Ndërlidhjet

SI ËSHTË GJENDJA E ARSIMIMIT TË PAKICAVE JOSERBE NË KOSOVË?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shtatë vjet pas përfundimit të luftës dhe ardhjes së administratës ndërkombëtare, arsimimi i bashkësive pakicë në Kosovë ende përballet me probleme shumë serioze. Pjesëtarët e bashkësive etnike boshnjake, turke, rome, egjiptiane dhe ashkali thonë se ende nuk është bërë mjaft për t’u siguruar atyre kushte të barabarta për shkollim në gjuhën e tyre amëtare.

Problemi më i madh është mungesa e teksteve shkollore në gjuhët përkatëse amëtare, mungesa e institucioneve parashkollore, ndërkohë që theksohet edhe mungesa e studimeve në gjuhët e pakicave në shumicën e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës.
Njëkohësisht, nga Ministria e Arsimit ende nuk ka ardhur një përgjigjur ndaj kërkesës së romëve që t’u mundësohet historia kombëtare e gjuhës rome si mësim plotësues.

Shumica e bashkëbiseduesve tanë thanë se nuk ka investim më të madh në fushë të pakicave, sesa investimi në arsimimin e tyre. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radha e boshnjakëve, Xhezair Murati thotë se në grupet punuese të Ministrisë së Arsimit duhet të jenë edhe përfaqësuesit e pakicave. Ai përveç se ka vërejtje për shkak të mungesës së teksteve shkollore në gjuhën amëtare, është i pakënaqur edhe për faktin se kush jep mësim:

"Neve në boshnjakisht nuk mund të na japin mësim arsimtarë nga bashkësi të tjera. Po të ketë mungesë e kemi Sanxhakun, Bosnjën si dhe profesorë shqiptarë që kanë mbaruar në boshnjakisht," tha Murati, sipas të cilit është e pakuptimtë që shtatë vjet pas ardhjes së administratës ndërkombëtare dhe kaq vjet pas formimit të institucioneve të Kosovës nuk është arritur realizimi të të drejtave të pakicave.

Tehra Dervish, kryetar i turqve intelektualë të Kosovës thotë se përfaqësuesit e kësaj bashkësie etnike janë në pozitë shumë të palakmueshme në punë të arsimimit:

"Në shkolla, drejtori sipas vullnetit të tij shkruan dhe flet vetëm shqip," tha zoti Dervish, sipas të cilit çështje e veçantë është edhe pjesëmarrja e nxënësve të bashkësive pakicë në aktivitete jashtëmësimore:

"Sa janë fëmijët tanë, pra turqit dhe boshnjakët në aktivitetet jashtëmësimore, sa ata mund ta shfaqin kulturën e tyre nacionale kur për shembull një nxënës turk mund të ketë vend në një shfaqje shkollore me vetëm një vjershë me dy strofa," tha Dervish.

Ndërkohë, në bashkësitë e tjera etnike, rome, shkali dhe egjiptiane, situata është e larmishme. Ata shkollohen në shqip, serbisht apo në gjuhën boshnjake, ashkalinjtë dhe egjiptianët mësojnë shqip, pasi siç shprehen përfaqësuesit e tyre, kjo është gjuha e tyre amëtare.

Osmani Osmani nga organizata joqeveritare Iniciativa 6 thotë se ende nuk janë krijuar kushtet themelore që do t’u mundësonin fëmijëve romë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare:

"Ka pasur disa nisma nga vitet e mëhershme për hartimin e programeve në gjuhën rome, mirëpo deri më tash nuk ka asgjë dhe ato kanë mbetur vetëm nisma," tha Osmani, sipas të cilit nuk ka as libra dhe as kuadër mësimor. Osmani thotë se një problem tjetër është fakti se vetëm një numër tepër i vogël i fëmijëve romë ndjek mësimet:

"Një numër tepër i vogël i fëmijëve romë ndjek mësimit dhe një nga problemet është se ata nuk e dinë gjuhën në të cilën duhet të ndjekin mësimet," tha Osmani.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka këshilltarë të lartë të posaçëm që merren me punën e arsimimit të bashkësive pakicë. Ata thonë se një nga prioritetet e ministrisë është sigurimi i shkollimit të pjesëtarëve të pakicave në gjuhën e tyre amëtare dhe arsimimi i tyre konsiderohet si parakusht për integrim më të madh të pakicave në shoqërinë kosovare.



XS
SM
MD
LG