Programi i radhës

Këndi tematik

 


Forum

Genc Prelvukaj përgjigjet në pyetjet tuaja

07.11.2008

Të nderuar lexues, mysafiri ynë i radhës në rubrikën "Intervista online" është këngëtari Genc Prelvukaj.

Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ai, pasi të jetë mbyllur forumi.

Genc PRELVUKAJ, i lindur më 16 korrik 1981, në Prishtinë. Anëtar i grupit “Etno Engjujt”. Grupi, në bashkëpunimet që ka pasur jashtë Kosovës dhe trevave të banuara me shqiptarë, njihet me emrin “Etnon”. Deri më tash ky grup ka nxjerrë 5 albume dhe tashmë është duke punuar edhe të gjashtin. Genc Prelvukaj ka themeluar dhe e udhëheq kompaninë “Gramafon Entertainment”. Ka realizuar një varg videoklipesh, sikurse: “E shtunë” , “Metropolet” , “Albanian” , “Nanny” , “All night” dhe së fundi “Le për mu mama”. Kënga më e popullarizuar deri më tash mbetet “Albanian”, ndërkaq që ka pasur edhe këngë, të cilat kanë qenë të bllokuara medialisht, sikurse kënget “Jovo” dhe “E shtunë”. Genc Prelvukaj, së bashku me Milot Hasangjekajn, dyshe e cila e përbën grupin “Etno Engjujt”, ka pasur një varg pjesëmarrjesh në festivale, në Shqipëri dhe Kosovë, deri në vitin 2004. Pas këtij viti,  ky grup krijon për vete principin e mospjesëmarrjes në organizime të tilla. Ky grup ka qenë pjesëmarrës në disa koncerte me rëndësi të veçantë, si në koncertin e Rza – Wu Tang Clan – Tiranë dhe në dy koncerte të Coolio-s. Tekstet e këngëve i shkruajnë anëtarët e grupit dhe tematika e këngëve, deri më tash, ka lëvizur në qarkun që nga çështjet sociale e deri te ato ekonomike e politike. Disa këngë të këtij grupi kanë qenë të diskutuara edhe në mediat e vendeve fqinje.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
 E mëparshme    
Faqja e komenteve (o) nga (1)
Nga : enkeleda Prej : prishtine
26.11.2008 16:02
Pershendetje Genci, je shumë nice. Me kend mendoni se jeni ne konkurrencë prej reperave te Kosoves?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
26.11.2008 15:02
Konkurrenca është e gjerë dhe kjo ka ndikuar të ngritët kualiteti i muzikës që e bëjmë për më shumë se një dekadë. Personalisht nuk kisha dashur të favorizoj ndonjë artist apo grup, sepse të gjithë ata që na kanë ndjekur, e dinë se kë mund ta kemi si konkurrent të drejtpërdrejtë e kë jo.

Nga : Ajeti Prej : wien
25.11.2008 19:25
A keni ambicje te merreni me politikë pasi qe keni kapacitete te shkelqyeshme intelektuale.
Në përgjigje

Nga : Moderatori
25.11.2008 18:25
Unë jam në përfundim të studimeve në drejtimin e shkencave politike në Kolegjin Universitar “Fama“ dhe po ashtu student i fakultetit të historisë në Universitetin e Prishtinës – edhe pse këtë të dytin e kam lënë pakëz anash, për shkak të punës së ngjeshur dhe koncentrimit për ta përfunduar të parin, mirëpo do t’i kthehem shpejt. Për momentin nuk kam ndonjë ambicie të inkuadrohem në jetën aktive politike, por nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë të merrem me të. Mos e merrni si paralajmërim, por vetëm si mbështetje e thënies “kurrë mos thuaj kurrë“.

Nga : Flutura Prej : Prishtine
25.11.2008 10:58
Genci, cilat kane qene diskutimet ne mediat e vendeve fqinje? A mundesh me dhene spjegime me shume?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
25.11.2008 09:58
Diskutime ka pasur shumë, që pothuajse kanë kaluar edhe në problematikë për neve. Është rasti i Tuzit, ku ne e kemi parë shumë qartë se çfarë efekti ka pasur kënga “Albanian“. Unë nuk kisha dashur të shtoj më shumë në lidhje me këtë rast, vetëm t’ju sugjeroj një veprim, që pastaj do ta keni të qartë atë që e kam thënë në biografinë e botuar këtu në Evropa e Lirë . www.gramafon-ks.com (faqja zyrtare e kompanisë që e drejtoj) dhe ne këtë linkun “të tjera“ (më pas klikoni në Scratch magazine) do t’ju hapen disa fotografi. Në njërën nga to, është ballina e gazetës më të lexuar në Mal të Zi “Dan“. Do ta shihni edhe vetë se për çfarë bëhet fjalë.

