Dëgjo

Dëgjo tani

Programi i mesditës

Programi i radhës

 


Forum

Mehmet Kraja përgjigjet në pyetjet tuaja

16.06.2009

Të nderuar lexues, mysafiri ynë i radhës në rubrikën "Intervista online" është publicisti Mehmet Kraja.

Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ai, pasi të jetë mbyllur forumi.



Mehmet KRAJA ka lindur më 27 qershor 1952, në Kështenjë të Krajës, fshat afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit Filozofik.

Gjatë viteve 1974-76 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”. Më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”, ku botoi tekste të shumta publicistike për çështje të ndryshme nga problematika kulturore dhe recensa e shkrime diskurzive për letërsinë. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë u inkuadrua në lëvizjet politike të kohës, duke u bërë njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kryesisë së parë të saj.

Gjatë viteve 1992-99 jetoi dhe punoi në Tiranë, në fillim si përfaqësues në Zyrën e Kosovës dhe më vonë redaktor në botimin e atjeshëm të gazetës “Rilindja”. Gjatë qëndrimit në Tiranë, e pushoi angazhimin politik dhe iu përkushtua letërsisë dhe publicistikës. Pas luftës së Kosovës, disa muaj ishte redaktor i kulturës në të përditshmen “Zëri” dhe më vonë edhe në të përditshmen "Koha Ditore".

Që nga viti 2002 është edhe ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku jep lëndën e skenarit të filmit. Me shkrime letrare filloi të merrej që kur ishte nxënës i gjimnazit në Ulqin dhe tregimet e para i botoi në revistën letrare “Jeta e re”, nën përkujdesjen redaktoriale të Esad Mekulit. Deri më tani ka botuar tetë romane, katër vëllime me tregime, dhjetë drama, një libër me kritikë letrare dhe dy libra nga fusha e publicistikës politike.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
    E ardhshmja 
Comments page of 3
Nga : Genius Prej : Prishtine
03.07.2009 16:19
Ndjeheni më shumë kosovar apo shqiptar i Malit të Zi?

Çdo të mirë!
In Response

Nga : Mehmet Kraja
03.07.2009 16:19
Ne, shqiptarët, jemi popull i vogël dhe ndarjet e këtilla rajonale jo vetëm që janë të dëmshme për rrethanat tona, por në esencë nuk kanë asnjë kuptim. Megjithatë, nëse insistoni, mund t’ju them se nga origjina jam shqiptar i Malit të Zi, por ndihem po aq kosovar si çdo kosovar tjetër. Kosova më ka dhënë çdo gjë që kam në këtë botë.

Nga : Albani Prej : Prishtine
02.07.2009 16:24
Zoti Kraja, cili është mendimi juaj për opsionin e bashkimit kombëtar, pasi që ka shumë polemika në Kosovë, dhe a është shteti entiteti më i lartë politik sipas teorive politike, apo jo? Pse nuk e respektoni Kosovën shtet, por kërkoni një "shtet tjetër" më të madh?
In Response

Nga : Mehmet Kraja
02.07.2009 16:24
Është kundrim negativ i çështjes. Nuk është e vërtetë se unë nuk e respektoj Kosovën shtet, madje, për aq sa kam qenë në gjendje, jam përpjekur të jap njëfarë kontributi modest që Kosova të bëhet e mosvarur. Tani Kosova është bërë e tillë, çfarë e kemi ëndërruar prej kohësh. Çështja qëndron te krijimi i një vizioni të ri, i cili për mendimin tim shkon më larg se bërja e disa vilajeteve shqiptare në kuadër të një perandorie të madhe që quhet Europë.

Nga : Febi Prej : Prishtinë
02.07.2009 14:24
Si njëri nga ata intelektualë që tentuat të merreshit me politikë, a mund ta dini shkakun pse intelektualët e mirëfilltë në Kosovë nuk merren me politikë?
In Response

Nga : Mehmet Kraja
02.07.2009 14:24
Në përgjithësi, intelektualët janë “autsajderë” në politikë. Ajo nuk është shtëpia e tyre e vërtetë. Madje, do thosha se përfshirja e intelektualëve në politikë nuk i krijon ndonjë favor politikës, ndërkohë që krijon disfavore të mëdha për vokacionin e tyre parësor.

Nga : haki Prej : gjermani
02.07.2009 08:50
Zotëri Mehmet, ju përshëndes. Kam një pyetje për ju - nëse do t'i ktheheshit jetës politike në vend, në cilën parti do të kishit vendosur të shkoni dhe me cilët politikanë kishit pasur dëshirë të punoni? Ju përshëndes, kam respekt të madh për ju.
In Response

Nga : Mehmet Kraja
02.07.2009 08:50
Në asnjë rrethanë nuk mendoj se mund t’i kthehem politikës. Kanë pushuar të gjitha arsyet për këtë. Unë jam idealist nga natyra dhe angazhimi im në politikë ka qenë i lidhur me një ideal. Tani politika nuk bëhet për ideal, bëhet për qëllime të tjera shumë pragmatike. Le të më falin politikanët, por unë nuk i takoj racës së tyre.

