Ndërlidhjet

PELOSI- FEMRA E PARË QË DO KRYESOJË KONGRESIN AMERIKAN


Me fillimin e sesioneve të Kongresit të kontrolluar nga demokratët në janar të vitit të ardhshëm, Nancy Pelosi do të jetë gruaja më e fuqishme në historinë e politikës së Shteteve të Bashkuara. Me miratimin formal nga kolegët demokratë, zonja Pelosi do të jetë gruaja e parë që do të ushtrojë detyrën e kryetares së Kongresit amerikan.

Republikanët e kanë portretizuar për një kohë të gjatë si të afërt me krahun e majtë liberal. Por, tani ajo është në një pozitë shumë të veçantë për t’ia bërë jetën të vështirë presidentit George Bush, megjithëse ka dhënë shenja se ky nuk do të jetë qëllimi I saj. Ajo madje ka bërë të ditur se mbrëmë ka biseduar me presidentin nëpërmjet telefonit.

“Kemi pasur një bisedë të mirë me presidentin Bush, ai gjithashtu më ka uruar. Unë i thashë se pres të punoj me të në baza dy partiake dhe se suksesi i një presidenti është gjithnjë i mirë për mbarë vendin, prandaj shpresoj se do të mund të punojmë bashkërisht për popullin amerikan”, ka thënë zonja Pelosi.

Si udhëheqëse e shumicës në Kongres dhe e opozitës demokrate, përgjegjësia e saj kryesore do të jetë miratimi i legjislacionit të mbështetur nga partia e saj. Ajo do ta ketë fuqinë të vendosë se cilat projektligje do të debatohen dhe cilat jo.

Një autoritet i tillë është mjaft thelbësor dhe për rëndësinë e këtij autoriteti ka folur edhe vetë presidenti Bush, duke nënvizuar gatishmërinë e tij për të punuar me zonjën Pelosi, pavarësisht nga fakti se ajo e ka quajtur atë jokompetent, gënjeshtar, perandor pa veshmbathje dhe njeri të rrezikshëm.

"I kam thënë zonjës Pelosi se pres të punoj me të dhe kolegët e saj, për të gjetur një bazë veprimi të përbashkët në dy vitet e ardhshme. Si partia shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët janë të vetëdijshëm për rolin e tyre të ri dhe tani kanë përgjegjësi më të mëdha”, ka thënë zoti Bush.

Roli i ri i zonjës Pelosi shënon një arritje të jashtëzakonshme për një grua me pesë fëmijë, e cila tani është gjyshe dhe e cila ishte 47 vjeçe kur hyri në garën e parë zgjedhore.

Është lindur më 1940 në Baltimore, duke qenë e vetmja vajzë e një familjeje italiano-amerikane e cila kishte pesë djem. Të dy prindërit e saj kanë qenë thellësisht të përfshirë në politikën e Partisë Demokratike. Pas martesës me Paul Pelosi, Nancy ka qëndruar në shtëpi për të rritur fëmijët e saj, megjithëse ka mbetur aktive në politikë.

Për vite me radhë, ajo ka grumbulluar para për kandidatët demokratë dhe ka organizuar fushatat e tyre, por më 1987, pas vdekjes së befasishme të një kolegu të saj, ajo vendosi të grumbullojë para për fushatat e saj zgjedhore. Që prej atëherë, rruga e saj drejt pushtetit ka qenë graduale dhe e vendosur. Sot ajo adhurohet si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët, për aftësitë e saj në grumbullimin e parave dhe për arritjen e marrëveshjeve midis ligjëvënësve.
Megjithatë, Nancy Pelosi ka edhe shumë kritikë. Disa prej tyre thonë se ajo është tepër liberale për të mbajtur një detyrë kaq të rëndësishme. Ajo është avokate e programeve për parandalimin e përhapjes se epidemisë SIDA, përkrah martesat ligjore ndërmjet homoseksualëve, synon ligje më të ashpra kundër armëve, është kritike e ashpër ndaj qeverive që shkelin të drejtat e njeriut dhe lufton për të varfërit. Edhe në zgjedhjet e fundit, kandidatët republikanë e kanë quajtur atë si një ekstremiste të rrezikshme të krahut të majtë, por taktikat e tyre nuk kanë pasur sukses.

"Sonte është një fitore e madhe për popullin amerikan. Populli amerikan sot ka votuar për ndryshim dhe kanë zgjedhur demokratët për ta çuar vendin tonë në një drejtim të ri”, ka thënë zonja Pelosi.
Emri i saj, në bazë të hulumtimeve kombëtare, për 50 përqind të popullatës ka qenë i panjohur. Por këto të dhëna tani mbase do të ndryshojnë.


XS
SM
MD
LG