Ndërlidhjet

SOLANA PARALAJMËRON SHTYRJEN E ZGJIDHJES SË STATUSIT TË KOSOVËS


Augustin Palokaj, Bruksel

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri Havier Solana, ka konfirmuar sot para deputetëve të Parlamentit Evropian se është reale mundësia e shtyrjes së propozimit të kryenegociatorit Ndërkombëtar Marti Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe këtë për shkak të zgjedhjeve të paralajmëruara në Serbi.

Solana tha se ka patur një darkë pune parmbrëmë me Ahtisarin në Finlandë dhe kanë biseduar për ndryshimet që kanë ndodhur ditëve të fundit në Serbi dhe prandaj e sheh reale që Ahtisari të shtyjë paraqitjen e dokumentit të tij të paralajmëruar më parë për muajin tetor, apo fillimin e nëntorit.

"Për këtë nuk është marrë vendim, por tingëllon si një çështje e arsyeshme që presidenti Ahtisari sipas të gjitha gjasave do ta bëjë", tha Havier Solana. Solana më tej tha se bashkësia ndërkombëtare edhe më parë ka përmendur se parim është që procesi i negociatave për statusin e Kosovës të mos ndërhyjë në proceset zgjedhore.

"Nuk dua të flas në emër të Ahtisarit se i takon atij të vendosë, por mendoj se nëse kjo situatë vazhdon, nëse serbët i përmbahen këtij kalendari, nëse serbët mbajnë referendumin për kushtetutën në tetor dhe zgjedhjet në vitin 2006 në Serbi, do të jetë më mirë që ndoshta të shtyhet prezantimi i dokumentit," tha Solana, duke shtuar se sipas të gjitha gjasave shtyrja e paraqitjes së dokumentit të Ahtisarit mund të ndodhë.

I pyetur se a mund të ndikojë kjo shtyrje e zgjidhjes së statusit të Kosovës në destabilizimin e saj, Havier Solana u përgjigj: " Së pari nuk shoh asnjë shtyrje të statusit dhe për këtë as arsye për destabilizim. Pastaj në një pyetje tjetër se a do të ndikojë kjo shtyrje në ndryshimin eventual të rezultatit që pritet nga procesi, Solana vetëm u shpreh se nuk sheh arsye pse të ndodhë një gjë e tillë.

Edhe pse thonë se duket vërtet logjike që të shtyhet për pak muaj zgjidhja, në të njëjtën kohë shumë zyrtarë të BE-së pohojnë se kjo shtyrje nuk do të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar të procesit dhe kosovarët sipas tyre nuk duhet të shqetësohen së tepërmi. Kështu mendon dhe Jost Langedaiht, deputet nga Hollanda në Bashkimin Evropian, që është dhe raporter për Kosovën në këtë parlament. Ai tha se shtyrja nuk do të ndryshojë drejtimin dhe se Kosova sipas tij do të fitojë një pavarësi të kushtëzuar, që, tha ai, është dhe qëndrimi i Bashkimit Evropian.
Edhe deputeti nga Austria Hans Svoboda, i cili është marrë për disa vite me çështjen e Kosovës, ka apeluar sot për qetësi dhe maturi në Kosovë, duke u shprehur se nuk e befason shtyrja e zgjidhjes së statusit.

Svoboda ka lavdëruar sjelljen e kohëve të fundit të politikanëve kosovarë, duke thënë se ata kanë vepruar në mënyrë konstruktive. Ai u ka bërë apel dhe serbëve të Kosovës që të mos bllokojnë funksionimin e institucioneve kosovare dhe të marirn pjesë në to. Svoboda ka thënë se Serbia ka bërë një gabim e madje gabim qesharak që ka përmendur në tekstin e kushtetutës së saj se Kosova është pjesë e Serbisë, sepse sipas tij kjo nuk do të ndryshojë asgjë në statusin e ardhshëm të Kosovës, i cili ende shihet të jetë, tha ai, një lloj pavarësie.



Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG