Ndërlidhjet

SIGURA PËRMIRËSOHET, BRENGOS LËVIZJA E KUFIZUAR DHE PAPUNËSIA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Perspektiva e paqartë ka bërë që numri i familjeve serbe në fshatin Caravadicë të Obiliqit. Nga gjithsej 300 familje serbe, tash në këtë fshat janë vetëm rreth 20. Në mesin e tyre është edhe familja treanëtarëshe Gjorgjeviq.

50 vjeçja Lela, e papunë shkon me shqetësim deri te fqinja e saj e parë, pasi duhet të kalojë nëpër disa shtëpi të braktisura:
"Njerëzit kanë ikur dhe i kanë lënë shtëpitë. Askush nuk ka shitur pronat, por thjesht kanë vendosur të ikin," thotë Lela Gjorgjeviq, për të shtuar se familja e saj nuk ka se ku të shkojë. Ajo thotë se kanë mbetur tepër pak dhe se situata do të ishte më ndryshe për të mirë, po qe se njerëzit do të ktheheshin.

Ajo jeton bashkë me burrin dhe të birin, i cili studion në Mitrovicë.
Dikur ajo bashkë me burrin kanë punuar në kombinatin e Obiliqit, por pas luftës ata marrin vetëm një pagë minimale prej 50 eurosh në muaj:
"Kombinati nuk punon më, ndërsa ne marrim njëfarë asistence si pagë minimale, ndërsa tokën nuk e punojmë, pasi nuk lëvizim jashtë fshatit," thotë Lela Gjorgjeviq, sipas të cilës situata është e qetë, por vetëm nuk ka liri të mjaftueshme të lëvizjes.

Banorët e këtij fshati më nuk mendojnë se siguria është problemi kryesor, pasi sipas tyre, problemi numër një është papunësia. Ata jetojnë nga pagat minimale që marrin nga qeveria e Serbisë, ndërsa një numër i vogël punojnë edhe në institucionet e Kosovës. Nganjëherë në fshat vijnë ndihma ushqimore.

Në fshat ka shumë pak të rinj. Fshati ka një shkollë fillore, ndërsa e mesmja është në fshatrat e afërme. Nxënësit shkojnë atje me një furgon të përcjellë nga policia. Shumë prej tyre, ashtu si edhe i biri i kryepersonazhit të këtij rrëfimi studiojnë në Mitrovicë. Vladimir Vojinoviq, 20 vjeç është student i shkollës së lartë për komunikacion në Zveçan:

"Gati tërë kohën jam atje dhe rrallë vij në fshat, pasi këtu s'kemi se çfarë bëjmë. Në fshat nuk ka asgjë tjetër përveç një shitoreje dhe një kafeterie ku mblidhemi," thotë Vladimiri.

Para pesë vjetësh në fshatin Caravadicë ka pasur një incident, por Vladimiri thotë se tani situata është më e mirë:
"Nuk lëvizim krejt lirisht, por në dy-tre vjetët e fundit nuk ka pasur provokime si përpara. Që nga 17 marsi, gjithçka është mirë dhe shoqërohemi edhe me shqiptarët," thotë Vladimir Vojinoviq. Ai nuk beson në të ardhme më të mirë, pasi siç shprehet ai, është vështirë të gjendet punë, por është i bindur se ai dhe familja e tij nuk do ta braktisin fshatin:

"Nuk duam ta braktisim, fshatin, pasi nuk e kemi braktisur që nga fillimi. Edhe pse shumë njerëz janë larguar, unë, vëllezërit dhe motrat e mia do të mbetemi këtu," thotë i vendosur Vladimir Vojinoviq.




XS
SM
MD
LG