Këndi tematik

 


Forum

Mehmet Kraja përgjigjet në pyetjet tuaja

16.06.2009

Të nderuar lexues, mysafiri ynë i radhës në rubrikën "Intervista online" është publicisti Mehmet Kraja.

Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ai, pasi të jetë mbyllur forumi.



Mehmet KRAJA ka lindur më 27 qershor 1952, në Kështenjë të Krajës, fshat afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit Filozofik.

Gjatë viteve 1974-76 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”. Më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”, ku botoi tekste të shumta publicistike për çështje të ndryshme nga problematika kulturore dhe recensa e shkrime diskurzive për letërsinë. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë u inkuadrua në lëvizjet politike të kohës, duke u bërë njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kryesisë së parë të saj.

Gjatë viteve 1992-99 jetoi dhe punoi në Tiranë, në fillim si përfaqësues në Zyrën e Kosovës dhe më vonë redaktor në botimin e atjeshëm të gazetës “Rilindja”. Gjatë qëndrimit në Tiranë, e pushoi angazhimin politik dhe iu përkushtua letërsisë dhe publicistikës. Pas luftës së Kosovës, disa muaj ishte redaktor i kulturës në të përditshmen “Zëri” dhe më vonë edhe në të përditshmen "Koha Ditore".

Që nga viti 2002 është edhe ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku jep lëndën e skenarit të filmit. Me shkrime letrare filloi të merrej që kur ishte nxënës i gjimnazit në Ulqin dhe tregimet e para i botoi në revistën letrare “Jeta e re”, nën përkujdesjen redaktoriale të Esad Mekulit. Deri më tani ka botuar tetë romane, katër vëllime me tregime, dhjetë drama, një libër me kritikë letrare dhe dy libra nga fusha e publicistikës politike.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
 E mëparshme   E ardhshmja 
Faqja e komenteve (o) nga (1)
Nga : Sali Prej : Kumanovë
20.06.2009 09:44
Ju përshëndes përzemërsisht juve z. Mehmet Kraja. Sa energji dhe kohë nevojitet për të shkruar një libër? Faleminderit!
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
20.06.2009 09:44
Secili shkrimtar ka mënyrën e vet të punës, kohën që zgjat për të bërë një vepër, mundin që investon. Për veten time di një gjë: kur nis të shkruaj një roman, e di se një vit të plotë do merrem me të, pothuajse në mënyrë të pashkëputshme. Por, mos të bëhet njeri merak për këtë, sepse puna krijuese nuk është vetëm siklet dhe mund, është edhe kënaqësi. Fundja, kjo është zgjedhja ime.

Nga : Shani PNISHI Prej : Prishtinë
19.06.2009 21:19
Çfarë mendimi keni rreth faqeve për kulturë të gazetave të Prishtinës në dhjetëvjeçarin e fundit?
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
19.06.2009 21:19
Nuk kam mendim aq pozitiv. Nuk ka shumë profesionalizëm. Kemi vërshim të informacionit për mediokritë e të gjitha fushave, njësoj siç kemi edhe promovim të mediokreve dhe tekste autoriale mediokër. Akoma më keq qëndron puna në mediet elektronike. Tashmë njerëzit te ne e kanë fjetur mendjen, se në mediet elektronike nuk ka kulturë, se aty nuk bëhet dhe nuk distribuohet kultura, kështu që as bëjnë vërejte, as i përmendin fare, në një kohë që ndikimi i medies elektronike është i jashtëzakonshëm.

