Ndërlidhjet

S. LEHNE: NDARJA NUK ËSHTË OPSION


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova do të jetë një vend i pavarur me ulëse në Kombet e Bashkuara, ka pohuar sot presidenti Fatmir Sejdiu. Gjatë një debati me studentët e Universitetit të Prishtinës, Sejdiu tha se mund të ketë një vonesë prej disa javëve, por jo më gjatë lidhur me definimin e statusit. Por, ajo që është potencuar nga presidenti kosovar ishte se zgjidhja e statusit do të jetë pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës.

“Rreziku që mund të vijë nga shtyrja, është dëshira që të komprometohet procesi i tërësishëm ndërkombëtar për Kosovën dhe të gjendet ndonjë fije e shqetësimeve eventuale apo tensioneve që mund të imputohen këtu dhe të thuhet pastaj se Kosova nuk është stabile dhe nuk ka perspektivë”, tha presidenti Sejdiu, duke u shprehur se Kosova qysh tash është e gatshme të jetë e pavarur.

“Ajo që ne e themi si pjesë të përgjigjes sonë është se Kosova është e gatshme të fillojë si shtet, Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta, Kosova është e gatshme të hyjë në garancionet e tjera, sa i përket strukturës së vet të zhvillimit, edhe në proceset që kanë të bëjnë me trajtimit të minoriteteve dhe aspektet tjera. Natyrisht që nuk ka një datë konkrete të fiksuar për të kapërcyer këtë limit kohor”, tha Sejdiu.

Po sot, në lidhje me statusin e Kosovës, i dërguari i BE-së, Stephan Lehne tha gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ku takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, se bashkësia ndërkombëtare ka qëndrimin e qartë se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet shumë shpejt dhe se nuk do të tolerohen vonesa të gjata. Lehne u ka thënë me këtë rast liderëve lokalë serbë se Grupi i Kontaktit i ka bërë të qarta parimet dhe se ndarja e Kosovës nuk do të jetë opsion që mund të pritet gjatë përcaktimit të statusit:

“Që nga fillimi i procesit Grupi i Kontaktit e ka bërë të ditur se ndarja nuk është opsion dhe se ndarja do të ishte shumë e keqe si për Kosovën, ashtu edhe për serbët dhe për rajonin”, tha Lehne. Problemet e pakicave, Lehne tha se mund të adresohen dhe zgjidhen përmes decentralizimit.

Në anën tjetër, bartësi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, pas takimit me Lehne, tha se në gjithë procesin e definimit të statusit do të kenë ndikim edhe zgjedhjet në Serbi, sidomos nëse ato mbahen këtë vit. Kurse lidhur me kërkesat e serbëve të Kosovës, Ivanoviq tha se zbatimi i një decentralizimi funksional dhe krijimi i instrumenteve për garantimin e të drejtave të serbëve, do të jenë kërkesat kryesore në të cilat do të insistojnë serbët. Ivanoviq tha se implementues i të gjitha marrëveshjeve për pozitën e serbëve, do të jenë disa palë, përfshirë edhe Beogradin:

“Në fazën e implementimit rol të rëndësishëm do të ketë si qeveria serbe ashtu edhe ajo e Kosovës”, tha Ivanoviq, lidhur me fazën e pas statusit.



XS
SM
MD
LG