Ndërlidhjet

PRISHTINA: REFERENDUMI SERB NUK DO KETË NDIKIM PËR STATUSIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Referendumi kushtetues serb nuk do të ketë efekte lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës, por është për keqardhje që në këtë referendum ka dalë dhe komuniteti serb në Kosovë, vlerësojnë përfaqësuesit politikë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë.

Sipas tyre, referendumi serb, për kushtetutën e re, e cila e parasheh Kosovën si pjesë të Serbisë, paraqet një vazhdimësi të politikës së kaluar të Beogradit ndaj Kosovës, ndonëse besohet se statusi i Kosovës nuk mund të përcaktohet me vendime të njëanshme dhe se ai tashmë ka hyrë në agjendat ndërkombëtare dhe do të përcaktohet duke u bazuar në vullnetin e shumicës për pavarësi.

Zëdhënësi i ekipit negociues, Skënder Hyseni, tha sot pas takimit të delegacionit të Kosovës se është për keqardhje që ka pasur një përgjigje çfarë ka pasur tek komuniteti serb, por në anën tjetër duhet thënë troç, tha ai, se asnjë kushtetutë dhe asnjë referendum serb, me asgjë nuk do të ndikojë në procesin e statusit të Kosovës:

“Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e statusit të Kosovës. Procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës është një proces ndërkombëtar, është nën patronatin e institucioneve më të larta ndërkombëtare dhe asgjë unilaterale në Beograd nuk mund të ketë asnjë ndikim në këtë proces”, tha Hyseni.

Ndërkohë që Fatmir Limaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se vendimi i paradokohshëm i Kuvendit të Kosovës, që ky referendum të shpallet i paligjshëm, është qëndrimi që vazhdon të mbajë PDK-ja dhe e konsideron këtë referendum pa efekte sa i përket Kosovës. Ai thotë se me pavarësinë e Kosovës do t’i jepet fund përgjithmonë dhe organizimit të zgjedhjeve e referendumeve të tilla serbe në territorin e Kosovës:

“Duke e parë qartë se ky ka qenë një veprim për konsum të brendshëm të Serbisë, ky ka qenë veprimi i fundit që ka mund ta bëjë “legalisht” Serbia në emër të asaj, në emër të dokumenteve që ka pasur deri tani në raport me Kosovën. Kosova ka nisur dhe shpresoj brenda pak muajve do të jetë shtet i pavarur, dhe definitivisht sovranitetin Serbia e ka humbur në Kosovë. Kosova duhet të funksionojë si shtet dhe më nuk do të ketë raste të vendosjes së kutive të votimit nga Serbia në Kosovë për nevoja të Serbisë’, tha Limaj.

Referendumi serb shihet i pa ndikim lidhur me të ardhmen e Kosovës edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Gjylnaze Syla, e sheh këtë referendum dhe si një pengesë për serbët e Kosovës që të integrohen në jetën shoqërore e institucionale në Kosovë:

“Sa i përket shumicës, efektet e këtij referendumi kanë kaluar pa ndonjë vëmendje, duke qenë të bindur se ato nuk kanë ndonjë rëndësi për statusin dhe të ardhmen e Kosovës. Nga ana tjetër për bashkësinë serbe, vetë pjesëmarrja e tyre që është treguar se është më e larta krahasuar me pjesëmarrjen në Serbi, flet se ky është një ushqim i së kaluarës për serbët dhe nuk është në interesin më të mirë të tyre”, vlerësoi Syla.

Suksesi apo mossuksesi i referendumit kushtetues serb, nuk paraqet lajm për Kosovën, sa paraqet lajm prezantimi i dokumentit të Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës, thotë në anën tjetër, deputeti i partisë Ora, Nazim Jashari:

“Referendumi si referendum për partinë Ora nuk paraqet lajm, për partinë Ora lajm paraqet shpallja e planit të Ahtisarit, i cili realisht, në tjetër mënyrë prej asaj në Serbi, po e artikulon të ardhmen e Kosovës dhe të ardhmen e rajonit”, theksoi Jashari.

Ndërsa besohet se referendumi dhe kushtetuta e re e Serbisë nuk do të merren parasysh nga Grupi i Kontaktit dhe Marti Ahtisari lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës, në Prishtinë çështja kryesore që aktualisht diskutohet është koha e prezantimit të propozimit të Ahtisarit për statusin dhe përmbajtja e këtij dokumenti, përkatësisht që ai të jetë në harmoni me vullnetin e shprehur të qytetarëve të Kosovës për pavarësi.



XS
SM
MD
LG