Ndërlidhjet

ENDE NUK DIHET NËSE BISEDIMET TEKNIKE DO TË VAZHDOJNË


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Nëse ekziston çfarëdo mundësie për përparim të mëtutjeshëm në bisedimet mbi çështjet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, atëherë këto bisedime do të vazhdojnë. Kështu ka deklaruar Remi Dourlot, nga zyra në Vjenë e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisari.

Zoti Dourlot megjithatë tha se duhet marrë parasysh edhe ajo që është arritur deri tani.
“Njëkohësisht, ne nuk mund t’i mbajmë përgjithmonë këto bisedime dhe të mos kemi përparime, por nuk e përjashtojmë mundësinë e takimeve të mëtutjeshme”, tha zoti Dourlot, për të shtuar se për negociatorët ndërkombëtarë, kjo çështje nuk do të thotë se ka marrë fund domosdoshmërisht. Fakti se deri tani nuk është caktuar ndonjë datë për bisedime të mëtutjeshme ndërlidhet me zhvillimet intensive të javës së kaluar në Nju Jork, tha zëdhënësi i zotit Ahtisari.

Duke folur për atë që tani konsiderohet si mungesë përparimi në qëndrimet e skajshme midis Prishtinës dhe Beogradit mbi çështjet teknike, zoti Dourlot tha se në krahasim me muajin shkurt të këtij viti, gjërat megjithatë kanë ecur dhe përparime ka pasur.

”Por, është fakt se takimi i fundit mbi decentralizimin nuk ka qenë edhe aq frytdhënës, prandaj duhet të analizojmë nëse ka mundësi për përparime të mëtutjeshme në disa, apo në të gjitha çështjet teknike dhe në bazë të përfundimeve që nxjerrim, do të marrim vendim për fatin e ardhshëm të këtyre bisedimeve”, tha zoti Dourlot.
“Nuk mund t’ju them tani se kur dhe për çfarë do të mbahen takimet e ardhshme, nëse do të mbahen fare”, tha zëdhënësi i zotit Ahtisari.

Hollësitë mbi këtë çështje pritet të qartësohen pas kthimit të zotit Ahtisari në zyrën e tij në Vjenë, gjë që do të ndodhë sot. Sidoqoftë, bisedimet mbi çështjet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit kanë filluar në shkurt të këtij viti. Deri tani, të dyja palët kanë zhvilluar tetë raunde bisedimesh mbi decentralizimin, nga dy raunde bisedimesh për trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin ekonomik dhe një për mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Negociatorët kosovarë kanë deklaruar se ata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për bisedimet teknike dhe se vazhdimësia e tyre vetëm sa do të stërzgjaste procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar.

XS
SM
MD
LG