Ndërlidhjet

ÇEKU: KOSOVA ËSHTË RAST UNIK DHE I VEÇANTË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova është rast unik dhe duhet të trajtohet si i tillë, ka pohuar sot kryeministri Agim Çeku, duke e përjashtuar mundësinë që raste të tjera në botë të mund të trajtoheshin më pas me formën e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Çeku i bëri këto komente pas një takimi që zhvilloi sot me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker. Të dy bashkëbiseduesit thanë se do të bëjnë çështë e mundur që t’i njoftojnë të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë për rëndësinë që ka për stabilitetin e rajonit zgjidhja e statusit të Kosvës brenda këtij viti, dhe atë mbi bazën e parimeve të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit.

Kryeministri Çeku tha se askush nuk ka nevojë të shqetësohet se statusi i Kosovës do të jetë rast edhe për vende tjera që t’i trajtojnë problemet e tyre ngjashëm me atë të Kosovës:

“Kanë thënë të gjithë, kemi thënë ne, Ahtisari, shumë anëtarë të Grupit të Kontaktit, se Kosova është rast unik dhe si i tillë duhet të trajtohet. Kështu që zërat e tjerë janë të pakët dhe mendoj se Kosova do të trajtohet si rast unik dhe ajo s'ka të bëjë me rastet e ngjashme në botë”, theksoi Çeku.

Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker tha se parimet e Grupit të Kontaktit dhe zotimi se statusi do të përmbyllet gjatë këtij viti, duhet të jenë udhërrëfyes i tërë procesit:

“Ne do të vazhdojmë dhe jemi duke punuar mbi bazën e deklaratës së Grupit të Kontaktit të 20 shtatorit dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet që të kemi zgjidhjen e statusit gjatë vitit 2006”, tha Ruecker.

Ndërkohë që kryeministri i Kosovës tha se sinjalet që ditëve të fundit kanë ardhur për shtyrjen e zgjidhjes së statusit, padyshim që paraqesin një shqetësim për Kosovën dhe institucionet e saj. Por, njëkohësisht tha Çeku, shtyrja e vendimit për statusin e Kosovës, për shkak të zgjedhjeve në Serbi, do të ndikonte dhe në humbjen e kredibilitetit të faktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në zgjidhjen e statusit të Kosovës:

“Insistojmë se është e papranueshme që problemet e ngritura ‘ad-hoc’, apo problemet e brendshme të një vendi fqinj, të ndikojnë në procesin e statusit të Kosovës. Është e papranueshme dhe do të ishte një humbje e një kredibiliteti e të gjithë faktorëve relevantë ndërkombëtarë, Grupit të Kontaktit, Ahtisarit, të cilët janë shprehur në mënyrë të vendosur se statusi duhet të gjendet brenda këtij viti, dhe mbase edhe ne iu kemi premtuar qytetarëve tanë për një zgjidhje brenda 2006. Prandaj, mbetet që të argumentojmë se statusi duhet të zgjidhet brenda këtij viti, që duhet të jetë pavarësia e Kosovës”, theksoi kryeministri Agim Çeku.

Edhe lideri i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi ka pohuar sot se zgjidhja e statusit të Kosovës me pavarësimin e saj, do të ishte faktor stabiliteti, dhe është angazhuar që procesi i filluar të përmbyllet sa më parë:

“Pavarësia e Kosovës është në interes të qytetarëve të Kosovës, është e drejtë dhe vullnet i shprehur i qytetarëve të Kosovës, është sakrifica e gjithë qytetareve të vendit dhe investimi i gjithë komunitetit ndërkombëtar, kështu që pavarësia e Kosovës është faktor stabiliteti për gjithë rajonin dhe ka reflektime pozitive globale. Veprimet e mëtutjeshme të Prishtinës duhet të jenë kultivimi i unitetit dhe forcimi i raporteve me komunitetin ndërkombëtar”, tha Thaçi.

Ndërsa besohet se Kosova po hyn në fazën përmbyllëse të definimit të statusit të saj, sot administrata e UNMIK-ut dhe qeveria e Kosovës kanë filluar dhe bisedimet për transferin e plotë të kompetencave, që konsiderohet si faza e parë e përmbylljes së misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Gjatë takimit të sotëm ndërmjet kryeministrit Çeku dhe shefit të UNMIK-ut, Ruecker u tha se do të formohen grupe të përbashkëta që do të koordinojnë transferin e përgjegjësive te autoritetet vendore.




XS
SM
MD
LG