Ndërlidhjet

VAZHDON GREVA NË QKU


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Punonjësit e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinës janë të vendosur që të mos i japin fund grevës së tyre deri në përmbushjen e kërkesave. Këto kërkesa kanë të bëjnë kryesisht me përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit, por edhe me përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve.

Doktor Sali Krasniqi, kryetar i këshillit grevist, thotë se kjo grevë është vetëm vazhdim i grevës së muajit mars, e cila ishte pezulluar pas arritjes së një marrëveshjeje mirëkupimi me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila ende nuk është realizuar. Zoti Krasniqi thotë se që prej atëherë kërkesat tashmë janë shtuar dhe një prej tyre ka të bëjë edhe me rritjen e pagave për 300 përqind.

“Një nga kërkesat është krijimi i kushteve të punës për siguri të pacientëve dhe siguri të personelit shëndetësor. Kërkesë tjetër është rritja e të ardhurave personale për 300 përqind. Në pamje të parë është shumë e madhe 300 përqind, mirëpo të ardhurat të cilat ekzistojnë momentalisht janë ndihma sociale. Për një specialist rroga është 249 euro, edhe nëse rritet tre herë bëhet gati 750 euro. Kërkesë tjetër kemi marrjen e masave ndaj atyre që e kanë sjellë gjendjen në këtë situatë”, tha zoti Krasniqi.

Kërkesat e punëtorëve shëndetësorë i përkrah edhe drejtori i kësaj qendre, Fadil Beka.
“Kërkesat janë të arsyeshme dhe janë reale. Nëse kthehemi në anën tjetër, se sa janë mundësitë e Kosovës, konsideroj se stafi mjekësor, e në veçanti QKU-ja, si institucioni më i lartë shëndetësor, duhet të jetë i dalluar nga spitalet rajonale, sepse ne jemi qendra referente e Kosovës", tha zoti Beka.

Në Ministrinë e Shëndetësisë ndërkaq pohojnë se premtimet që janë dhënë në muajin mars janë plotësuar javën e kaluar. Skënder Berisha, zëdhënës i kësaj ministrie, thotë se nuk ka mundësi teorike që të përmbushet kërkesa për rritjen e pagave për 300 përqind.

“Ne mendojmë se është gjithçka në rregull, sa i përket kujdestarisë, e cila ka qenë si pikë kryesore. Ato ne mendojmë se janë plotësuar. Paratë janë alokuar në dy këste, e para ka qenë 256 mijë euro, dhe e dyta 175 mijë euro, afër 500 mijë euro të dy pjesët,” tha zoti Berisha.

Ndryshe, greva është duke u organizuar nëpër vende të punës, ndërkaq funksionojnë vetëm shërbimet për rastet urgjente, thotë doktor Krasniqi nga këshilli grevist.

”Greva vlen vetëm për pacientët, për të cilët nuk kërkohet intervenim urgjent, për ambulancat specialistike, kontrollet e të cilave munden me pritë, ose mund të kryen në vendet të tjera në qytete, në shtëpitë e shëndetit, apo në qendrat spitalore në Kosovë”, tha zoti Krasniqi.

Në këtë kuadër, pacientët thonë se kujdesi për ta nuk mungon.
Nadire Ferizi: “Shikohet që kanë grevë, por mjekët po i kontrollojnë të sëmurët. Ne na bëjnë shërbimin tamam siç duhet.”

Blerim Behrami: “ Jo, shumë mirë janë duke na trajtuar. Ne nuk po vrejmë asgjë".

Abdyl Sakiqi: “ Unë jam që 22 ditë i shtrirë në spital. As dje as sot, asgjë nuk është vërejtur, normal ka ardhur vizita, normalisht po na japin injeksionet”.

Sidoqoftë, zoti Krasniqi, pohon se nëse nuk realizohen kërkesat e punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare, atëherë greva do të marrë përmasa edhe më të mëdha dhe do të përfshirë të gjitha strukturat e sistemit shëndetësor në mbarë Kosovën. Gjendja e krijuar në këtë sistem pritet të jetë temë diskutimesh edhe në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG