Ndërlidhjet

LUFTA E BOSNJËS ME MJETE TË TJERA


Wall Street Journal

“Nuk jam anti-serb, por jam një njeri që përpiqet të jetë një serb normal”, thotë Slobodan Popoviç. Ky dallim është i rëndësishëm për zotin Popoviç, deputet në parlamentin e Republikës Serbe të Bosnjës dhe udhëheqës i një krahu të social demokratëve, të cilët përbëjnë opozitën e vërtetë shumëkombëshe në këtë vend.

Në zgjedhjet e së dielës në Bosnjë, social demokratët do të garojnë kundër qeverisë së Republikës Serbe, e cila përbëhet nga krahu tjetër i social demokratëve, nën udhëheqjen e kryeministrit Milorad Dodik.

Dallimi kryesor në mes të këtyre dy blloqeve ka të bëjë me specialitetin e zotit Dodik për të luajtur me letrën etnike. Zoti Popoviç ka thënë se kryeministri Dodik synon që të udhëheqë të gjithë serbët, jo vetëm ata në Bosnjë.

Një politikë e këtillë, sipas zotit Popoviç, gjason me atë që Milosheviqi ka pasur kur e ka fituar pushtetin, duke projektuar një imazh të një njeriu që mund t’i zgjidhë të gjitha problemet.

Në fakt, problemet në Bosnjë janë të shumta. Ky vend vuan nga sëmundjet prej të cilave vuajnë të gjitha vendet në tranzicion, nga korrupsioni, burokracia, politika populliste dhe krimi i organizuar. Por, Bosnja më së shumti lëngon nga plagët e luftës dhe dështimi i Daytonit për të ndërmjetësuar midis atyre që donin një Bosnjë të fuqishme dhe të tjerëve që nuk donin kurrfarë Bosnje.

Dhe në këtë kuadër, muajt e kaluar kanë qenë të përshkuar me shije të hidhur të së kaluarës. Politika serbe e ndarjeve së fundi është nxitur edhe më shumë nga bisedimet mbi statusin e Kosovës. Mbase në përpjekjet e fundit për të shmangur pavarësinë e pashmangshme të Kosovës, zoti Dodik dhe homologu i tij serb, Vojisllav Koshtunica, pohojnë se një status i këtillë do të ishte preçedent edhe për Republikën Serbe të Bosnjës.

Përpjekjet e tyre për të bërë shantazh tingëllojnë kësisoji: Nëse Kosova pavarësohet përkundër dëshirës së Serbisë, ata do të kërkojnë këtë të drejtë edhe për Republikën Serbe. Kjo pikëpamje natyrisht nuk ka asnjë bazë të ligjeve ndërkombëtare, aq më tepër për faktin se marrëveshja e Daytonit, e nënshkruar gjithashtu edhe nga Serbia, garanton integritetin territorial të Bosnjës.

Megjithatë, kjo nuk e ka dalur zotin Dodik që të kërcënohet me organizimin e një referendumi për pavarësinë e Republikës Serbe, duke e ditur që më parë se një synim i këtillë nuk do të gëzojë kurrë mbështetjen ndërkombëtare. Kërcënimi me referendum, qoftë i sinqertë apo cinik, dëshmon se sa shumë varet Bosnja nga ata që kanë fuqinë e pushtetit në Beograd, por edhe nga trysnia e komunitetit ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG