Ndërlidhjet

KOSOVA - FORMË E PAVARËSISË ME PRANI NDËRKOMBËTARE


Xhon PALMER/Ben UORKS për Kosovën



Grupi i Kontaktit në takimin e fundit ka konstatuar se duhet bërë të gjitha përpjekjet që zgjidhja për Kosovën të gjendet deri në fund të këtij viti. Ben Uorks, nga Instituti për Hulumtime Strategjike me seli në Uashington në këtë temë thotë:
"Është krejt transparente se vendet anëtare të Grupit të Kontaktit dëshirojnë që sa më parë të heqin nga rendi i ditës çështjen e Kosovës në mënyrë që të zvoglojnë angazhimin në Ballkan dhe të fokusohen në Afganistan dhe Irak" thotë Ben Uorks.
Por, ndryshe mendon Xhon Palmer, ish drejtor i Qendres për Politikë Evropiane me seli në Bruksel:
"Kjo çështje është urgjente, sepse nuk mund të zhagitet deri në pafundësi zgjidhja e statusit të Kosovës. Në këtë mënyrë gjendja keqësohet edhe më shumë. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare e sheh se Kosovës duhet dhënë pavarësinë, por është shumë e preokupuar me mbrojtjen e pakicës serbe dhe pakicave tjera", thotë Xhon Palmer.
Pos afatit Sebia kundërshton me këmbëngulje çfardo pavarësie për Kosovën. Ben Uorks në këtë temë thotë:
"Shumica e vendeve të Grupit të Kontaktit dëshirojnë zgjidhje të imponuar. Mbështetur në qëndrimet e deritashme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Kosova do të fitoi një formë të pavarësisë. Marrëveshja për pavarësinë e Kosovës do të nënkuptoj edhe qëndrimin afatgjatë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë", thotë Ben Uorks, ndërsa Xhon Palmer shton:
"Nuk e dij se si do të duket formula konkrete. Por, është e sigurtë se megjithë pavarësimin, në Kosovë do të mbetet një prani ndërkombëtar si garancë për të drejtat e pakicave. Mendoj se misioni i ardhshëm i Bashkimit Evropian do të ketë rol kontrollues dhe vëzhgues", pohon Xhon Palmer.
Analistët Ben Uorks dhe Xhon Palmer komentojnë edhe sinjalizimin e presidentit rus Vladimir Putin se Moska mund të vë veto në Këshillin e Sigurimit nëse nuk do të jetë e kënaqur me zgjidhjen për Kosovën.
Fillimisht flet Ben Uorks:
"Mbetet çështje e hapur se si do të reagojnë Rusia dhe Kina. Sipas disa informatave Rusia mund të shfrytëzoj pavarësinë e Kosovës si pretekst për të kërkuar një pjesë të Gjeorgjisë, konkretisht Osetinë Jugore", thotë Ben Uorks, ndërsa Xhon Palmer shton:
"Vështirë është të thuhet nëse kemi të bëjmë me një lojë diplomatike, me brengosjen e Putinit për pakicën serbe në Kosovë apo mbase për reflektimet që mund të ketë pavarësimi i Kosovës në kërkesat për shkëputje në rajonet e krizës në hapësirën e ish – Bashkimit Sovjetik", pohon Xhon Palmer.
Në mbyllje të dy analistë komentojnë edhe deklarimet e liderit të Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik sipas të cilit pavarësimi i Kosovës do të ndikoj në Bosnjë dhe se serbët e atjeshëm do të kërkojnë referendum.
Ben Uorks në këtë temë thotë:
"Nëse Kosova pavarësohet ky do të jetë presedan që do të mund të zbatohet edhe në Republikën Serbe. Por, për shumicën në Uashington pavarësimi i Kosovës nuk është presedan dhe rrjedhimisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kundërshtojnë çfardo pavarësimi të Republikës Serbe ose bashkim të saj me Serbinë. Por, kjo nuk do të thotë se në plan më afatgjatë ky qëndrim nuk do të ndryshohet", thotë Ben Uorks, ndërsa Xhon Plamer konkludon:
"Sipas mendimit tim nuk ekziston asnjë ngjashmëri ndërmjet Republikës Serbe në Bosnjë dhe Kosovës. Kosova në ish - Jugosllavi gjithnjë ka qenë entitet në vete, ashtu siç ishte edhe Bosnja dhe Hercegovina", konstaton Xhon Palmer.
XS
SM
MD
LG