Ndërlidhjet

NAIMARK:"SERBIA KA HUMBUR LUFTËN, KOSOVA ËSHTË RAST UNIK"


Norman NAIMARK, analist në Institutin Hoover/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Naimark, do ta filloja këtë bisedë duke e cituar një artikull tuajin të shkruar në vitin 2000, në të cilin keni thënë: “Kosova duhet të bëhet një shtet i pavarur, me kufijtë e saj aktual”. A do të bëhet Kosova shtet i pavarur në muajt e ardhshëm?

NORMAN NAIMARK
Unë gjithsesi shpresoj, megjithëse vazhdoj të kem dyshime. Unë ende mendoj se komuniteti ndërkombëtar nuk i ka bërë përpjekjet që është dashur t’i bëjë për t’i siguruar Kosovës pavarësinë që e meriton. Në fakt jam shumë kritik në raport me zvarritjen dhe ngurimin që Kombet e Bashkuara kanë treguar në periudha të ndryshme mbi këtë problem. Në këtë kuadër, kundërshtimet e rusëve janë të rëndësishme dhe duhet të merren parasysh, sikurse edhe ato të serbëve, por ka ardhur koha për zgjidhje. Dhe sa më shumë zvarritje që të ketë, sa më shumë që të vonohet pavarësia, do të jetë edhe më e vështirë për Kosovën që të zë vendin e saj, si shtet i pavarur në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë kanë pohuar se zoti Martti Ahtisaari mund të mos e përmend fjalën pavarësi në propozimin e tij për statusin, për të shmangur kundërshtimin e Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Cili do të ishte ndikimi i mos emërtimit të statusit?

NORMAN NAIMARK
Është vështirë për mua të them se çfarë do të jetë ndikimi te shqiptarët e Kosovës. Një prej rreziqeve natyrisht ka të bëjë me faktin se vetë shqiptarët e Kosovës do të mund të humbin durimin e tyre me komunitetin ndërkombëtar, madje ata tashmë edhe kanë humbur durimin dhe do të mund të angazhoheshin në aktivitete që do të ishin kundër produktive për përmbushjen e synimeve finale. Nuk më bën fare të lumtur kur dëgjoj dhe lexoj se zoti Ahtisaari do të mund të bënte ndonjë truk linguistik për të pajtuar kësisoji Rusinë dhe kundërshtimin e saj mbi pavarësinë e Kosovës. Por, në anën tjetër, është e vërtetë se Këshilli i Sigurimit duhet ta aprovojë këtë pavarësi dhe ndoshta një kreativitet diplomatik është i nevojshëm për të afruar rusët dhe për të mundësuar të paktën lëvizjen drejt rrugës së pavarësisë. Pra, në njërën anë paraqitja e këtyre vonesave në fjalorin diplomatik është disi shqetësuese për shqiptarët e Kosovës, por edhe për ata njerëz që kanë menduar se Kosova është dashur ta ketë pavarësinë para shumë kohësh. Megjithatë, në anën tjetër, është e vërtetë se duhen marrë parasysh edhe kundërshtimet e Rusisë. Ndoshta kjo është një mënyrë për të arritur zgjidhjen dhe të shpresojmë se në një afat të shkurtër një gjë e këtillë nuk do të jetë një kthim i madh prapa.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një rast të këtillë, është thënë se udhëheqësit kosovarë do të mund të shpallnin pavarësinë dhe pastaj vendet perëndimore do të vendosnin individualisht nëse duan ta njohin atë. E përditshmja londineze "Guardian" këto ditë ka pohuar se "nëse Moska vazhdon të mbështetë Beogradin, SHBA-të dhe Britania mund të njohin deklarimin unilateral të pavarësisë nga Kosova". A mendoni se do të ndodhë një gjë e këtillë?

NORMAN NAIMARK
Mendoj se është e vështirë për ta thënë aktualisht. Me fjalë të tjera, mendoj se thelbi i pyetjes suaj është i saktë, raportet amerikano-ruse përbëjnë një pjesë të rëndësishme të formulës që do të trajtojë pavarësinë e Kosovës. Dhe është e mundshme që Shtetet e Bashkuara ta njohin pavarësinë, kurse Rusia ta kundërshtojë atë. Por, përderisa të ecim rrugës së pavarësisë së Kosovës, me fjalë të tjera nëse fillon një fazë e re, në të cilën Kosova shpallë pavarësinë e saj dhe nëse Shtetet e Bashkuara e njohin këtë pavarësi, nëse vendet evropiane e njohin këtë pavarësi dhe nëse Rusia e kundërshton atë, atëherë kjo është në rregull, përderisa lëvizet në drejtim të kësaj rruge. Në fund të fundit, rusët, sikurse edhe serbët, thjesht duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Naimark, rasti i Kosovës së fundi ka filluar të përmendet si model për konfliktet e ngrira kudo në botë. A është model apo është një rast i veçantë?

NORMAN NAIMARK
Çdo rast në një mënyrë është i veçantë dhe në mënyrën tjetër ndikon në rastet e tjera. Unë nuk jam fare i bindur për shembull se rasti i Kosovës ka shumë për të thënë për Abkhazinë, Osetinë Jugore apo Transnistrinë. Me fjalë të tjera, këto vërejtje në raport me pavarësinë e Kosovës duhet të llogariten me disa fakte të tjera. Së pari, Kosova është e vetmja që është e mbuluar nga trupat e NATO-s; së dyti, Kombet e Bashkuara janë përgjegjëse për Kosovën dhe nuk janë përgjegjëse për këto njësi tjera të ish Bashkimit Sovjetik; së treti, në Kosovë është zhvilluar një luftë e madhe, të cilën e kanë humbur serbët dhe ajo ka rezultuar me marrjen e Kosovës nga Kombet e Bashkuara. Që prej asaj lufte, që prej humbjes që serbët kanë pësuar në të dhe që prej se misioni i Kombeve të Bashkuara është në Kosovë, situate është krejtësisht e ndryshme nga ajo që është në Abkhazi për shembull.

RADIO EVROPA E LIRË
Para më shumë se një jave, Serbia ka mbajtur referendumin e saj mbi kushtetutën, duke e shpallur Kosovën pjesë përbërëse të saj. Disa analistë e kanë quajtur këtë kushtetutë iluzion. A pajtoheni me një mendim të këtillë?

NORMAN NAIMARK
Absolutisht. Është një iluzion, Kosova nuk është më pjesë e Serbisë. Madje, edhe në vitin 1974, mënyra se si Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, ishte de-facto pothuajse sikurse një republikë e pavarur. Në një farë mënyrë, mund të argumentojmë se Kosova ka të drejtën e njëjtë për të pasur pavarësinë e saj, sikur që e ka pasur Kroacia për shembull. Në rrethana të këtilla, situata në Serbi është përshkuar me një pjesëmarrje të ulët të votuesve në këtë referendum, me sa e kam kuptuar unë, mezi është tejkaluar 50 përqindëshi i kërkuar. Unë mendoj se serbët në përgjithësi mund të nxiten me retorikë nacionaliste për Kosovën, por fundja, edhe serbët, sikurse edhe çdokush tjetër, duan një jetë paqësore, të jenë pjesë e Evropës, të jenë në gjendje të udhëtojnë, të jetojnë me dinjitet dhe të edukojnë dhe rrisin fëmijët e tyre në rrethana të mira. Prandaj, unë sinqerisht nuk besoj se serbët kanë shumë për të humbur me humbjen e Kosovës, përveç asaj formës simbolike. Dhe me zhdukjen e simbolikës së çastit, unë mendoj se serbët do të pajtohen, sikur që janë pajtuar me humbjen e Malit të Zi. Kjo gjë duhet tejkaluar dhe nuk do të shkaktojë dëme të përhershme për serbët e Serbisë. Ata kanë një agjendë të rëndësishme ekonomike, sociale dhe politike për të përmbushur dhe kjo formë e retorikës për Kosovën mendoj se është fryma e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sfida më e madhe në gjithë këtë proces duket se do të jetë veriu i Kosovës. Si e shihni ju këtë pjesë pas përcaktimit të statusit, të ndarë apo të integruar?

NORMAN NAIMARK
Mendoj se keni të drejtë. Problemi i pakicës serbe në Kosovë është problem i madh për të cilin duhet menduar dhe duhet bërë përpjekje për t’u marrë me të. Unë fuqimisht besoj se Kombet e Bashkuara me kapacitetet që kanë në Kosovë dhe Bashkimi Evropian i cili do të përfaqësojë komunitetin ndërkombëtar në Kosovë duhet të punojnë jashtëzakonisht shumë, në bashkëpunim me shqiptarët e Kosovës, për të siguruar se pakica serbe në Kosovë është e mbrojtur dhe jo vetëm e mbrojtur, por me të drejta për t’u zhvilluar si pakicë dhe në aspektin ekonomik, social dhe arsimit. Pra, është një test i vërtetë për mendimtarët demokratikë në Kosovë për të qenë në gjendje të zhhvillojnë një program për Mitrovicën dhe pjesën veriore që do të garantonte për serbët të drejtën për t’u zhvilluar dhe për të jetuar si komunitet i rëndësishëm në Kosovë. Unë sinqerisht besoj se një gjë e këtillë mund të bëhet. Më fjalë të tjera, unë nuk jam fare pesimist mbi çështjen e pakicës serbe në Kosovë. Pikëpamja ime është se forcat demokratike në Kosovë kanë aftësinë dhe vendosmërinë për të siguruar që serbët të jetojnë atje dhe që ata të jenë një komunitet model dhe jo një gjemb në Evropë.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG