Ndërlidhjet

KE: STATUSI I KOSOVËS TË JETË I QARTË LEGALISHT DHE POLITIKISHT


Augustin Palokaj, Bruksel

Komisioni Evropian ka paraqitur sot në Bruksel në raportet vjetore për përparimin e vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit, pra të atyre në Ballkanin perëndimor dhe të Turqisë.

Për të dytën herë me radhë, edhe Kosova është përfshirë si vend i veçantë në raportet e BE-së. Në dokumentet e Bashkimit Evropian që janë bërë publikë sot, Kosova përmendet si një ndër sfidat kryesore të Bashkimit Evropian.

Në paraqitjen e këtyre raporteve, komisioneri i zgjerimit Oli Rehn, ka përsëritur se BE-ja pret që statusi i ardhshëm i Kosovës të jetë politikisht dhe legalisht i qartë, duke pranuar kështu se Komisioni është i shqetësuar se statusi edhe mund të mos jetë i qartë dhe mund të jetë ndonjë status quo i ri.

Jemi të shqetësuar për këtë çështje. Ne duam që Kosova të ketë një status të qartë legal dhe politik, në mënyrë që të ketë mundësi të nënshkrimit të kontratave ndërkombëtare, për shembull të mund të arrijë marrëveshje me BE-në, të negociojë Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, të mund të negociojmë edhe me Kosovën për lehtësimin e vizave, sepse në këtë moment Kosova mbetet jashtë këtij procesi. Po ashtu duhet që Kosova të mund të arrijë marrëveshje edhe në institucionet financiare ndërkombëtare, në mënyrë që të rimëkëmbet edhe në anën ekonomike Kosova, ka thënë komisioneri Oli Rehn.

Ndryshe, në vetë strategjinë e zgjerimit që është publikuar sot, nënvizohet se Kosova është një rast i veçantë, dhe nuk mund të shërbejë si precedent. Në raportin për Kosovën thuhet se BE-ja ka vazhduar të jetë e angazhuar në Kosovë, përmes monitorimit të standardeve, duke ofruar asistencë, duke punuar me UNMIK-un dhe duke mbështetur procesin e udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin Marti Ahtisari.

BE-ja thotë se do të ketë një rol kryesor për të luajtur në zgjidhjen e statusit, por edhe në përmbushjen e tij, kur ai status të caktohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Oli Rehn tha sot se pret që Bashkimi Evropian t'i shfrytëzojë të gjitha kapacitetet e veta për të ndihmuar Kosovën në të ardhmen edhe pas statusit.

Më tej në atë dokument, në pjesën: sfidat për vitin që vjen, thuhet se zgjidhja e statusit do të jetë një shtytje tjetër e autoriteteve të institucioneve të Kosovës, për të përparuar me reformat kyçe siç janë sundimi i ligjit, ekonomia dhe administrata publike, që do të ofrojnë një bazë të mirë për transferimin e suksesshëm të përgjegjësive, nga duart e UNMIK-ut tek autoritetet e Kosovës. Të drejtat e pakicave mbeten çështje vitale, sikurse edhe pjesëmarrja e pakicave në institucione. Perspektiva evropiane e Kosovës është thelbësore për t'u ofruar palëve të përfshira, në një vizion për të ardhmen e përbashkët si anëtarë të Bashkimit Evropian, thuhet në këtë dokument, që sot është paraqitur nga Komisioneri i zgjerimit Oli Rehn, pasi është miratuar nga kolegji i komisionerëve.

Sa i përket kritereve politike, në raportin e Komisionit Evropian, thuhet se Kosova ka mbetur stabile dhe ka shënuar progres në transferën e përgjegjësive në institucione, por nevojitet shtimi i përpjekjeve për studimin e ligjit, në luftë kundër korrupsionit.

Më tej Komisioni Evropian vlerëson se çështja e statusit e ka dominuar politikën kosovare dhe se partitë kryesore të shqiptarëve në Kosovë kanë zhvilluar një dialog më konstruktiv, i cili, mendon Komisioni Evropian, duhet të ruhet edhe në të ardhmen.



XS
SM
MD
LG