Ndërlidhjet

LEHNE MOHON EKZISTIMIN E NDONJË DOKUMENTI PËRFUNDIMTAR TË PËRPILUAR NGA AHTISARI


Albana Isufi, Prishtinë

Emisarët për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës mohojnë se tashmë ekziston ndonjë dokument përfundimtar për statusin e Kosovës. Këtë gjë e ka konfirmuar sot në Prishtinë, i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, Stephan Lehne.

“Marti Ahtisari është ende duke punuar në pakon e tij. Deri tash nuk ka dokument. Ai po konsultohet me palët, me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ai ende nuk e ka kryer punën, por është i bindur se do ta bëjë këtë në mënyrën e duhur”, tha Stephan Lehne, pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu.

Edhe zëdhënësja e zyrës së të dërguarit të OKB-së për statusin në Vjenë, Hua Jiang, thotë se ato që deri tash Marti Ahtisari u ka paraqitur anëtarëve të Grupit të Kontaktit, por edhe zyrtarëve në Kombet e Bashkuara kanë qenë vetëm idetë preliminare.
Ajo tha se edhe vizita e Ahtisarit në Nju Jork ka po të njëjtin qellim.

“Qëllimi i vizitës së tij në Nju Jork është që të njoftojë zyrtarët e OKB-së dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për zhvillimet e fundit në procesin për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe të diskutojë idetë preliminare”, tha Hua Jiang, duke mohuar se tashmë ekziston dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës.

“Ende jemi duke punuar për propozimin përfundimtar dhe e kemi afatin kohor të dhënë nga Grupi i Kontaktit, që është fundi i vitit. Kështu që i dërguari special, ka për qëllim që të paraqesë propozimin, kur ta kryejë tek të dyja palët para fundit të vitit dhe para se ta paraqesë atë në Këshillin e Sigurimit”, tha Hua Jiang, duke shtuar se UNOSEK-u me anëtarët e Grupit të Kontaktit do të ketë edhe një takim në gjysmën e parë të nëntorit në Vjenë, ku do ketë diskutime të mëtejme rreth këtyre ideve.

Në anën tjetër, i dërguari i BE-së për statusin Stephan Lehne, vizitën e tij në Kosovë e ka shfrytëzuar për t’u kërkuar kosovarëve angazhim konstruktiv në procesin e statusit dhe ruajtjen e vazhdimin e unitetit.

“Ekipi i unitetit duhet të ruajë unitetin. Është absolutisht thelbësore, që ky proces të arrijë një fund pozitiv. E ky fund do të bazohet edhe në konsensusin në mesin e liderëve të Kosovës, në veprimet që duhen ndjekur në të ardhmen”, tha Lehne, duke porositur kosovarët që të fillojnë përgatitjen për fazën e pas statusit.

“Mendoj se që tani ju duhet të filloni përgatitjet për të zbatuar marrëveshjen për statusin dhe këtu ne planifikojmë të vendosim partneritet të afërt mes autoriteteve të Kosovës, UNMIK-ut, BE-së, SHBA-ve dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, që këtë proces të zgjidhur, këtë proces shumë të komplikuar ta drejtojmë në rrugën e duhur”, tha Lehne.

Pas takimit me presidentin Sejdiu, Lehne u kërkoi kosovarëve të përgatiten edhe për fazën tranzitore, kalimin e kompetencave nga UNMIK-u tek autoritet e Kosovës.
Presidenti Fatmir Sejdiu pranon se në Kosovë është më se e domosdoshme prania civile ndërkombëtare në fazën e pas statusit.

”Është një lehtësuese e një periudhe të nevojshme që ne e kemi arsyen ta kërkojmë, bashkë me trupat e NATO-s, pas përcaktimit të statusit”, tha presidenti Sejdiu.

Edhe kryeministri Agim Çeku ka thënë sot pas takimit me zotin Lehne, se Kosova është e gatshme që të pranoje kompetencat nga administrata ndërkombëtare dhe të organizojë vetëqeverisjen përveç në disa fusha siç është ajo e gjyqësisë dhe e drejtësisë.

Sido që të jetë, kryeministri Çeku paralajmëron probleme po qe se në dokumentin përfundimtar të përpiluar nga Marti Ahtisari, nuk figuron pavarësia për Kosovën.
“Do të jetë problem, sepse shumica e popullit te Kosovës pret që kjo të jetë pavarësia. Por, ne do të shikojmë me kujdes përmbajtjen e propozimit të zotit Ahtisari dhe në këtë fazë, mendoj se është e rëndësishme që përmbajtja e pakos së zotit Ahtisari të nënkuptojë pavarësinë e Kosovës”, tha kryeministri Çeku, pas takimit me Stephan Lehne.

Ndërsa në takimin me Hashim Thaçin,liderin e PDK-së, subjektit më të madh opozitar, i dërguari i BE-së ka diskutuar rolin që opozita duhet të luajë në këtë fazë.

Më tej Stephan Lehne, kërkoi nga kosovarët që të mos ndalojnë në zbatimin e standardeve.
“Kemi parë progres në javët dhe muajt e kaluar, por duhet bërë edhe më shumë sepse kjo është thelbësore. Duhet vazhduar angazhimi në mënyrë konstruktivë në procesin e statusit.
Kosova ka bërë një punë të mirë, por përpara kemi negociata dhe vendime të komplikuara dhe të vështira dhe na duhet angazhimi juaj i plotë dhe pozitiv në këtë fushë”, tha Lehne, i cili thotë se statusi i Kosovës duhet zgjidhur sa më parë, në mënyrë që të krijohet një qëndrueshmëri në Kosovë.


XS
SM
MD
LG