Nga : Petriti Prej : Prishtine
19.06.2009 20:04
Zoti Kraja, ju, si një ndër njerëzit me ndikim më të madh në rrafshin intelektual dhe politik gjatë këtyre 2 dekadave të fundit, a ndjeni satisfaksion personal me atë ku është Kosova? A është kjo Kosova që keni aspiruar? Nëse po, ju kuptoj; nëse jo, pse jo?
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
19.06.2009 20:04
A është Kosova ajo që kam aspiruar? Po. A është Kosova ajo që kam ëndërruar? Jo. Tani ju kërkojeni përgjigjen vetë: Përse Kosova nuk u bë e tillë, çfarë e ëndërruam të gjithë? Kush e deformoi këtë ëndërr tonën, kush e prishi atë? Të gjithë nga pak. Konica thoshte: Shqipëria u bë, por u bë e tillë që t’ua plaste zemrën atyre që e deshën më së shumti. Vërtet, a e deshëm ne Kosovën? Them se kemi gënjyer shumë në këtë pikë.

Nga : Arianit Prej : Prishtine
19.06.2009 11:14
Zoti Kraja, çka mendoni për bashkimin kombëtar? A duhet të bashkohet Kosova me Shqipërinë? I kuptoj integrimet evropiane dhe të gjitha këto teza që po dalin në opinion, por sa është e natyrshme që një komb të mbahet i ndarë?
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
19.06.2009 11:14
Unë jam nacionalist dhe këtë nuk fsheh para askujt. Por, përpiqem të jem racional. Unë i marr parasysh mundësitë dhe pamundësitë tona. I marr parasysh edhe konjukturat ndërkombëtare. Ne nuk arritëm ta bënim Kosovën të pavarur pa ndihmën ndërkombëtare. As shtet nuk do të mund ta mbajmë pa këtë ndihmë. Kosova shtet i pavarur është zgjidhje politike, nuk është rezultat i një procesi historik. Tani jemi këtu ku jemi. Por, mua nuk më ndalon njeri ta shtroj një pyetje krejt racionale: a kemi aq potencial dhe kapacitete ne shqiptarët, si popull i vogël në Ballkan, të mbajmë dy shtete dhe të participojmë në mbajtjen e një të tretë? Them se jo. Një tjetër çështje ka të bëjë me aspiratat nacionale të çdo populli, që të jetojë në një shtet kombëtar. Kjo krijon favore të mëdha. Thonë se kjo tani është e pamundur. Pajtohem. Por, nuk pajtohem që dikush të synojë të ma shlyejë kujtesën historike, të ma shpërlajë trurin dhe të më bëjë luajal ndaj zgjidhjeve gjysmake. Unë nuk jam politikan, jam shkrimtar dhe kam të drejtë të shkoj një hap para politikanëve. Fundja, kam të drejtë të ëndërroj dhe këtë ëndërr t’ua lë trashëgim edhe të tjerëve.

Nga : Zencho Prej : Kumanovë
19.06.2009 09:04
Përshëndetje për ju i nderuari Mehmet Kraja. Pyetja ime është kjo: A do të vazhdoni të shkruani libra dhe cili do të ishte libri që ju do ta shkruanit në të ardhmen? Ju faleminderit!
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
19.06.2009 09:04
Sa të kem jetë dhe shëndet, libra do të shkruaj gjithsesi. Ky është zanati im. Gjë tjetër as dëshiroj, as di të bëj. Letërsia është preokupimi im dhe asaj do t’i përkushtohem me tërë qenien time. Deri në fund të këtij viti, synoj të përfundoj një roman. Kaq mund të them tani për tani.

Nga : Zana Prej : Prishtina
18.06.2009 11:52
Profesor, kam respekt të madh për ju. Çka mendoni për gazetarinë në Kosovë; jeni njeri i letrave dhe i fjalës. Faleminderit.
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
18.06.2009 11:52
Gazetaria në Kosovë ka bërë hapa të rëndësishëm, por ka edhe mungesat e saj të mëdha. Brezi i ri i gazetarëve është duke ecur mirë, vetëm se kanë një varshmëri të tepruar ndaj konjukturave politike dhe qendrave vendimmarrëse. As bizneset nuk janë pa ndikim në këtë mes. Ajo që më bën të ulërij, është trajtimi i keq i gazetarëve, të cilët janë kategoria më e pambrojtur e shoqërisë. Pronarët e medieve sillen ndaj tyre si në sistemin skllavopronar: i përdorin, i keqpërdorin dhe në fund i flakin, pa i dhënë llogari askujt. Të njëjtën gjë bën edhe politika, pushteti. Në radhët e gazetarëve, pushtetarët shohin shërbëtorë që duhet t’iu shërbejnë me përulje. Pastaj vjen një moment, kur gazetarët e shohin veten të nëpërkëmbur dhe të keqpërdorur. Rebelohen, por tani është vonë. Pushtetarët ua kthejnë shpinën dhe i lënë pa mbështetje dhe me dinjitet të humbur... Më lejoni të them këtu edhe një konstatim: gazetaria televizive në Shqipëri është më e mirë se ajo në Kosovë. Gazetaria e shkruar është më e mirë në Kosovë se në Shqipëri.

