Ndërlidhjet

BE: ZGJIDHJA E STATUSIT TË KOSOVËS MUND TË SHTYHET


Sot në Luksemburg, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se sipas të gjitha
gjasave, shtyrja e zgjidhjes së statusit të Kosovës është e pashmangshme për shkak të zgjedhjeve së Serbi.
Kësaj radhe mundësinë e shtyrjes së procesit, e ka konfirmuar edhe
kryesuesi i rradhës i Këshillit të Ministrave të BE-së, Erki Tuimioja, ministër i Jashtëm i Finlandës.
"Nëse do të ketë ndryshim të afateve kohore, kjo do të jetë vetëm për disa javë apo muaj më së shumti, dhe do të ndodhë për shkak të zgjedhjeve të mundshme në Serbi në dhjetor", tha në emër të BE-së ministri i Jashtëm i Finlandës.
Këto komente ai i bëri pas takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg, të cilët diskutuan për situatën në Serbi por edhe për Kosovën.
Edhe diplomatë tjerë të BE-së, konfirmuan mundësinë e shtyrjes, megjithëse shumë prej tyre, theksuan se kjo nuk do të ndikojë në rezultatin përfundimtar të procesit, dhe se në fund do të duhet të respektohet vullneti i shumicës së Kosovës, dhe të arrihet një lloj pavarësie e kushtëzuar për Kosovën. Disa ministra thanë se duhet pasur kujdes që të mos nxitohet me ço kusht në afatet e caktuara sepse mund të ketë probleme në Serbi. Edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana, tha se ekziston mundësia e shtyrjes së procesit. Në Serbi do të zhvillohet referendumi për Kushtetutën dhe do të ketë zgjedhje deri në fund
të vitit tha Solana.
"Me siguri në atë rast, presidenti Ahtisaari do të përshtatë orarin e tij në këto fakte, dhe i takon vet Ahtisaarit të vendosë", tha Solana.
Shumë diplomatë kanë potencuar se duhet patur kujdes që me ndonjë nxitim në zgjedhjen e statusit të Kosovës të mos dëmtohen ato që i quajnë, forca demokratike në Serbi. Ministrat e BE-së kanë ftuar sot Prishtinën dhe Beogradin që të angazhohen në mënyrë konstruktive me Martti Ahtisaarin për të tejkaluar dallimet mes pozicioneve të tyre, dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme provokative. Këtë porosi, ministrat e BE-së e kanë dërguar përmes konkluzave që janë miratuar në këtë takim.
Sa i përket Kosovës, në konkluzat e miratuara, ministrat përkujtojnë edhe deklaratën e Grupit të Kontaktit nga takimi i Nju Jorkut se tentimi për të arritur marrëveshjen e negociuar nuk duhet ta vë në hije faktin se asnjëra palë nuk mundet në mënyrë të njëanshme të vonojë apo bllokojë ecjen përpara të procesit. Në këtë kontekst, Këshilli i BE-së ka shprehur përsëri mbështetje për Martti Ahtisaarin dhe ka mirëpritur qëllimet e tij që ta përgatisë një propozim gjithëpërfshirës të zgjidhjes, i cili do të shërbente si bazë për të lëvizur përpara. Por në këtë pjesë të konkluzave mungon referenca kohore, se kur duhet të ndodh kjo.
Një ditë më herët në Luksemburg, Atisaari tha se idetë e para preliminare Grupit të Kontaktit, to t'ia paraqesë në muajin nëntor dhe do të vazhdojë punën për ta arritur zgjidhjen deri në fund të këtij viti, përderisa nga Grupi i Kontaktit të mos merr instruksione për të vepruar ndryshe. Ahtisaari pritet që gjatë ditës së nesërme të qëndrojë në Bruksel, ku do të takohet me Këshillin e NATO-s, me sekretarin e përgjithshëm Jap de Hoop Scheffer, por edhe me përfaqësuesit kryesorë të Bashkimit Evropian.

Augustin PALOKAJ, Luksemburg
XS
SM
MD
LG