Ndërlidhjet

ANALISTËT: REFERENDUMI TREGON SE SERBËT NUK E NJOHIN REALITETIN NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Mbajtja e referendumit për kushtetutën e Serbisë edhe në territorin e Kosovës, është reflektim i drejtpërdrejtë i ndikimit të Beogradit tek serbët e Kosovës që ata të mos integrohen në jetën institucionale të Kosovës, thonë analistët në Prishtinë.

Në këtë aspekt vlerësohet po ashtu se edhe qëndrimi i UNMIK-ut dhe i bashkësisë ndërkombëtare, duhet të jetë më i qartë dhe më i vendosur, për t'i bërë me dije Beogradit se me ndërhyrjet e veta po e pengon normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë.

Ibrahim Gashi, shef i katedrës së Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës thotë se është keqardhje që serbët e shohin të ardhmen e tyre nga Beogradi dhe jo nga Prishtina. Një sjellje e tillë e këtij komuniteti sipas tij, natyrisht që nuk çon drejt normalizimit të raporteve ndëretnike.

"Ky reagim mendoj se krijon hutim, përkatësisht vështirëson pozicionin që në të ardhmen duhet ta kenë serbët karshi shtetit të Kosovës. Nëse ata sot deklarohen për një kushtetutë ku Kosova parashihet si pjesë e pandashme integrale e Serbisë, atëhere nesër vështirë do ta kenë të pranojnë realitetin e ri i cili sigurisht se do të shpallet bashkë me statusin. Sigurisht që ajo do të jetë një pavarësi dhe serbëve do të jenë pjesë e një entiteti të ri politik, pra e shtetit të Kosovës", thotë zoti Gashi.

Duke mos i zhveshur nga përgjegjësia dhe institucionet e Kosovës që nuk kanë arritur të integrojnë sa duhet në shoqërinë kosovare komunitetin serb, Ibrahim Gashi mendon po ashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet ta thotë më qartë se faji kryesor për mosintegrimin e serbëve qëndron tek politika e Beogradit. Mbajtja e këtij referendumi edhe në Kosovë sipas tij, është reflektim i drejtpërdrejtë i një gjendjeje të tillë.

"Institucionet e Kosovës kanë bërë një punë megjithatë që të krijojnë kushte për integrimin e minoritetit serb dhe unë mendoj se nuk mund të akuzohen drejtpërdrejt, përderisa akuzat shkojnë në drejtim të Beogradit, i cili gjatë tërë kohës ka bërë një politikë të tillë që ka penguar integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës", thotë zoti Gashi.

Në anën tjetër gazetari dhe analisti kosovar Baton Haxhiu thotë se popullatës shumicë në Kosovë i konvenon qetësia dhe stabiliteti i Kosovës, duke ditur se po afrohet koha e zgjidhjes së statusit. Haxhiu beson se zhvillime të tilla të mbajtjes së zgjedhjeve dhe referendumeve të Serbisë edhe në Kosovë, tashmë janë diçka që ka ndodhur edhe më parë dhe nuk pret që edhe referendumi për kushtetutën serbe të ndikojë shumë në raportet ndëretnike.

"Shqetësimet e marrëdhënieve ndëretnike mund të jenë kryesisht në nivelin e debateve brenda shtëpive ose kateve, por nuk besoj se reflektohen karshi serbëve. Jo sepse nuk ju pengon, jo pse kjo nuk tregon që serbët ende nuk e kanë pranuar realitetin në Kosovë, por për faktin se është në interes të shqiptarëve që të mbeten të qetë edhe këtë rradhë", thotë zoti Haxhiu.

Sa i përket reflektimit të këtij referendumi në aspekte të gjendjes së ndryshme të sigurisë, Baton Haxhiu vlerëson se siguria mund të kërcënohet nga ky referendum, ndërkohë që te popullata shumicë sipas tij, nuk kanë mbetur përkrahës të veprimeve radikale apo ekstremiste.

"Meqënëse çështja madhore është më e rëndësishme dhe kanë mbetur pak muaj para zgjidhjes përfundimtare të asaj që quhet pavarësi, unë mendoj që është reale, e kuptueshme, që ata edhe kësaj radhe të sfidojnë dëshirën e iluzionit. Realisht një iluzion më tepër nga këto që i kanë patur serbët këto 15 vitet e fundit, nuk i bën gjë shqiptarëve," thotë Baton Haxhiu.

Sidoqoftë strukturat e komunitetit serb, tashmë po përgatiten që referendumi për kushtetutën e re Serbisë të mbahet më 28 dhe 29 tetor edhe në territorin e Kosovës. Administrata e UNMIK-ut, është deklaruar se nuk e organizon, por as nuk do ta pengojë mbajtjen e këtij referendumi.

XS
SM
MD
LG