Ndërlidhjet

RUECKER: KOSOVA KA SHËNUAR PËRPARIM TË MADH DHE S'MUND TA HUMBË PERSPEKTIVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Statusi i Kosovës do të zgjidhet së shpejti dhe ky është përkushtim i Grupit të Kontaktit dhe instancave të tjera, ka thënë sot gjatë një vizite që i bëri Mitrovicës, shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker.
Ai tha se nëse kthehemi dhe i bëjmë një vlerësim gjendjes që nga raporti i Kai Aides për Kosovën para një viti, me gjendjen që është sot në Kosovë, do të shohim një përparim të madh që i garanton Kosovës ecjen përpara drejt definimit të statusit të saj dhe atë brenda një kohe sa më të shkurtër.

“Sa i përket afatit, mendoj se ne ende udhëhiqemi në këtë proces mbi bazën e parimeve të Grupit të Kontaktit dhe do të bëjmë ç'është e mundur për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë të statusit të Kosovës”, tha Ruecker, duke besuar se Ahtisari dhe të gjitha instancat e përfshira në këtë proces janë shumë të vendosur që kjo zgjidhje të arrihet sa më parë.

“Kosova nuk mund të humbë perspektivën e saj kur dihet se ne kemi arritur shumë përpara për një kohë të shkurtër”, tha Ruecker, duke ia adresuar meritat për këtë përparim edhe ekipit negociues.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit komunal të Mitrovicës, Mursel Ibrahimi tha se me zotin Ruecker kanë biseduar për çështjet e statusit dhe pikave që lidhen me Mitrovicën. Ibrahimi tha se e ka njoftuar shefin e UNMIK-ut me vizionet e autoriteteve lokale për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës.

“Unë e njoftova zotin Ruecker për çështjen e Mitrovicës, për disa specifika që ka Mitrovica, por njëkohësisht që kemi përkrahjen edhe nga faktorët relevant për të krijuar një mjedis të qetë në këto momente historike që bisedohet për statusin e Kosovës. Një kërkesë ishte që brenda këtij viti të ndikojmë të gjithë të përfundojë çështja përfundimtare e Kosovës”, tha Mursel Ibrahimi

Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, Joachim Ruecker ka biseduar me udhëheqjen komunale dhe përfaqësuesit e partive kryesore politike në këtë qytet.

Çështja e Mitrovicës është shtruar dhe në disa takime ndërmjet Prishtinës e Beogradit në Vjenë, të ndërmjetësuara nga zyra e Ahtisarit. Pala nga Prishtina ka propozuar që zgjidhja për këtë qytet të jetë formimi i dy komunave brenda një qyteti unik dhe vendosjen e tij nën administrimin e përkohshëm ndërkombëtar. Sidoqoftë, pavarësisht propozimeve të tilla, çështja e Mitrovicës ka mbetur ende në agjendat e kryenegociatorit Ahtisaari.




XS
SM
MD
LG