Ndërlidhjet

LIDERËT SERBË TË BINDUR SE ME KUSHTETUTËN E RE KOSOVA DO MBETET PJESË E SERBISË


Albana Isufi, Prishtinë

Shumica nga liderët e serbëve të Kosovës mendojnë se kushtetuta e re Serbisë, për të cilën serbët votuan në këtë fundjavë, shënon një fillim të ri. Ata mendojnë se preambula, e cila përcakton Kosovën si pjesë përbërëse të shtetit serb, është një porosi që nga bashkësia ndërkombëtare nuk duhet injoruar gjatë zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

“Serbët e Kosovës i kanë kushtuar vëmendje të madhe preambulës së kushtetutës, por edhe në vetë përmbajtjen e kushtetutës ekzistojnë të dhëna që tregojnë se Serbia nuk ka hequr dhe nuk do të heqë dorë nga Kosova. Kjo mbetet obligim i strukturës së tashme shtetërore dhe asaj të ardhme, “ thotë lideri i Listës Serbe për Kosovën Oliver Ivanoviq.

“Këtë porosi nuk mund ta injorojë bota, kështu që do të kërkojë një zgjidhje që do të jetë e mundur përmes kësaj kushtetute, por edhe që do të plotësojë dëshirat e shumicës shqiptare këtu”, thotë Oliver Ivanoviq.

Përfaqësuesi i Këshillit Nacional Kombëtar Milan Ivanoviq, është i bindur se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë.

“Ky është konfirmim për statusin e Kosovës në kuadër të Serbisë dhe përmirësimit të pozicionit tonë në bisedime. Është treguar një bashkim i të gjitha partive politike," thotë Milan Ivanoviq, një ditë pasi që serbët e Kosovës i thanë po në masë të madhe referendumit serb për kushtetutën e re.

Ndërkohë, Petar Miletiq, nga Partia e Pavarur Liberale, mendon ndryshe. Ai thotë se kushtetuta e re nuk do të ketë ndikim në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës.

“Sa i përket kushtetutës së re dhe Kosovës më duket se kjo nuk do të ketë ndikim të madh në vendimin për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës dhe këtë zyrtarët ndërkombëtarë e kanë thënë disa herë para se të miratohet kushtetuta, madje para se të fillonte fushata për referendum”, thotë Petar Miletiq, i cili megjithatë është i kënaqur që serbët e Kosovës i thanë po referendumit për kushtetutën e re të shtetit serb.

XS
SM
MD
LG