Ndërlidhjet

RIHAPET URA MBI LUMIN IBËR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ura mbi Lumin Ibër në Mitrovicë është hapur sot sërish për qarkullimin e komunikacionit civil. Kjo urë ka qëndruar e mbyllur për një muaj pas një incidenti që ndodhi në veri të qytetit kur në një kafiteri të atjeshme ishte hedhur një granatë dore, me ç’rast qenë lënduar disa persona. Policia ndërkombëtare në Mitrovicë, ka njoftuar sot se ura tani është hapur edhe për komunikacionin civil dhe se deri më tash nuk janë shënuar incidente:

“Hapja e urës ka ndodhur pa ndonjë incident, kurse nuk janë shënuar as tubime të turmave të njerëzve”, tha zëdhënësi rajonal i Policisë së UNMIK-ut Leri Miller. Sipas tij, komunikacioni po zhvillohet qetë dhe me një prani të vazhdueshme të policisë vendore e ndërkombëtare për të siguruar lëvizje të lirë mbi urën që bashkon qytetin.

Mirëpo me vendimin për hapjen e urës mbi lumin Ibër, nuk janë pajtuar përfaqësuesit serbë të mbledhur në Këshillin Nacional Serb për veriun e Kosovës. Milan Ivanoviq nga ky këshill, thotë se ura ishte hapur sot, përkundër paralajmërimeve të serbëve se nuk janë pjekur kushtet:

“Kërkesa e jonë ishte që ura të mbetet e mbyllur deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës, por nuk gjetëm përkrahjen e UNMIK-ut”, tha Milan Ivanoviq, sipas të cilit hapja e urës mbi lumin Ibër erdhi si pasojë e presioneve të institucioneve dhe liderëve shqiptarë mbi UNMIK-un. Milan Ivanoviq megjithatë nuk e ka përjashtuar mundësinë e shqyrtimit të formave, që do të shprehin pakënaqësinë e serbëve me vendimin për hapjen për qarkullim të urës.

Kurse bartësi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq tha se është me rëndësi që të gjitha palët në
të ardhmen të kenë kujdes dhe të mësojnë nga e kaluara, në mënyrë që të mos vijë sërish deri te mbyllja e kësaj ure, e cila tashmë shërben si vendkalim qarkullues që lidh jugun dhe veriun e Mitrovicës:

“Është me rëndësi që bazuar në leksionet që i kanë mësuar deri më tash KFOR-i, UNMIK-u dhe Shërbimi Policor i Kosovës, tani duhet të jenë të kujdesshëm dhe të kontrollojnë këtë vendkalim. Sa na përket neve, sigurisht që ne dhe qytetarët tanë do të jemi shumë më të kujdesshëm në të ardhmen”, tha Ivanoviq, duke folur në emër të serbëve të atjeshëm.

Mbajtja e gjendjes së sigurisë nën kontroll, sidomos tani në kohën e përmbylljes së procesit negociues për statusin e Kosovës, ishte kërkesa kryesore që javën e kaluar i ka shprehur lidershipit vendor, zëvendës shefi i UNMIK-ut, Stivën Shuk. Gjendja e sigurisë, është diskutuar sot dhe gjatë një takimi që komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Roland Kather ka zhvilluar me kryetarin e partisë Ora, Veton Surroi, i cili është njëherësh dhe anëtar i ekipit negociues. Gjenerali Kather tha se komunikimi i vazhdueshëm me liderët politik shkon në favor të gjendjes së përgjithshme në Kosovë

“Ne tani po shkojmë tani kah një fazë mjaft vendimtare për prosperitetin dhe të ardhmen e popullit dhe këtij vendi të mrekullueshëm këtu dhe mendoj se duhet të bisedoj me liderët e këtushëm politik, sepse jam i bindur se ne mund të vazhdojmë së bashku”, tha gjenerali Kather. Ndërkaq Veton Surroi tha se gjëja e fundit që i duhet Kosovës në këtë fazë vendimtare të definimit të statusit, është dhuna e çfarëdo forme, jo vetëm ajo ndëretnike, por edhe ajo brenda një etnie.



XS
SM
MD
LG