Ndërlidhjet

KONTROLLI DHE MENAXHIMI I SISTEMIT BANKAR NË KOSOVË ËSHTË I BRISHTË


Nadie Ahmeti,Prishtinë

Pa një kontroll dhe menaxhim të mirëfilltë të Autoritetit Qendror të Bankave dhe Pagesave, në Kosovë nuk mund të ketë sistem të qëndrueshëm bankar.

Muharrem Ismajli, ekspert për çështje bankare mendon se mos kontrollimi efikas ka bërë që në institucionet bankare të zhvillohet edhe korrupsioni. Sipas tij, sistemi bankar në Kosovë është sistem i ri dhe bankat vendore janë në gjendje të vështirë.

"Kryesisht mendoj se stafi, i cili gjendet në krye të bordeve,nuk janë bankierë. Rezultatet e tyre po shihen; nga Banka Kreditore u burgos një pjesë e bordit, po pritet të burgoset edhe pjesa tjetër. Ky është rezultat i menaxhimit të dobët, hajnive ordinere, korrupsionit të paskrupulltë dhe në pyetje të madhe është dija,” tha zoti Ismajli.

Xhemshit Duriqi, ekspert për çështje financiare, tha se që prej përfundimit të luftës Kosova nuk ka mundur të formojë ndonjë sistem të mirëfilltë bankar, edhe pse ky sistem sipas tij, është një ndër shtyllat kryesore për zhvillimin e një vendi. Ai thotë se është vështirë të garantohet siguria e depozitorëve dhe besimi i masës, pa një kontroll të thellë nga Autoriteti Qendror Bankar i Pagesave.

“Unë mendoj se nëse Autoriteti Qendror Bankar dhe Pagesave do ta kryejë punën si duhet, bankat tona janë më të sigurta se sa bankat e rajonit”, thotë zoti Duriqi.

Përveç mos kontrollimit të bankave nga BPK-ja, problem tjetër në këtë sistem është edhe mungesa e resursve njerëzore në këtë drejtim, tha zoti Ismajli.

“Bordet e bankave vendore kanë drejtora me shkollë fillore, me shkollë të mesme deri te një profesor i fakultetit. Merreni me mend se ku ka shkuar sistemi bankar. Ata duhet të jenë ekonomistë. Në rast se vijnë njerëzit e shkolluar dhe njerëz që dinë, vdes korrupsioni,” tha zoti Ismajli.

Dhe për këtë arsye, tha zoti Ismajli, Kosova duhet të krijojë kuadro profesionale.
“Sipas vlerësimeve të mia, Kosova sot humb 100 milionë euro në investimet e saja. E që shtatë vite sa funksionon sistemi bankar, ende nuk kemi lexuar se 20 bankierë janë duke u shkolluar jashtë. Ai është profesion, i cili do të punojë me Evropën, me Amerikën dhe me shtetet e zhvilluara. Sistemi bankar në Kosovë brenda natës mundet të sjellë 200-300 vetë që kanë punuar në bankat e Evropës dhe Amerikës”, tha zoti Ismajli.

Ndryshe, sistemi bankar në Kosovë, ka shfrytëzuar kohën e tranzicionit që normat e interesit të jenë shumë të larta, thotë Xhemshit Duriqi.

“Normat e interesit dy shifrore nuk i përgjigjen askujt, ju e dini se në Kosovë normat janë 10 e më shumë, për të mos thënë se është keqpërdorur dhe në këtë kohë të tranzicionit është shfrytëzuar rasti,” tha zoti Duriqi.

Pikërisht për korrupsion në sistemin bankar, njësiti kundër Krimeve Ekonomike dhe Anti-Korrupsion ka arrestuar katër persona, të cilët ishin pjesëtar të bordit të Drejtorëve të Bankës Kreditore të Prishtinës, e cila tashmë ka falimentuar.




XS
SM
MD
LG