Ndërlidhjet

JUDAH:"PLANI PËR STATUSIN NË FUND TË VITIT - PËRMBYLLJA NË MARS"


Tim JUDAH, analist politik /Londër/

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, së fundi ka pasur njoftime kundërthënëse të disa zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë mbi kohën e definimit të statusit për shkak të zhvillimeve në Serbi. A mendoni se ka mospajtime midis këtyre zyrtarëve rreth kësaj çështjeje?

TIM JUDAH
Nuk mendoj se ka mospajtime nëse duhet pasur shtyrje. Unë besoj, në bazë të përshtypjeve të mia se zoti Ahtisaari do ta prezantojë planin e tij deri në fund të vitit, por kjo nuk do të thotë se Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit do të veprojnë para fundit të këtij viti. Ndoshta për këtë arsye është krijuar i gjithë ky konfuzion. Ajo që po shohim tani mbase ka të bëjë me negociata të vërteta në kuptimin që negociata të tilla nuk ka pasur midis Prishtinës dhe Beogradit dhe tani këto negociata të vërteta janë duke u zhvilluar midis anëtarëve të Grupit të Kontaktit, posaçërisht me Rusinë. Dhe mendoj se ky do të jetë një proces që do të zgjasë disa muaj, megjithëse basti më i mirë aktualisht është se zgjidhja do të arrihet deri në mars të vitit të arhdhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të mund të ndikojë shtyrja e mundshme e zgjidhjes së statusit në situatën e sigurisë në terren, veçanërisht në veri të Kosovës?

TIM JUDAH
Nuk jam i sigurtë se shtyrja e zgjidhjes do të ndikojë në situatën e sigurisë, jo nëse flasim për një shtyrje disa muajëshe. Tash për tash duket se një formë e zgjidhjes mund të arrihet në mars të vitit të ardhshëm. Prandaj nuk mendoj se vonesa prej disa muajsh do të përshkallëzojë situatën e sigurisë në mënyrë radikale. Unë mendoj se gjërat do të ndryshojnë një ditë pas arritjes së zgjidhjes, në kohën kur shtetet e ndryshme fillojnë të njohin Kosovën. Në këtë pikë, situata e sigurisë mund të ndryshojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia do të mbajë një referendum mbi Kushtetutën e saj. Edhe pse zyrtarët ndërkombëtarë kanë thënë se nuk do të pranohet asnjë zgjidhje e njëanshme, cili do të jetë ndikimi i këtij referendumi në procesin e statusit?

TIM JUDAH
Referendumi do të ketë ndikim vetëm në kuptimin që është pjesë e vonesës, sepse pas referendumit mbahen zgjedhjet dhe kjo është arsyeja pse po flitet për vonesat. Por, përveç kësaj, mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndikim tjetër. Me sa e di unë, edhe në bazë të Kushtetutës aktuale të Serbisë, Kosova tashmë është pjesë e Serbisë. Prandaj, nuk bëhet fjalë për Kushtetutë të re dhe nuk shoh ndonjë ndikim të rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur përmendet veriu i Kosovës, ndarja nuk vjen në shprehje, në bazë të parimeve të Grupit të Kontaktit. Njëkohësisht, veriu përballet me vështirësi në integrim. Si do të duket veriu i Kosovës pas definimit të statusit?

TIM JUDAH
Unë nuk mendoj se veriu përballet me vështirësi për t’u integruar, sepse nuk është duke bërë fare përpjekje për t’u integruar në Kosovë, por është duke bërë përpjekje për të mos qenë pjesë e saj. Dhe mendoj se përderisa nuk ka përshkallëzim të dhunës, veriu i Kosovës do të duket njësoj edhe pas pavarësisë dhe pasi që shtetet e ndryshme do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo do të thotë se do të duket siç duket sot, si pjesë e Serbisë dhe do të vazhdojë të duket si tillë edhe një ditë pas zgjidhjes së statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e Kosovës tani shihet nga disa zyrtarë si presedan për “konfliktet e ngrira” në botë. Por, të tjerët thonë se Kosova është rast i veçantë dhe se nuk mund të zbatohen parimet universale. Ju çfarë mendoni?

TIM JUDAH
Unë mendoj se për çdo jurist ndërkombëtar që argumenton njërën anë, ekziston një jurist tjetër ndërkombëtar që argumenton anën tjetër të kësaj çështjeje. Nuk duhet harruar faktin se në ligjin ndërkombëtar nuk ekziston një arbitër apo gjykatës që mund të japë përgjigje të prerë. Në këtë kuadër unë mendoj se është i rëndësishëm jo aspekti ligjor, por ai politik. Dhe nëse ekziston ndonjë rast sikur që është Kosova, atëherë ky rast mund të shfrytëzohet si presedan në kuptimin politik nëse jo në atë ligjor. Dhe po, mendoj se në kuptimin politik do të jetë presedan.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, si e shihni rolin e Rusisë, çfarë roli do të ketë ky vend në definimin e statusit të Kosovës?

TIM JUDAH
Aktualisht, Rusia është duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Deri vonë diplomatët kanë pasur përshtypjen se në fund Rusia do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës për të fituar diçka në këmbim diku tjetër. Kjo ende mund të ndodhë, por aktualisht rusët nuk janë për pavarësinë e Kosovës, megjithëse në anën tjetër mund edhe të mos e kundërshtojnë atë. Nga ajo çfarë unë kam kuptuar, së shpejti mund të kemi një Rezolutë të dobët e cila do t’i jepte fund Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe e cila do të krijonte parakushtet për misionin e ardhshëm ndërkombëtar, në të cilin do të përfshihet edhe Bashkimi Evropian. Kjo Rezolutë mbase nuk do ta përmend pavarësinë, por do të hapë dyert për të tjerët që ta njohin atë dhe ka mundësi që Rusia mos ta kundërshtojë një gjë të këtillë, duke mos e njohur njëkohësisht Kosovën si të pavarur, të paktën jo menjëherë. Prandaj, mendoj se jemi duke hyrë në një periudhë të pasigurisë dhe do të ketë mjaft paqartësi, ndërkaq gjërat nuk do të jenë aq të qarta sa do të donim.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah për fund, dukeni mjaft i bindur se Kosova do të fitojë pavarësinë. Por, a do të ketë ulëse në Kombet e Bashkuara?

TIM JUDAH
Unë mendoj se nuk do të ketë ulëse në Kombet e Bashkuara që në fillim, sepse disa vende do ta njohin Kosovën dhe disa të tjera jo. Dhe me sa e kam kuptuar unë, megjithëse nuk jam ekspert për çështje ligjore të Kombeve të Bashkuara, një vend në Kombet e Bashkuara fitohet nëpërmjet Asamblesë së Përgjithshme, sesionet e së cilës zakonisht mbahen në vjeshtë. Dhe nëse bëhet fjalë për ndonjë rast kundërthënës, atëherë vendet anëtare duhet të votojnë për të dhe me sa e di unë, 2/3 duhet ta aprovojnë anëtarësinë e një vendi të caktuar. Prandaj, duhet luftuar për çdo votë.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG