Ndërlidhjet

LUKSEMBURG


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari deklaroi sot në Luksemburg se është duke përgaditur raportin preliminar për Kosovën të cilin do t'ia paraqesë Këshillit të Sigurimit dukshëm para fundit të këtij viti. Pas takimit me kryeministrin e Luksemburgut Jean Klod Junker, Ahtisari tha se "çdo njeri i arsyeshëm gjithmonë do të ishte për një zgjidhje të negociuar, por nëse kjo nuk është e mundur atëherë propozimi do t'u prezantohet të dyja palëve dhe Këshillit të Sigurimit".
Ahtisaari i bëri këto komente duke u përgjigjur në pyetjen nëse ekziston mundësia për t'u imponuar zgjidhja për Kosovën.
Ai paralajmëroi se nga fundi i muajit, do të takohet në Vjenë me drejtorët politikë për Ballkanin nga vendet anëtare të Grupit të Kontaktit.
"Ne tashmë i kemi paraqitur dhe do t'i vëmë në tryezë mendimet e para për zgjidhjen e statusit të Kosovës" tha ai.
"Për momentin qëllimi im është që anëtarëve të Këshillit të Sigurimit t'ua paraqesë mendimet e mia deri në fund të vitit, dhe nëse nuk dëgjojë diçka tjetër, atëherë do të respektoi afatet dhe programin".
Duke u përgjigjur në pyetjen nëse zgjedhjet në Serbi mund ta shtyjnë zgjidhjen e statusit të Kosovës, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, tha se për këtë është përgjegjës Grupi i Kontaktit.
"Deri tash nuk kam dëgjuar diçka të tillë, përveç që puna të vazhdohet sipas planit. Nuk kam dëgjuar asgjë as për zgjedhjet në Serbi", tha Ahtisari.
"Kam rekomandime shumë të qarta të përgadisë propozimin e zgjidhjes, dhe duhet të bisedojë, jo vetëm me Grupin e Kontaktit por edhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së dhe njerëzit në Nju Jork", tha ai.
Ndërkaq, në pyetjen nëse konsideron se zgjidhja duhet të gjindet deri në fund të vitit, kryeministri i Luksemburgut Junker vlerësoi se "njerëzit në Kosovë janë të lodhur dhe nuk duan që atje të mbeten tepër gjatë, sepse situata mund të bëhet gjithnjë e më e rrezikshme nëse nuk do të gjindej zgjidhja".
Po sot, në Luksemburg kryeministri serb Vojisllav Koshtunica është takuar me treshen ministrore të BE-së, ku është diskutuar për rrugën e integrimit të Serbisë në strukturat evropiane, bashkëpunimin e saj me Hagën dhe për situatën në Kosovë. Duke folur rreth zgjedhjeve në Serbi që pritet të mbahen në fund të këtij viti, Koshtunica tha se "Kosova dhe zgjedhjet në Serbi, janë dy gjëra që nuk kanë lidhje njëra me tjetrën, sepse zgjedhjet janë çështje e brendshme e Serbisë ndërsa Kosova, është një proces tjetër".
XS
SM
MD
LG