Nga : Edita Prej : Germany
30.06.2009 19:59
A ju dëshpëron fakti se shumica e krajanëve kanë migruar në Amerikë dhe kur kjo temë do të shtjellohet në veprat tuaja letrare?
In Response

Nga : Mehmet Kraja
30.06.2009 19:59
Po, është e vërtetë. Kjo është rrethanë e dhembshme. Madje, mund t’ju them se trendi i ikjes së shqiptarëve nga Mali i Zi vazhdon akoma, edhe përkundër ndryshimit të rrethanave që fillimisht e nxitën këtë migrim fatkeq. Ndërkaq, bërja e një vepre letrare me këtë tematikë kërkon një distancë më të madhe kohore nga ky proces që ende vazhdon. Së paku, mua më duket kështu.

Nga : Iliri Prej : Berlin
27.06.2009 19:58
Zoti Kraja, pse jeni larguar nga LDK-ja? Këtë nuk e keni shpjeguar kurrë në formë të qartë... Përshëndetje!
In Response

Nga : Mehmet Kraja
27.06.2009 19:58
Nga LDK-ja jam larguar në atë moment, kur e kam parë se kishin pushuar arsyet përse isha përfshirë brenda saj.

Nga : Emini Prej : Freiburg
27.06.2009 15:48
Zoti Kraja,

A mendoni se Kosova do te ruaj teresine teritoriale apo do ta humbase veriun? A mendoni se faktori shqiptar ne Tirane dhe Prishtine ka ndihmuar sa duhet faktorin shqiptar ne Maqedoni? A besoni se eta kufinje do te mbeten ne Ballkan apo do te emi riberje te ufinjeve mbi baza nacionale?
In Response

Nga : Mehmet Kraja
27.06.2009 15:48
Jo, Kosova do të ruhet si e tërë. Nuk ka gjasë që shqiptarët në përgjithësi të humbin territore të reja. Edhe ashtu hapësira e tyre jetësore është ngushtuar së tepërmi. Lidhur me faktorin shqiptar në Maqedoni, mendoj se ai duhet të konsolidohet politikisht dhe të mos jetë i manipuluar as nga Tirana, as nga Prishtina. Ndërkohë, faktori politik shqiptar në Maqedoni qëndron keq në raport me faktorin politik maqedonas, ndaj të cilit ka krijuar vasalitet. Shqiptarët në Maqedoni duhet ta flakin një herë e mirë inferioritetin dhe provincializmin. Kurse, sa i përket kufijve, do them vetëm një gjë: gjatë historisë kufijtë në Ballkan kanë lëvizur shpesh. Nuk mendoj se kjo histori është mbyllur një herë e përgjithmonë. Politikanët, natyrisht, nuk e thonë këtë që them unë. Por, unë nuk jam i detyruar të mendoj si ata.

Nga : Sokol Prej : Kastrarati
27.06.2009 15:01
I nderuar zoti Kraja,
cili ishte shkaku që ju shtyu të largoheni nga KOHA DITORE?
Përshëndetje
In Response

Nga : Mehmet Kraja
27.06.2009 15:01
Ndoshta mund të kenë qenë shumë faktorë, por më duket se 33 vjet gazetari aktive për një jetë njeriu janë mjaft.

Nga : Fadil Prej : Malishevë
24.06.2009 10:53
Dëshiroj (nëse ka mundësi) të di mendimin e zotit Kraja lidhur me dallimin mes politikanit dhe shkrimtarit. I Keni provuar pak çaste. Faliminderit.
In Response

Nga : Mehmet Kraja
24.06.2009 10:53
Dallimi midis politikanit dhe shkrimtarit është esencial. Në radhë të parë, koncepti për botën është i ndryshëm. Pastaj vjen ajo që thash më lart: politikani është pragmatik, shkrimtari nga natyra është idealist. Mendoj se kombinimi më i keq del atëherë, kur shkrimtari synon të bëhet politikan, ose politikani synon të bëhet shkrimtar. Historia ka dëshmuar, që nga Kaligula e deri te Hitleri, se pushtetarët me ambicie krijuese kanë qenë fatkeqësi për njerëzimin.

Nga : Bujamin Prej : Kumanovë
22.06.2009 15:34
Përshëndetje Mehmet Kraja. A mundesh të më tregosh diçka për fëmijërinë tënde, për vështirësitë që keni pasur në atë kohë? Ju faleminderit!
In Response

Nga : Mehmet Kraja
22.06.2009 15:34
Fëmijëria ime ka qenë e ngjashme me fëmijërinë e shumicës së brezit tim: e vështirë, me shumë mungesa, por edhe me shumë ëndrra, iluzione. Nga ana tjetër, fëmijërisë sime, asaj moshe të hershme i dedikohem shumë, veçmas në dy plane, në atë letrar dhe identitar. Shikuar nga kjo distancë, më duket sikur kam jetuar një rrëfim kalorësiak, më shumë mite dhe legjenda, të cilat unë i vështroja i mrekulluar. Kjo pjesë e fëmijërisë sime ka qenë universiteti im letrar. Në pikëpamje identitare, duket se kjo fëmijëri më ka krijuar një substrat të pandryshuar, që nuk modifikohet aq lehtë.
    E ardhshmja 
Comments page of 3

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSS