Ndërlidhjet

A.DIDA: SISTEMI ELEKTROENERGJETIK I KOSOVËS NUK MUND TË COPËTOHET


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Problemi i furnizimit ne energji elektrike mund të zgjidhet duke paguar rrymën e shpenzuar, thonë zyrtarët e Ministri së Energjetikës dhe Minierave në qeverinë e Kosovës, ndërkohë që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, thonë se problemin do ta zgjidhte futja e operatorit të dytë për furnizim me rrymë dhe pranimi i ndihmës kur ofrohet nga Qendra për Koordinim e qeverisë së Serbisë.

Lideri i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq ka thënë se mungesa e energjisë elektrike mund të jetë një nga arsyet e braktisjes së Kosovës nga ata që hamenden:
"Serbët kanë shumë probleme. Kur e kemi parasysh gjendjen ekonomike dhe mungesën e lirisë së lëvizjes, ata mbyllen në enklava e nëse ato enklava nuk kanë as rrymë, situata bëhet edhe më e vështirë," tha Oliver Ivanoviq. Ai mendon se çështja e furnizimit me energji elektrike mund të zgjidhet përmes sigurimit të furnizuesit të dytë dhe është i bindur se në këtë rast, Elektrokosmet do të ishte fitues në një tender ndërkombëtar, pasi më së miri plotëson kushtet:

"Mendoj se Elektrokosmeti ka kushte më të mira madje edhe se KEK-u, pasi ka funksionuar në Kosovë ka kuadër që e ka mirëmbajtur sistemin një kohë të gjatë dhe tash për tash ndodhet brenda Kosovës," tha Ivanoviq.

Kosova nuk ka nevojë për operator të dytë të energjisë elektrike, thotë zëvendësministri për energji dhe miniera, Agron Dida:
"Çështja e energjetikës dhe menaxhimi i burimeve energjetike janë çështja të prioritetit më të lartë të mundshëm strategjik të vendit, kështu që nuk mund të bëhet copëtimi i sistemit elektroenergjetik, pasi për këtë nuk ka as arsye ekonomike dhe as kurrfarë leverdie tjetër", thotë zoti Dida.

Zoti Dida thotë se zgjidhje afatshkurtër është pagesa e energjisë së shpenzuar dhe me këtë do të zgjidhje edhe problemi i furnizimit:.
"Njerëzit duhet ta paguajnë rrymën e shpenzuar dhe do të kenë mjaft rrymë dhe kjo ka të bëjë me obligimet e konsumatorëve, ndërsa në anën tjetër, KEK-u duhet të angazhohet më shumë për të prodhuar energji dhe për të pasur rrymë", thotë zoti Dida.

Mirëpo, Ivanoviq thekson se është i papranueshëm arsyetimi i UNMIK-ut se rryma është kategori ekonomike që duhet të paguhet dhe se nuk ka asgjë të përbashkët me aspektet humanitare:
"Rryma në shekullin 21 për serbët është çështje humanitare dhe ekzistenciale," tha Ivanoviq.

Ivanoviq mendon se zoti Ruecker i është nënshtruar një presioni të madh që të mos e pranojë ndihmën e ofruar për furnizim me energji elektrike të enklavave serbe, që qeveria e Serbisë e ka ofruar përmes Qendrës Koordinuese:

"Ky është problem politik për Rueckerin, i cili i është nënshtruar një presioni politik të cilin mund ta kuptoj, pasi donacioni eventual për enklavat do t’u mundësonte atyre furnizim të rregullt me energji elektrike," tha Ivanoviq.

Zëvendësministri Dida thotë se është shënuar përparim në shlyerjen e borxheve ndaj KEK-ut, por problemi kryesor janë lidhjet ilegale në rrjet:

"Një numër i shfrytëzuesve janë të lidhur në mënyrë ilegale, po lidhen ilegalisht në rrjet dhe një numër sosh ende nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar, " tha Dida, sipas të cilit tash KEK-u do të përqendrohet për të pamundësuar furnizimin me rrymë të konsumatorëve ilegalë.

Ndryshe, sipas pohimeve të Koprporatës Energjetike të Kosovës aktualisht në Kosovë paguhet vetëm 34 për qind e energjisë së faturuar|.
Ministria e Energjetikës dhe Minierave e ka ndërtuar një strategji zhvillimore, mirëpo ky është një dokument që planifikon zgjidhjen afatgjatë të problemeve në fushë të energjetikës, ndërkohë që në afat të shkurtër, sipas zotit Dida duhet të sigurohet pagesa e energjisë së shpenzuar.

"Çështja e pagesës është urgjente, nuk është çështje strategjike", tha Dida.

Është e qartë se qeveria e Kosovës nuk e ka shqyrtuar fare mundësinë e futjes së operatorit të dytë të furnizimit me energji elektrike në Kosovës dhe se aktiviteti i përgjithshëm për zgjidhjen e këtij problemi duhet të orientohet në shumë drejtime, ndërkohë që sistemi elektroenergjetik konsiderohet si interes i lartë nacional strategjik i Kosovës që nuk guxon të copëtohet, siç është shprehur zëvendësministri Dida.

XS
SM
MD
LG