Nga : shpresa Prej : peje
18.11.2008 11:47
Pershendetje Genc, desha vec nje pyetje te shkurter - Sa e ndjeni veten malesor dhe sa prishtinali?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
18.11.2008 10:47
Është një pyetje e çuditshme pak kjo. Vështirë të përgjigjem saktë, por megjithatë po tentoj. Unë jam me origjinë nga Martinajt e Plavës, kam kaluar edhe kohë atje, por, në anën tjetër, jam i lindur e i rritur në Prishtinë. Realisht, gjithçka tek unë është ndarë në dy pjesë që nuk zëvendësohen për asnjë rast. Dikush mund të mendojë që vendi prej nga të është zhvendosur familja më parë, nuk e ka rëndësinë e dashurinë që mund ta ketë vendi ku je lindur e rritur. Është shumë e saktë kjo, mirëpo duhet shtuar që une kam kaluar shumë kohë atje, kam qenë i lidhur me atje, kam kujtime të bukura, historitë familjare, patundshmërinë, miq e të afërm që ende jetojnë atje. Pra, me një fjalë, ne kurrë nuk kemi qenë të ndarë nga ai vend, edhe pse si familje jemi në Prishtinë që nga viti 1974. Për ata që nuk kanë qenë kurrë, është vend shumë i bukur, një vend i qetë, nuk ka probleme kurrë dhe në mos më ndryshoftë mendja, një ditë kur të jem lodhur nga urbanizmi, nga dinamika e jetës, nga zhurma dhe nga industrializmi - në moshë të thyer, kam idenë të kthehem.

Nga : jasmina Prej : prishtine
16.11.2008 17:23
Genci je shume kengetar i mire, dhe djalosh simpatik nje verejtej per ty te lutem bej dikcka per permiresimin e menyres tende te te veshurit. te lutem mos vesh me smoking me kemisha me jaka te medha, dukesh si do kengetar te stili turk gjate viteve '80- '90. perndryshe per zhanrin tuaj muzikore jeni te pazevendesueshme ne estraden e muzikes kosovare. ju dua shume.
Në përgjigje

Nga : Moderatori
16.11.2008 16:23
Faleminderit Jasmina për mendimin. Po përgjigjem në mënyrë të thjeshtë. Nuk e kam zbuluar unë këtë lloj të veshjes. Ka shumë artistë e individë (të zhanrit të njëjtë me ne) në vendet më të zhvilluara të botës që smokingun me këmisha e përdorin në skenë. Në anën tjetër, unë ndihem mirë në to dhe kjo është më e rëndësishmja. Me një fjalë, të jesh ai që je pa u kamufluar asnjë çast, është shumë pozitive – ose të paktën kështu mendoj unë.

Nga : Miloti Prej : Berlin
14.11.2008 21:37
A mendon se repi ne Kosove eshte komercializu koheve te fundit?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
14.11.2008 20:37
Komercializimi i një gjëje është pozitive nëse nuk teprohet dhe devijohet totalisht. Zhanri që e bëjmë ne, nuk ka asnjë lloj kriteri që e ndalon komercializimin dhe nuk është assesi i krijuar të mbetet vetëm muzikë e zezë. Ka shumë mundësi brenda, varësisht cila temë kapet. Askush nuk guxon të mendojë se në rap është e ndaluar të bëhet diçka që mund të jetë e lëshuar në club, nuk guxon të mendojë se është e ndaluar të ketë elemente etnike, nuk guxon të mendojë se është e ndaluar të ketë tema të bazuara në sens humori e shumë e shumë gjëra tjera. Rap-i ka ndryshuar – ky është termi që duhet të përdoret, e jo është komercializuar. I komercializuar ka qenë gjithmonë. Sot, as në Amerikë nuk bëhet siç është bërë nga Public Enemy, apo Nwa dhe nuk mund t’i thuhet Jay-Z–së apo Busta Rhymes–it sot që jeni komercializuar, por keni ndryshuar, dhe unë mendoj se ky ndryshim ndikoi që sot është ndër zhanret më të pëlqyera dhe ekziston që 30 vjet.

Nga : Besim Prej : Prizreni
10.11.2008 19:30
Nuk kam pyetje, por veç lavdërata për ETNO ENGJUJT. Tung, tung, ju pershendes shumë, veç vazhdoni, më të mirët jeni. Një përshëndetje nga ju do të më mjaftonte.
Në përgjigje

Nga : Moderatori
10.11.2008 18:30
Faleminderit Besim. Përshëndetje edhe për ty.

Nga : Nuhi Prej : prishtine
09.11.2008 17:18
Keni pasur fat ne jeten tuaj dhe kenga me te cilen ju duhet te ndiheni krenar eshte kenga "fol shqip". Edhe per mua je number one; krejt kjo eshte çka desha te them. Ju dua, tung!
Në përgjigje

Nga : Moderatori
09.11.2008 16:18
Kënga titullohet “Albanian“ dhe është shumë e saktë që do të qëndrojë mbi të gjitha këngët tona të ardhshme. Diçka që nuk përsëritet dhe as nuk tentoj më të bëj diçka me të njëjtën përmbajtje. Edhe pas kushedi sa viteve, kur do të bie fjala për ne, do të thonë njerëzit “grupi që e ka kënduar Albanian“. “I am proud to be an Albanian and I am proud having Albanian“.

Nga : Lena Prej : Prishtine
09.11.2008 10:29
Përse thoni se kenget "Jovo" dhe "E shtune" jane bllokuar medialisht? Kush i ka bllokuar ato dhe perse?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
09.11.2008 09:29
“E shtunë“ është kënga jonë e parë që është bllokuar medialisht, për shkak të përmbajtjes eksplicite. Më konkretisht, është cilësuar nga redaktura e televizioneve si videoklip me përmbajtje të tepruar të skenave të zhveshura, që ne absolutisht nuk pajtoheshim dhe kishim mendim tjetër në atë kohë. Sot, unë mendoj se ata bënë veprimin e duhur, por jo për shkak të skenave të zhveshura, por për shkak se ne ato skena i bëmë pa estetikë. Megjithatë, bllokimi i videoklipit na bëri nder, për shkak se ne e futëm videoklipin në CD, që ndikoi edhe më shumë në shitje. “Jovo“ është rast tjetër. Unë fillimisht kur e bëra tekstin, e dija paraprakisht se çka mund të bëhej në rast të filmimit të kësaj kënge dhe nuk e filmuam. E parashikonim bllokimin e spotit, mirëpo jo edhe të këngës në audio, gjë që ndodhi për çudinë e secilit prej nesh. Arsyetimi medial ishte në rregulloren e komisionarit për media, që ndalonte çdo emitim të ndonjë vepre që nxit urrejtje në mes të komuniteteve. Me të marrë vesh këtë gjë, kam reaguar kundër kësaj rregulloreje, mirëpo jo kundër mediave që funksiononin detyrimisht në bazë të saj . “Jovo“ është ndër këngët që e klasifikoj lart në tërë diskografinë tonë dhe sigurisht që edhe ky bllokim na bëri mirë, pasi që u bë shumë zhurmë dhe u çua shumë pluhur për këtë këngë që rezultoi me interesim më të madh të publikut për këngën.

Nga : Laureta Prej : Prishtine
08.11.2008 08:26
Zakonisht, ata që i bëjnë tekstet e kengeve ne Kosove po kerkojne per nje tekst diku 400-500 euro, per nje kengetar/e të njohur.Ju sa i kerkoni?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
08.11.2008 07:26
Kjo shifër që thua Laureta është e sigurt se është e hiperbolizuar. Nuk e kemi ne standardin të kërkohet ai çmim për tekst, por, megjithatë, nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë aty-këtu ndonjë rast. Unë ka kohë që nuk kam negociuar me dikë vetëm për punën e tekstit, pasi që shumicën e kërkesave i kam për një këngë të kompletuar, d.m.th. që nga teksti e muzika deri tek miksi e post-produksioni në fund. Dhe këtu flitet për çmime tjera.
 E mëparshme    
Faqja e komenteve (o) nga (1)

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSSMobile