Ndërlidhjet

2 500 USHTARË AMERIKANË PRITEN TË DISLOKOHEN NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Rreth 2.500 ushtarë amerikanë do të dislokohen në Kosovë për të ndihmuar KFOR-in në fazën e përcaktimit të statusit të Kosovës. Këto forca ushtarake të Gardës Kombëtare Amerikane, nuk i përkasin KFOR-it, ka deklaruar sot në Prishtinë, zëdhënësi i forcës shumëkombëshe Rajner Senger. Ai tha se nuk dihet se kur do të vijnë, apo sa gjatë do të qëndrojnë këto trupa amerikane në Kosovë:

“Këta ushtarë nuk i përkasin KFOR-it dhe nuk e dimë se sa gjatë do të qëndrojnë në Kosovë”, tha zëdhënësi Senger. Ndërkohë, mediat shkruajnë se këto trupa amerikane do të dislokohen në Kosovë në fund të nëntorit dhe do të vihen në mbështetje KFOR-it për të siguruar një situatë të stabile të sigurisë, gjatë fazës së përcaktimit të statusit të Kosovës.

Ndërkohë, po sot, Komisionari i Policisë së UNMIK-ut, Stefën Kurtis ka paralajmëruar luftë të ashpër kundër korrupsionit në Kosovë, përfshirë këtu edhe rastet e korrupsionit në polici dhe institucionet e tjera të Kosovës. Askush në Kosovë që është i përfshirë në korrupsion, nuk do të ketë vend për t’u fshehur, ka deklaruar Kurtis. Ai përmendi me këtë rast disa operacione kundër korrupsionit javëve të kaluara në Kosovë dhe paralajmëroi me bindje, se kjo luftë vetëm sa do të intensifikohet ditët e ardhshme.

Korrupsioni është dukuri që e shkatërron këtë shoqëri dhe kjo duhet të ndërpritet, deklaroi Komisari Kurtis. Ai tha se në Kosovë është evidente që ka korrupsion edhe te vetë Shërbimi Policor i Kosovës, por kjo sipas tij vjen më shumë si pasojë e pagave të ulëta që kanë policët kosovarë. Për të qenë polici efikase, SHPK-ja, shtoi Kurtis duhet ta përfitojë besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, e në veçanti të komuniteteve.

Efikasiteti nuk arrihet me vetura të shpejta e helikopterë, por me harxhime të mençura buxhetore, tha komisionari Kurtis, i cili paralajmëroi se brenda 90 ditësh, policia kosovare do t’i nënshtrohet një ristrukturimi të saj. Kurtis u shpreh i gatshëm që rastet e korrupsionit të trajtohen pa dallim, edhe atëherë kur në korrupsion mund të jenë të përfshirë zyrtarë të lartë kosovarë:

“Edhe në rastet kur konstatohet se ka korrupsion në institucionet e Kosovës, policia do t’u vihet pas dhe nuk do të tolerohet asnjë formë e korrupsionit”, tha Komisionari Kurtis. Luftimi i korrupsionit do të vazhdojë pa marrë parasysh nivelin ndaj kujt bëhet fjalë, a është ai politikan i nivelit të lartë apo dikush tjetër, tha ai.

Ndërkaq në interesimin e gazetarëve se sa është e gatshme policia të ballafaqohet me trazirat, të cilat mund të vijnë si rezultat i shtyrjes së statusit, Kurtis tha se Policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja janë të gatshme dhe kanë kapacitetet e duhura.

“Jemi duke punuar me kolegët tonë nga KFOR-i dhe jam i bindur se do t’ia dalim në këto raste. Por, Kosova tashmë është një vend i pjekur dhe ne bashkë me KFOR-in kemi një qasje të përbashkët”, tha komisionari i policisë ndërkombëtare. “Dhuna nuk është rrugë me të cilën mund të zgjidhen problemet”, tha ai, duke pohuar se lufta kundër korrupsionit do të jetë një prej prioriteteve kryesore.


XS
SM
MD
LG