Ndërlidhjet

PODGORICË


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku sot gjendet për vizitë zyrtare në Mal të Zi me ftesë të kryeministrit Millo Gjukanoviq.
Pas takimit të dy kryeministrave, Gjukanoviq tha se është biseduar për të ardhmen e rajonit, marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për nevojën e zgjidhjes së statusit të Kosovës. "Është në interesin e Malit të Zi që të zgjidhet çështja e Kosovës, zgjidhja të mos shtyhet, dhe mundësisht të gjindet përmes marrëveshjes", tha Gjukanoviq.
Duke u falënderuar për pranimin e refugjatëve gjatë luftës në Kosovë, Çeku tha se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet. Ai tha se e ka njoftuar kryeministrin Gjukanoviq me procesin e negociatave për statusin e Kosovës dhe me pritjet që kjo çështje të përfundojë deri në fund të këtij viti.
"Presim që kjo të jetë pavarësia me të gjitha mekanizmat e mbrojtjes për të gjitha pakicat në Kosovë", deklaroi Çeku duke paralajmëruar se Kosova do të jetë një vend i hapur dhe demokratik.
Ndërkohë, udhëheqës të serbëve në Mal të Zi sot kanë reaguar kundër vizitës së kryeministrit kosovar. Kryetari i Partisë Popullore Serbe Andrija Mandiq tha se "duke e ftuar Çekun në Mal të Zi, Gjukanoviq u ka dhënë goditje të madhe jo vetëm 200 mijë serbëve në Mal të Zi, por edhe udhëheqësisë dhe popullit të Serbisë pas miratimit të kushtetutës së re".
"Këtë e përjetuan si fyerjen më të madhe nga ana e kryeministrit në largim Millo Gjukanoviq. Borxhin për referendumin Gjukanoviqi sot u përpoq ta kthejë me Agim Çekun", tha Mandiq.
Në vizitën e parë të një zyrtari të lartë të Kosovës në Mal të Zi, Çeku do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit, Ranko Krivokapiq, Ministrin e Jashtëm Miodrag Vllahoviq, ndërsa në Ulqin do të takohet me udhëheqës të partive parlamentare shqiptare.
XS
SM
MD
LG