Nga : Nexhdeti Prej : Prishtinë
15.09.2009 15:47
Zoti Krasniqi, sa keni bërë përpjekje ju që ta stabilizoni Teatrin dhe nëse ka mundësi, të tregoni konkretisht këto përpjekjet tuaja?
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
15.09.2009 15:47
Përpjekjet tona kanë qenë evidente. Hapëm tetarin në bashkëpunim me rajonin dhe botën. Filluam ta kthejmë publikun në teatër, i dhamë mundësi një brezi të ri aktorësh, regjisorësh t’i tregojnë aftësitë e tyre në teatër, përmirësuam imazhin e teatrit, por, fatkeqësisht, këto përpjekje mbetën në gjysmë, për shkak të rrethanave që u krijuan dhe që unë u detyrova të jap dorëheqje.

Nga : Zencho Prej : Kumanovë
08.09.2009 23:49
Përshëndetje për ju Arian. Pyetja ime është: a e preferoni futbollin dhe cilin ekip e doni më shumë? Ju faleminderit...!
Në përgjigje

Nga : Arian Krasniqi
08.09.2009 23:49
Po, e preferoj futbollin dhe ekipi që e pëlqej prej fëmijërisë është Milano.
    E ardhshmja 
Faqja e komenteve (o) nga (1)

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSSMobile