Ndërlidhjet

KING:"KOSOVA VIKTIMË E MOS UNITETIT NË BASHKËSINË NDËRKOMBËTARE"


Iain KING, ekspert i Britanisë së Madhepër Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
"Si dështoi bota në Kosovë" është titulli i librit tuaj, botuar së fundi. Çfarë përmban ai?

IAIN KING
Libri u shkrua menjëherë pas largimit nga Kosova dhe ishim të dëshpëruar me arritjet deri në atë kohë. Kosova nuk kishte pësuar ndryshimet që kishin shpresuar ata që e kishin mbështetur bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë. Nuk kishim arritur ta shndërronim Kosovën në një vend më të mirë, nuk e kishim bërë një vend shumëetnik, shteti ligjor dhe shkalla e demokracisë në vend nuk qenë në nivelin që duhej dhe pritej. Ka një numër arsyesh për këtë, të cilat janë shpjeguar në libër.

RADIO EVROPA E LIRË
Statusi i papërcaktuar i Kosovës e ka vështirësuar punën e misionit ndërkombëtar atje, është një nga vlerësimet në librin tuaj. Cilat janë pengesat kryesore për zhvillimin e Kosovës që vijnë nga paqartësia e statusit?

IAIN KING
Ka një numër arsyesh, ndonëse ndonjëherë ka teprime lidhur me pengesat që ka krijuar statusi i papërcaktuar në zhvillimin e Kosovës.
Padyshim statusi i papërcaktuar ka penguar shkallën e investimeve në Kosovë, por pengesat më të mëdha për investimet kanë të bëjnë me mungesën e shtetit ligjor. Në këtë kuptim ligji për biznesin është shumë i dobët dhe i paqartë, përfshi këtu dhe mungesën e efikasitetit në sistemin e taksave. Janë këto që pengojnë zhvillimin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë arsyet për këto dështime në Kosovë?

IAIN KING
Ka një numër arsyesh. Natyrisht është e lehtë të fajësosh emra të përveçëm apo ndonjë institucion, por mendoj se problemi është më i thellë. Bëhet fjalë për gabimet e bëra në tërësi nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo e fundit së pari nuk arriti të kuptonte se për çfarë bëhet fjalë në Kosovë. Në themel të problemit të Kosovës është armiqësia dhe problemet mes dy grupeve kryesore etnike. Pa e kuptuar shoqërinë kosovare është shumë e vështirë të shënosh përparim.
Është dhe çështje ideologjie, bashkësia ndërkombëtare u tërhoq në vend që të përpiqej të ndryshonte qasjen vendore ndaj një numri problemesh.
Nga ana tjetër shumë nga strukturat që krijuam në Kosovë nuk ishin efikase, përfshi këtu shkallën e burokracisë.
Përmbledhtazi bashkësia ndërkombëtare në Kosovë nuk bëri atë që duhej të bënte, por dhe ato që nisi nuk i bëri në mënyrë efikase.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do t'i vlerësonit institucionet vendore të ngritura pas '99-ës?

IAIN KING
Në këtë kontekst Kombet e Bashkuara kanë hartuar raporte të rregullta rreth përmbushjes së standardeve. Ato nuk janë në nivel të keq në disa aspekte. Ato nuk janë realisht shumëetnike, madje disa institucionee vendore janë tërësisht shqiptarë, çfarë në një mënyrë është e trishtueshme. Këto institucione në një shkallë vuajnë nga mungesa e shtetit ligjor dhe shkalla e pamjaftueshme e demokracisë. Në një numër postesh emërohen njerëzit për shkak të lidhjeve dhe jo të aftësive. Në këtë kuptim ka një morri problemesh.
Megjithatë nuk është e ndershme të fajësohen vendorët për të gjitha këto dështime, pasi strukturat vendore janë reflektim i asaj që krijoi bashkësia ndërkombëtare. Ndaj dhe dështimi nuk duhet shpërndarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se institucionet nuk kanë qenë shumëetnike. Por çfarë do thoshit kur dihet se serbët vendorë nuk duan të marrin pjesë në to, derisa bashkësitë e tjera etnike janë plotësisht të përfshira?

IAIN KING
Mendoj se duhet të shohim me kujdes arsyet e mospjesëmarrjes. Nëse i pyet serbët vendorë sheh dhe një pjesë të arsyeve. Kështu në vitin 2001, kur institucionet e Kosovës me qëllimin më të mirë u përpoqën të kishin së paku 10% të ekipit me serbë dhe deri diku ia arritën kjo nuk zgjati shumë. Brenda 6 muajsh shumica e tyre u largua. Përsë? Shumica e tyre u punësuan në institucionet në Prishtinë, që është nga qytetet më monoetnike në Kosovë. Nga ana tjetër ishin të kërcënuar në forma dhe shkallë të ndryshme. Ka një morri arsyesh dhe besoj se krejt në fund është e vështirë të thuhet me detaje përsë ndodhi kështu. Por besoj se nevoja që Kosova të jetë shumëetnike nuk qe në krye të agjendës së bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet për statusin e Kosovës po vazhdojnë dhe është thënë se duhet të përmbyllen deri në fund të vitit. Por së fundi kemi pasur deklarata për shtyrje të mundshme. Cilat do jenë pasojat nëse do ketë shtyrje?

IAIN KING
Nuk është e qartë. Nga këndvështrimi shqiptar atyre iu është premtuar e premtuar pavarësia ndaj do ishte shumë zhgënjyese nëse nuk do ta kenë deri para Krishtlindjeve. Cilat do jenë reagimet nëse nuk do ta kenë pavarësinë deri në atë kohë nuk jam i sigurt. Por nga ato që qarkullojnë thuhet se njerëzit mund ta marrin situatën në duart e tyre dhe mund të kemi trazira. Nëse kjo ndodh do jetë e tmerrshme, por duhen marrë të gjitha masat që të evitohet një skenar i tillë.
Sa i përket serbëve në Kosovë dhe Beograd me një pjesë prej tyre po luhet sikur të ishin thjesht objekte. Kjo duhet të mënjanohet.
Pyetja shtrohet si erdhëm deri këtu?
Në libër përpiqemi t'i japim përgjigjje dhe kjo lidhet me faktin se nuk u përdorën masa të forta nga bashkësia ndërkombëtare që në fillim në mënyrë që të ndryshonte qasja e shqiptarëve dhe serbëve. Është për të ardhur keq që gjithçka është reduktuar tek statusi, dhe që dominohet vetëm nga dy komunitete. Ne duhet të sigurojmë se të gjitha bashkësitë përfitojnë nga mënyra se si Kosova do ecë përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit ka rol kyç për të ardhmen e Kosovës. Por megjithë deklaratat e përbashkëta ka dallime mes vendeve anëtare. Si do t'i klasifikonit qëndrimet e këtyre vendeve ndaj statusit të Kosovës?

IAIN KING
Është një çështje që i ka rrënjët thellë në kohë. Nëse vështrojmë zhvillimet gjatë vitit 1999 dhe më parë, të gjitha vendet e Grupit të Kontaktit kanë qëndrimet e tyre rreth Kosovës. Fakti që këto qëndrime dallojnë ndikon negativisht në Kosovë. Kosova në një mënyrë është viktimë e mos unitetit në bashkësinë ndërkombëtare. Shpesh qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare pasqyrojnë problemet e brendshme të vendeve përbërëse. Rusia për shembull e lidh Kosovën me territoret e saj që kërkojnë shkëputje, derisa qëndrimi amerikan lidhet me ndikimin e diasporës së fuqishme shqiptare në këtë vend. E rëndësishme është që vendet e Grupit të Kontaktit t'i vënë interesat e Kosovës dhe njerëzve që jetojnë aty mbi interesat e brendshme kur diskutojnë për të ardhmen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kontekst çfarë do thoshit për qëndrimet e Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë?

IAIN KING
Nuk mendoj se është shumë e dobishme të shohim pozicionet e secilit vend anëtar të Grupit të Kontaktit. Qëndrimi i vendeve të Bashkimit Evropian brenda Grupit të Kontaktit ndoshta është më stimuluesi. Por nuk duhet harruar se Ahtisarit i është lënë një shkallë e lartë autonomie për të sjellë propozimet rreth statusit, derisa vetë Ahtisari po bën çfarë është e mundur që ta mbajë Grupin e Kontaktit të bashkuar. Shpresoj që do t'ia arrij.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë dihet se Bashkimi Evropian do drejtojë misionin civil në Kosovën e pas statusit?

IAIN KING
Kur isha herën e fundit në Kosovë dëgjova se rreth 1 mijë njerëz punonin për Bashkimin Evropian atje. Kjo është e mirë, por e rëndësishme është se çfarë bëjnë këta njerëz. Nëse këta janë burokratë që rrinë gjithë ditën në zyrat e tyre në Prishtinë, atëherë nuk kanë asnjë ndikim mbi zhvillimet në Kosovë. Nëse ata përfshihen realisht me vendorët me një agjendë konkrete atëherë mund të jenë të efektshëm. Por shumçka varet nga Brukseli dhe vendet anëtare. Kosova dhe Serbia kanë nevojë që të kenë një prespektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian në një kohë jo shumë të largët.
Shpresoj se njerëzit në Evropë e kuptojnë se Kosova është përparësi. Nëse nuk e zgjidhim tani problemin e Kosovës do të na shpërthejë sërish pas disa vitesh, duke humbur kështu një mundësi të shkëlqyer. Kjo mundësi aktulisht është në duart e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe duhet shfrytëzuar prej tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund si do duket sipas jush statusi i Kosovës?

IAIN KING
Nëse do isha ai që parashoh zhvillimet do thosha se përpara Krishtlindjeve Ahtisari do paraqesë propozimin e tij, i cili do përfshijë fjalën pavarësi. Por do ketë kushte të shumta, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me pakicat në Kosovë. Nuk shoh ndonjë rol të Beogradit në fazat e mëtejshme të Kosovës, ndonëse mund të mbyllen sërish sytë për praninë e Beogradit në veri të Kosovës, e cila aktualisht është shumë e fuqishme.
Sa i përket asaj se si do duket Kosova e pas statusit nuk do jetë shumë e ndryshme nga ajo që kemi tani. Kjo do të thotë prani e fuqishme ndërkombëtare, mbikqyrje e shtuar për pakicat, do kemi një Kosovë të pavarur në emër, por jo dhe faktikisht.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG