Ndërlidhjet

OBILIQ: SI JETOHET NË QENDRËN KOLEKTIVE TË BANIMIT?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shumë serbë që jetojnë nëpër qendra kolektive të banimit në Obiliq, thonë se nuk mbajnë më shpresë se do të kthehen sërish nëpër shtëpitë e tyre. Ata thonë se kanë qenë të detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre gjatë trazirave të marsit të vitit 2004.

Tani ata jetojnë në një ndërtesë të ruajtur dhe kontrolluar nga KFOR-i. Banorët e kësaj qendre kolektive ankohen në mungesë të perspektivës. Shumica prej tyre nuk punojnë askund, ndërsa disa të tjerë thonë se marrin pensione nga Serbia.

Sidoqoftë, ka edhe të atillë që kanë filluar ndonjë punë private. Një prej tyre është dhe Milosh Zdravkoviq, pronar një dyqani ushqimor. Zdravkoviq thotë se jeton me gruan dhe dy djemtë e tij dhe ka investuar gjithë pasurinë e tij që të adoptojë këtë kontejner për të hapur atë si dyqan nga i cili jeton.

“Nuk do të mund të jetonin po mos të fitonim të paktën sa për bukë, e tash se si do të përfundojë kjo, dhe nëse kështu vazhdon, unë nuk e di se si ne do të mund të mbijetojmë”, thotë Zdravkoviq.

Banorët e kësaj ndërtese, thonë se ata edhe pse janë vendosur aty urgjentisht, tani detyrohen të paguajnë qira. Disa prej këtyre banorëve, thonë se i kanë shtëpitë e tyre në të njëjtën lagje ku edhe banojnë tash. Mirëpo nuk mund të kthehen qoftë pse shtëpitë ende nuk i kanë rindërtuar apo se disa prej tyre edhe i kanë shitur.

Rosa Otasheviq, 72 vjeç jeton vetëm ngase djali i saj nuk është kthyer dhe jeton në Serbi. Shtëpinë e ka të djegur, kurse jeta në këtë ndërtesë kolektive, sipas saj, është si nëpër llogore.

"Kjo është llogore kur të ruan ushtari me pushkë, andaj si ne mund të ndihemi të kënaqur? Se jemi në robëri e di, e se jetojmë në liri këtë nuk e di”, thotë Rosa Otasheviq.

Ajo pranon dy pensione. Atë nga Serbia dhe pensionin nga buxheti i Kosovës. Nga këto 140 euro sa i tubon në muaj, prej dy pensioneve, ajo thotë se një pjesë ia dërgon të birit të saj në Serbi, i cili është atje i papunë. Otasheviq thotë se është e vetëdijshme që në Kosovë jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët jetojnë në kushte të rënda.

“Sot në Kosovë ka të rinj 20-25 vjeçar shqiptarë të cilët janë të papunësuar. Ka edhe studentë e të shkolluar që nuk punojnë e që janë ngopur me këtë gjendje, andaj çka unë mund të kërkoj këtu si një e moshuar”, thotë Rosa Otasheviq.

20 familje që jetojnë në këtë qendër kolektive furnizohen nga dyqani i Milosh Zdravkoviqit, i cili gjërat ushqimore i blen në Graçanicë, përveç bukës të cilën e blen nga një furrtar shqiptar i Prizrenit. Në mesin e këtyre banorëve ka dhe dhjetë të rinj, të cilët studiojnë. Lëvizjet e tyre janë të organizuara, ndërkohë që Millosh Zdravkoviq thotë se djali i tij 23 vjeç ka rënë në depresion nga një jetë e tillë.

“Ai bëhet nervoz sa që as mua nuk më duron. I ka 23 vjet dhe do të martohet, por thotë se e dashura e tij nuk dëshiron të jetojë në këtë ndërtesë kolektive”, rrëfen Zdravkoviq.

Këto 20 familje ka më tepër se 2 vjet që jetojnë në këso kushtesh dhe te shumica prej tyre ka humbur dhe shpresa se do të kthehen sërish nëpër shtëpitë e tyre.



XS
SM
MD
LG