Nga : Tringa Prej : USA
17.06.2009 08:29
Zotëri Mehmet, ju përshëndes dhe shpresoj se do t'u përgjigjeni me korrektësi pyetjeve të mia:
1.Shumë themelues të LDK-së devijuan rrugën e partisë që i takuan. E gabuat zgjedhjen apo nuk ishit të denjë ta përfaqësoni atë parti ju edhe të tjerët që e braktisën? LDK në kohën kur u formua kishte themeluesit seriozë dhe në frymën kombëtare si dhe intelektuale të dëshmuar.
2.Çka mendoni për vitrinën e librit në Kosovë, sa janë të lexueshëm njerëzit atje? A mendoni që një popull që nuk lexon, është i verbër?

3.Si e shihni Kosovën e pasluftës, a ka diçka atje për lëvdatë? 4.Kosova po ec përpara apo po numëron në vend?
Ju përshëndes, kam respekt të madh për ju.
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
17.06.2009 08:29
Për mendimin tim, misionin e saj LDK-ja e ka kryer në fillim të viteve nëntëdhjetë, atëherë kur mori përmasat e një lëvizjeje kombëtare, me synim që t’i dilte zot Kosovës së mbetur në udhëkryq. Më pas ajo degjeneroi, veçmas atëherë kur filloi të improvizonte pushtetin dhe të bllokonte alternativat e tjera, përfshirë këtu edhe alternativat që ishin në kundërshtim me opsionin e saj paqësor. Tashmë është vërtetuar katërçipërisht se LDK-ja në shumë rate, gjatë viteve nëntëdhjetë, mori vendime të gabuara. Mos, vallë, ne, pra intelektualët, nuk ishim të denjë ta përfaqësonim LDK-në? Nuk më duket kështu. Ishte LDK-ja ajo që nuk e meritonte përfaqësimin tonë. Kjo tanimë është tezë e vërtetuar... Ndërkaq, për Kosovën e pasluftës, u shpreha më lart. Ajo nuk u bë çfarë e kishim ëndërruar. Tani më thoni ju, kush e ka fajin për këtë, të gjithë ne që duket se ishim pak naivë dhe pamë ëndrra me sy hapur, apo ata që i braktisën ëndrrat shpejt dhe Kosovën e kundruan si një pre të mirë, për ta kollofitur me gjithë kocka? Natyrisht, zhgënjimi është i madh për shumë njerëz, edhe për mua natyrisht, sepse nuk kisha besuar se kosovarët kaq pak e duan vendin e tyre... Tani për lexueshmërinë. Unë kam besuar se Kosova e pasluftës do të përfshihej në një proces iluminizmi, sepse kishte nevojë për këtë, për të çrrënjosur injorancën dhe për të kompensuar prapambetjen kulturore dhe arsimore, e cila u shkaktua gjatë viteve nëntëdhjetë. Kjo nuk ndodhi. Tani ne jemi komuniteti që lexojmë më së paku në Evropë. Mirëpo, nga konstatimi i këtij fakti tragjik nuk del asgjë, sepse shoqëria është përfshirë nga një stuhi kaotike, kurse pushtetet shkojnë dhe vijnë, pa qenë të preokupuar me këtë gjendje. Hë, pra, cila është zgjidhja?

Nga : Abdullah Prej : Iran
16.06.2009 20:18
Z. Mehmet Kraja dhe z. Fatos Lubonja janë dy figurat më të ndritura të kulturës dhe mendimit aktual te shqiptarët. Por, për fat të keq, që të dy janë larguar me dhunë dhe presion nga persona cinikë. Z. Kraja ç'mendoni për letërsinë e krijuar në Kosovë?
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
16.06.2009 20:18
Letërsia në Kosovë së pari duhet të lexohet dhe pastaj mund të gjykohet për të.

Nga : Genci Prej : Dresden
16.06.2009 18:00
Pse keni braktisur LDK-në? Si e shihni LDK-në sot, pas kaq shumë vitesh? A mendoni se koalicioni i tashëm LDK-PDK ka arsyetuar besimin e dhënë të votuesve?
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
16.06.2009 18:00
LDK-në e kam braktisur në çastin, kur ajo u shndërrua nga një lëvizje për ideal kombëtar, në parti politike që improvizonte pushtetin. Ndërkaq, sa i përket koalicionit të tashëm LDK-PDK, mendoj se, parimisht, krijon një situatë komode, të mirë për ata që qeverisin, kurse të pafavorshme për Kosovën. Koalicionet e gjera e kanë këtë mangësi. Në këtë kuadër, LDK-ja, bashkë me opsionin e saj qytetar, është në rrezik serioz. Nuk besoj se do të dalë lehtë nga kjo gjendje. Ajo është e kapur, siç thonë në Shqipëri, nga një grup njerëzish, të cilëve LDK-ja iu shërben për interesa shumë tokësore.

Nga : Afet Bela Prej : Prishtinë
16.06.2009 16:07
Përshëndetje profesor Kraja!

Kam këtë pyetje:

1. Sa mund të jetë integruese për popujt e Ballkanit gjuha angleze (pas 10 vjetësh apo më shumë)?
Në përgjigje

Nga : Mehmet Kraja
16.06.2009 16:07
Pas dhjetë vjetësh do të ketë më shumë njerëz që flasin gjuhën angleze në Prishtinë, por ky nuk do të jetë fundi identitar i Kosovës, aq më pak i shqiptarëve. As pas pesëdhjetë vjetësh. Gjasat janë që Evropa, në shumicën e saj, të bëhet bilinguale, ashtu siç kemi qenë ne për një kohë të gjatë, jo me vullnet, por dhunshëm. Pra, do të kemi një gjuhë që shërben për utilitarizëm (anglishten) dhe një gjuhë që është qenie, identitet, që krijon vetëdijen dhe që nuk mund të zëvendësohet me asnjë gjuhë tjetër (gjuha amtare). Edhe në këtë pikë, situata pas vitit 1999 për Kosovën ka sjellë tre avantazhe cilësore: e para, anglishtja, që është shumë më e pasur dhe me një përdorim kontemporan, ka zëvendësuar serbo-kroatishten e dikurshme; e dyta, anglishtja nuk është gjuhë në fqinjësi të shqipes dhe mbrojtja prej saj është më e lehtë; e treta, anglishtja nuk është gjuhë e dhunshme për kosovarët (nëse ishte pjesërisht gjatë këtyre viteve, nuk duhet të jetë më në të ardhmen). Pra, nuk ka nevojë për ndonjë alarm. Dhe, a do të jetë ajo gjuhë e integrimeve ballkanike? Natyrisht. Sepse e tillë është për Evropën dhe për të gjitha proceset globale. Për ne, krahasuar me situatat e mëhershme, anglishtja është gjuhë neutrale, që nuk nënkupton hegjemoni gjuhësore dhe politike brenda suazave ballkanike, një të tillë hegjemoni, me të cilën jemi përballur për një kohë të gjatë.
 E mëparshme   E ardhshmja 
Faqja e komenteve (o) nga (1)

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSSMobile