Ndërlidhjet

ÇEKU: NUK KEMI PRITUR NDONJË MARRËVESHJE ME BEOGRADIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Deklaratat e kryenegociatorit Martti Ahtisaari, se ai dyshon që mund të gjendet ndonjë marrëveshje e negociuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nuk i kanë befasuar autoritetet në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se as optimistët më të mëdhenj nuk kanë pritur që të arrihet ndonjë marrëveshje me Beogradin. Por, në vend të kësaj, Prishtina, tha kryeministri kosovar, në vazhdimësi është angazhuar që të gjinden marrëveshje për statusin e Kosovës me Ahtisaarin dhe bashkësinë ndërkombëtare:

“Ne jemi duke bërë përpjekje që ta mbështesim Ahtisarin dhe të gjejmë një zgjidhje e cila përkon me vizionin e tij dhe tonin. Mendojmë se ne do ta kemi një zgjidhje të cilën do ta gjejmë bashkërisht me Ahtisarin”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Çeku tha se është me rëndësi që procesi i statusit të përmbyllet gjatë këtij viti. Me qëllim të intensifikimit të aktiviteteve diplomatike në mbështetje zgjidhjes së statusit këtë vit dhe atë mbi bazën e vullnetit të popullatës shumicë për pavarësi, Çeku tha se ai dhe anëtarët e ekipit negociues do të realizojnë vizita fillimisht në Londër e Paris. Kurse një kërkesë zyrtare i është bërë edhe Moskës, që një delegacion i Kosovës të vizitojë Rusinë. Çeku tha se qeveria dhe ekipi negociues besojnë se procesi është në rrugë të mbarë që të përmbyllet sipas ambicieve të palës kosovare:

“Ne do të bejmë përpjekje dhe gjithë ky aktivitet është që ne ta sigurojmë një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë, brenda këtij viti. Unë mendoj se do të kem më shumë ç’farë të them pas vizitave në Londër dhe Paris. Kemi argumente të mjaftueshme që çdo zvarritje është në dëm të të gjithëve dhe në dobi të askujt, këto argumente do t’i shpalosim dhe mendoj se nga këto udhëtime do të kthehem me optimist sesa jam sot”, tha Çeku.

Ndërsa ditëve të fundit afati i zgjidhjes së statusit dhe paralajmërimet për shtyrjen eventuale të këtij afati për vitin tjetër është bërë temë numër një e diskutimeve në qarqet politike kosovare, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se afatet dhe datat nuk janë shumë të rëndësishme, sa është me rëndësi kualiteti i i zgjidhjes për statusin e Kosovës. Duke besuar se statusi i Kosovës sivjet apo vitin tjetër do të zgjidhet në formë konform vullnetit të popullit të Kosovës për vetëvendosje, Haliti thotë po ashtu se bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në Kosovë dhe nuk do të lejojë që tani procesi të kthehet mbrapsht:

“Jam shumë i bindur që bashkësia ndërkombëtare, aleatët tanë në luftë dhe ata që janë të interesuar që Ballkani të jetë i qetë, që Evropa të jetë e qetë dhe që Kosova të jetë pjesë e Evropës, nuk besoj se do të lejojnë që të marrin vendime që do të sjellë anarki në Evropë dhe Ballkan”, theksoi Haliti.

Ndërsa dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, një grup deputetësh kishin nënshkruar një kërkesë me të cilën Kuvendit i kërkohej të deklaronte pavarësinë e Kosovës, deputeti Haliti tërheq vërejtjen se hapat e nxituar apo të gabuar politikë, mund t’i kushtojnë shumë Kosovës. Ai vihet në mbështetje të zgjidhjeve, të cilat do të akordohen me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me fuqitë e mëdha, duke mos i mbështetur hapat e njëanshëm:

“Unë mendoj se nuk ka nevojë që ne të caktojmë datën. Edhe po të donin nuk mundemi t’ia caktojmë agjendat Këshillit të Sigurimit dhe Grupit të Kontaktit. Jemi një vend i vogël, një vend i varfër, vendi më varfër në Evropë dhe aktualisht i kemi mundësitë që t’i lusim të mëdhenjtë që mos të na përsëritet historia, mos të na përsëriten ngjarjet nga e kaluara e këtij vendi”, pohoi deputeti Haliti.

Sidoqoftë, përfaqësuesit kosovarë besojnë se Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare do të gjejnë forma dhe marrëveshje, në mënyrë që përcaktimi i statusit të Kosovës të arrihet sa më parë dhe atë mbi bazën e vullnetit të popullatës shumicë, por duke respektuar dhe të drejtat e pakicave, siç ka kërkuar dhe Grupi i Kontaktit në parimet bazë.




XS
SM
MD
LG